Home / Sport / FIFA fton Kosovën

FIFA fton Kosovën

Kreu i FIFA-së, Sepp Blatter, në fillim të nëntorit do t’i vërë përballë kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, dhe atë të Serbisë, Tomislav Karaxhiq. Në këtë takim pritet të diskutohet rreth gjetjes së një zgjidhjeje për futbollin e Kosovës.

Kreu i Federatës Botërore të Futbollit (FIFA) Sepp Blatter, ka ftuar në një takim të përbashkët drejtuesit e futbollit kosovar dhe atij serb. Në këtë takim, i cili pritet të mbahet në fillim të muajit të ardhshëm, pritet të diskutohet rreth gjetjes së një zgjidhjeje për futbollin e Kosovës.

Në një njoftim të lëshuar nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), thuhet se kreu i FIFA-së, Sepp Blatter, i ka bërë ftesë zyrtare udhëheqësit të FFK-së, Fadil Vokrri, për një takim shumëpalësh në selinë e FIFA-s.

Përveç Vokrrit, në këtë takim pritet të marrin pjesë edhe kryetari i Federatës së Futbollit të Serbisë, Tomislav Karaxhiq; kreu i FIFA-së, Sepp Blatter edhe nënkryetari i tij, Geoff Thompson, i cili njëkohësisht është edhe kryesues i Komitetit të Federatave të FIFA-s.

“Pas kërkesave tona, presidenti i FIFA-s ekskluzivisht na ka ftuar për një takim, ku do të marrin pjesë edhe zyrtarë të UEFA-s. Madje, FIFA na ka lënë dy data në dispozicion për këtë takim, duke na dhënë shansin me zgjedhë. Ne preferojmë datën 5 nëntor, por jemi të gatshëm edhe për tjetrën datë. Në këtë takim, FIFA e ka ftuar edhe kryetarin e Federatës së Futbollit të Serbisë”, tha për Express, sekretari i FFK-së, Eroll Salihu.

Salihu tregon se Fadil Vokrri ka njoftuar edhe krerët e shtetit, presidentin Fatmir Sejdiu dhe kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin për këtë takim.

“Neve nuk na pengon pjesëmarrja e kryetarit të Federatës serbe në atë takim, sepse vijat e kuqe që e definojnë Kosovën shtet, nuk guxon t’i prekë askush. Takimi është në interes të Kosovës. Madje, nuk dihet se a do ta pranojnë ftesën përfaqësuesit serbë. Por edhe nëse serbët e refuzojnë ftesën, prapë se prapë ne do të takohemi me zyrtarët e FIFA-s”, theksoi ai.

Sipas Salihut, kërkesa kryesore e drejtuesve të futbollit kosovar në atë takim do të jetë pranimi i Kosovës në FIFA e UEFA. “Po ashtu do t’i bisedojmë edhe rreth disa çështjeve të tjera, si për shembull respektimin e rregulloreve edhe për transferimin e lojtarëve nga Kosova nëpër Evropë. Së paku do të kërkojmë që klubet tona të lejohen të luajnë nëpër garat evropiane, deri në pranimin e plotë të Kosovës”, përfundoi ai.

Federata e Futbollit e Serbisë ka qenë gjithmonë pengesa kryesore e Federatës së Futbollit të Kosovës, për anëtarësim në asociacionet ndërkombëtare të futbollit.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *