Home / Sport / Cana është lider

Cana është lider

Përforcimi i ri i Sunderlandit, Boudewijn Zenden, është i lumtur që është bashkuar me ish-kapitenin e tij nga Olympique Marseille, Lorik Cana. Mesfushori holandez thotë se reprezentuesi shqiptar është lider dhe nuk befasohet që ai konsiderohet hero i ekipit pas vetëm tre muajve në Premierligë.

Sunderland ka kompletuar transferimin e mesfushorit holandez, Boudewijn Zenden, si futbollist i lirë. 33-vjeçari ka nënshkruar kontratë deri në fund të sezonit, me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër.

Zenden ishte i lirë pas largimit nga klubi francez, Olympique Marseille, gjatë verës dhe i është bashkuar Sunderlandit, pas paraqitjeve të mira në prova dyjavore në Stadium of Light.

Përforcimi i ri i Sunderlandit, Zenden ka bërë të ditur se ka qenë vizitor i rregullt i uebfaqes zyrtare të klubit safc.com, për të përcjellë ish-bashkëlojtarin e tij nga Marseille, tani kapitenin e Sunderlandit, Lorik Cana, me të cilin kaloi dy sezone në Stade Velodrome.

Cana ka shkëlqyer deri më tani gjatë këtij sezoni në Premierligë, pas transferimit nga Franca, gjatë verës, për 6 milionë euro, duke treguar paraqitje të mira në mesfushë. Ndërsa, Zenden nuk është i befasuar me shkëlqimin e Canës, i cili është bërë hero pas vetëm tre muajve në Wearside.

“Për shkak të stilit të tij, nuk jam i befasuar që Loriku është bërë idhull i tifozëve. Atij i pëlqen stili luftarak dhe është gjithmonë i gatshëm për të udhëhequr. I kam përcjell sondazhet në uebfaqen zyrtare të klubit dhe deri më tani ai ka fituar gjashtë prej tyre. I kam telefonuar duke i thënë: ‘E shoh se gjërat janë duke shkuar mirë, mund të shkosh ta marrësh tani çmimin e Futbollistit të Vitit’!. Ai më tha se është ende larg. Ai është djalosh i mirë, dhe është mirë që jam bashkuar me të”, deklaroi Zenden, në intervistën e tij të parë, si futbollist i Sunderlandit.

Zenden beson se ka bërë vendimin e duhur duke iu bashkuar Sunderlandit. “Më është ofruar mundësia e transferimit në Sunderlandit për të treguar formën time fizike. Kam biseduar nëpërmjet telefonit me menaxherin Steve Bruce dhe ai më ka ftuar në klub. E kemi ditur se do të nevojitet pak kohë, por nga fillimi kam pasur ndjenjë pozitive. Kam ardhur për të biseduar dhe për të parë nëse mund të arrijmë marrëveshje, të cilën e kemi bërë tani. Ka pasur edhe klube të tjera të interesuara, por nuk më kanë dhënë ndjenjën e duhur. Jam në një periudhë të karrierës, kur duhet të marr vendimet e drejta. Kam dashur të sigurohem se kam marr vendimin e drejtë, të gjitha që më nevojiten i kam këtu”, përfundoi ai.

Gjithashtu lexo

Ylli i Shkëndijës: Nuk kemi çfarë të humbasim ndaj Milanit

Ardian Cuculi ka thënë se Shkëndija do të tentojë të bëjë lojën e saj dhe …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *