Home / Lajme / Maqedoni / Fjalimi i kryetarit Menduh Thaçi në Kuvendin Qendror të PDSH-së

Fjalimi i kryetarit Menduh Thaçi në Kuvendin Qendror të PDSH-së

Kuvendarë të nderuar siç dini edhe Ju vetë, në Maqedoni në mënyrë ciklike jepen shenja të këtilla që paralajmërojnë ndryshimin e kursit politik që i thyen marrëveshjet e vjetra dhe imponon diçka që paraprakisht ka qenë e pamundshme. Kjo bëhet për shkak se pushteti ka arritur që të gjejë një konjukturë politike që do të miratojë këto ndryshime të kursit politik.
Konjuktura aktuale politike në qeveri ka filluar intensivisht të japë sinjale të fuqishme se ka ardhur koha e re, përkatësisht se paska kaluar koha ku përfaqësuesit e shqiptarëve kishin peshë politike për ta mbrojtur popullin dhe vlerat e tij nga tendenca nacionaliste maqedonase që buronin nga institucionet e sistemit.

Kohët e fundit jemi dëshmitarë të zhvillimeve të ndryshme politike, sociale, ekonomike, kulturore në Maqedoni, prandaj çdo parti politike duhet t’i interpretojë prapavijat e këtyre ngjarjeve sipas këndshikimit të vet.
Siç dihet çdo tendencë e re ka prapavijën e vet, sidomos nëse ka të bëjë me politikën, përkatësisht me ndryshimin e kursit politik. Këto tendenca të reja japin shenja që nëse lexohen mirë kuptohet me kohë prapavija e tyre. Një shoqëri, ose përfaqësuesit politik të segmenteve të ndryshme të shoqërisë nuk i interpretojnë këto shenja atëherë gjithë populli mbetet i papërgatitur për sfidat e reja. Bie fjala në fillet e ndryshimit të kursit politik të Beogradit ndaj Kosovës ishin post-blloqet e policisë të serbizuar ku i gjithë populli shqiptar ishte i detyruar të kalonte në këto rentgene politike ku në thelb jepeshin shenja se pushteti definitivisht ka kaluar në duart e serbëve dhe se ata pa penguar nga askush mund të bëjnë çdo gjë, pa dhënë llogari askujt. Shqiptarëve jo vetën që u mor pushteti, por ata mbetën krejtësisht të pa mbrojtur, ngaqë paraprakisht nuk u interpretuan si duhet shenjat që paralajmërojnë anulimin e marrëveshjeve të vjetra.
Kuvendarë të nderuar siç dini edhe Ju vetë, në Maqedoni në mënyrë ciklike jepen shenja të këtilla që paralajmërojnë ndryshimin e kursit politik që i thyen marrëveshjet e vjetra dhe imponon diçka që paraprakisht ka qenë e pamundshme. Kjo bëhet për shkak se pushteti ka arritur që të gjejë një konjukturë politike që do të miratojë këto ndryshime të kursit politik.
Konjuktura aktuale politike në qeveri ka filluar intensivisht të japë sinjale të fuqishme se ka ardhur koha e re, përkatësisht se paska kaluar koha ku përfaqësuesit e shqiptarëve kishin peshë politike për ta mbrojtur popullin dhe vlerat e tij nga tendenca nacionaliste maqedonase që buronin nga institucionet e sistemit.
Këto shenja jepen duke filluar prej Akademisë së Shkencave Maqedonase e deri te pikat doganore ku bëhen kontrolle të detajuara të panevojshme, keqtrajtime të udhëtarëve, burra, gra, pleq e të rinj, gjithnjë në përputhje cinik me ligjin. Ky abuzim me ligjin, që zbatohet vetëm për pjesëtarët e një komuniteti është në fakt keqpërdorim i ligjit me motive politike. Kur kërkohen shpjegime zakonisht përgjigjen e mbështesin formalisht dhe në mënyrë tallëse në ligjet ekzistuese. Në pyetjen se çka do të bëjë qeveria e Maqedonisë lidhur me enciklopedinë ku, me një gjuhë jo shkencore, fyese mohohen vlerat shqiptare, autoktonia, kultura e tyre, kryeministri dhe kryetari i shtetit maqedonas japin përgjigje që në thelb përbuzin dinjitetin tonë: Maqedonia qenka shtet juridik dhe se qeveria nuk paska të drejtë të ndërhyjë në autonominë e institucioneve kulturore, shkencore. E njëjta përgjigje jepet kur kërkohen arsyetime për mosrespektimin e ligjit për amnisti. Kryeministri i cili fare mirë e di se ligji për amnisti ka peshë ndërkombëtare politike ngaqë luajti rol vendimtar në ndërprerjen e armiqësive, megjithatë si Poncie Pilati i lan duart duke thënë se kjo çështje ka të bëjë me gjyqet dhe se ai nuk ka të drejtë të përzihet në punët e gjykatave që në shtetet demokratike paska pasur autonominë e vet. Mirëpo ai nuk mërzitet kur i shkel ligjet që kanë peshë ndërkombëtare dhe që kanë të bëjnë me një standard elementar të shteteve moderne demokratike, me atë të shekullarizmit të shtetit. Kryeministri maqedonas në përpjekjet qesharake që të hyjë në zemër të zotit qëndron moralisht, politikisht dhe financiarisht pas ideve për ndërtim të kishave në qytetet e ndryshme të Maqedonisë. Këtë abuzim ai bën edhe në emër të politikës dhe taksapaguesve shqiptarë duke e shndërruar Maqedoninë në shtet që ndërtohet mbi parime fetare ortodokse.
Kjo arrogancë, kjo shpërfillje e marrëveshjeve paraprake për ndërtim të shtetit nuk është naive dhe zbulon faktin se partia politike shqiptare në qeveri nuk ka forcën dhe peshën politike që t’i mbrojë jo vetëm zbatimin e ligjeve, por edhe dinjitetin e plakave që keqtrajtohen në pikat kufitare. Po ashtu ky guxim i qeverisë aktuale që të luajë si të dojë me të drejtat e shqiptarëve, me dinjitetin e çdo individi me përkatësi shqiptare manifeston bindjen se përfaqësuesit politik të shqiptarëve si dhe vetë popullin shqiptar në tërësi paskan humbur fuqinë dhe se me ta mund të manipulohet lehtë.
Të nderuar kuvendarë, populli shqiptar asnjëherë nuk ka qenë më i pambrojtur se tani. Shenjat e këtij ndryshimi të klimës politike janë gjithkund, por ato jo vetëm që nuk kumtohen në mënyrë të drejtë dhe me kohë, por përkundrazi arsyetohen. Kohët e fundit arsyetuesit e kursit të ri politik të qeverisë gjithnjë e më shumë shtohen. Fragmentarizohet skena politike shqiptare që njëherësh paralajmëron rrënimin e platformës politike kombëtare në emër të së cilës u bë legjitimiteti paraprak. Tashmë kryeministri maqedonas me papërgjegjësi fëmijërore krijon alternativa politike shqiptare si dhe rezervë nëse do të dështojë politika kapitulluese e BDI-së. Ai pandeh tashmë i sigurtë në vetvete se gjithmonë do të gjejë shqiptar që janë të gatshëm të bashkëpunojnë me të.
Siç dihet ky ndryshim u kursit politik filloi menjëherë me hyrjen në qeveri të BDI-së. Kompromisi i parë i tyre kishte të bënte me ligjin për përdorim të dokumenteve të udhëtimit. Këtë variantë të ofruar në periudhën kur ishte ende në qeveri PDSH-ja, që u refuzua unanimisht nga të gjithë deputetët e parlamentit (të PDSH-së dhe të PPD-së), këtë mall të skaduar, LSDM-ja ia ofroi BDI-së e cila në mënyrë të pabesueshme, pa kurrfarë dileme e pranoi dhe e votoi. Kjo ishte shenja e parë, paralajmërim i parë alarmues se po hymë në një fazë që do t’i restaurojë relacionet e vjetra në shoqëri që sipas Marrëveshjes së Ohrit mendohej se do të ndryshoheshin definitivisht. Ky ligj e viktimizoi funksionin obligativ të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare krahas asaj të maqedonishtes. Të gjitha alarmimet që i bënte PDSH-ja hasnin në pengesa të orkestruara nga BDI-ja dhe LSDM-ja. Në këtë kohë u rrënua edhe strategjia e politikës kombëtare që megjithatë arrinte ta relativizonte strategjinë politike maqedonase. Këtë strategji e pati inauguruar ish presidenti i Maqedonisë, Gligorov. Ai gjithnjë para faktorit ndërkombëtar e arsyetonte refuzimin që të plotësohen kërkesat e arsyeshme të shqiptarëve me frikën se opozita maqedonase VMRO-ja do të bënte telashe të mëdha duke destabilizuar rajonin. Subjekti politik shqiptar të paktën PDSH-ja një kohë të gjatë e luante këtë rol opozitar që i artikulonte drejtë këto procese. Me ardhjen e BDI-së në pushtet u ndryshua kjo strategji shqiptare meqë BDI-ja, me politikën e saj integruese, jepte shenja shumë të qarta se e gjithë skena politike shqiptare tashmë është nën kontrollin e saj dhe se kjo parti do t’i bëjë të gjitha kompromiset e nevojshme vetëm e vetëm që të përmirësojë imazhin e saj të humbur gjatë konfliktit.
Këtë rol të bashkëpunimit të pakushtëzuar, ose të integrimit pa kriter, BDI-ja vazhdoi ta luajë edhe më tutje duke e rrënuar strategjinë e kontestit etnik që e pat praktikuar PDSH-ja. Këto gatishmëri, shenjat e së cilës i patëm zbuluar me kohë, në një artikull të veçantë e cilësova si politikë e mbylljes së kontesteve ndëretnike që në fakt ishte shenjë e anulimit të parakohshëm, të parealizuar të kauzës shqiptare.
Kjo politikë e mbylljes së kontestit etnik në Maqedoni vazhdoi edhe gjatë prurjes së ligjeve të reja që kishin të bënin me decentralizimin dhe ndarjen territoriale të komunave. Edhe me këto raste BDI-ja, si ata tregtarë që e blejnë mallin e skaduar dhe e shesin atë me ndryshimin kriminel të të dhënave i miratoi këto ligje në dëm të shqiptarëve.
Bashkëpunimi ndërmjet subjektit politik maqedonas dhe atij shqiptar si në periudhën e parë, LSDM-BDI ashtu edhe në vazhdim VMRO-BDI bëhej sipas kërkesës maqedonase për kompromis që nënkuptonte heqjen dorë nga përfaqësuesit shqiptar nga të drejtat që buronin nga Marrëveshja e Ohrit. Këto kompromise të turpshme bëheshin jo vetëm me përmbajtjen e ligjeve, por edhe në segmentin mjaft të rëndësishëm, në atë të afateve. Në Marrëveshjen e Ohrit në mënyrë obligative ishte përcaktuar afati përfundimtar i implementimit të Marrëveshjes së Ohrit, viti 2004. Ky afat u shty që të dëshmohet se përfaqësuesit politik maqedonas përmes korruptimit të partnerit të tyre në koalicion, të BDI-së do të arrijë t’i relativizojë, t’i bëjë të pazbatueshme ligjet që burojnë nga Marrëveshja e Ohrit dhe të shtyjë sa më larg afatin e zbatimit të tyre. Këto dy tendenca, modifikimi i ligjeve dhe shtyrja e afatit të zbatimit të tyre u arritën plotësisht gjatë qeverisjes së BDI-së. E gjithë pakoja e Marrëveshjes së Ohrit, përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe, decentralizimi, ndarja territoriale e komunave, përfaqësimi adekuat, risocializimi i ish-pjesëtarëve të konfliktit të vitit 2001, ligji për amnisti u modifikuan deri në trajta qesharake falë politikës servile dhe defetiste të BDI-së, pra politikës së mbylljes së kontestit etnik në Maqedoni në dëm të interesave shqiptare. Ky është paradoks thuaja i pabesueshëm: ajo bashkësi etnike që ishte e cunguar nga të drejtat që garantohen sipas të gjitha konventave ndërkombëtare dhe që kërkonte nga pala maqedonase të bëjë kompromis përfundoi me një absurd, të bëjë ajo vetë kompromisin e kërkesave të saja që e pat parashtruar partnerit në koalicion. Gjithë ajo energji politike që u pat induktuar te shqiptarët e Maqedonisë përfundoi me një kompromis me vetveten.
Kuvendarë të nderuar, ju e dini se PDSH-ja bëri përpjekjet e fundit që të pengojë këtë ecuri të dështuar politike. Kur them të dështuar mendoj edhe në konfliktin, edhe në Marrëveshjen e Ohrit që falë këtyre gabimeve mbeti si kornizë e zbrazët. Gjatë periudhës së shkurtër të qeverisjes me VMRO-në, PDSH-ja u orvat që ta kthejë procesin në shtratin e vet. Këtë përpjekje ju e njihni me emrin Marrëveshja e Marsit që përmbante gjashtë kërkesa: Ligjin për përdorim zyrtar të gjuhës shqipe, përfaqësimin adekuat, Ligjin për përdorim të flamurit, Ligjin për risocializim të ish-pjesëtarëve të konfliktit, vendimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës etj. Këto ishin kërkesa të konkretizuara në funksion të kthimit të politikës në shtratin e Marrëveshjes së Ohrit. Në vend që të marrë në shqyrtim këto kërkesa kryeministri maqedonas i shpalli zgjedhjet e parakohshme ngaqë PDSH-ja kushtëzonte pjesëmarrjen e saj në qeveri për plotësimin e këtyre kërkesave të arsyeshme. Siç dihet në këto zgjedhje, falë manipulimeve dogmatike me elektoratin maqedonas dhe mbështetjen shtetërore që iu dha BDI-së gjatë zgjedhjeve të fundit u arrit qëllimi që të eliminohet PDSH-ja nga procesi i vendimmarrjes dhe të zëvendësohet me një subjekt tjetër, me BDI-në, që ofronte bashkëpunim të pakushtëzuar. Këtë tregti me kauzën shqiptare PDSH-ja nuk e pranoi dhe doli në opozitë. Çka ndodhi pas saj? Votimi pa debate dhe në mënyrë ilegale të ligjit për përdorim zyrtar të gjuhës shqipe, pra të ligjit thelbësor të Marrëveshjes së Ohrit. Ky kompromis në fakt dëshmoi se BDI-ja nuk ka pasur kurrfarë marrëveshje me kryeministrin, ose me kryetarin e VMRO-së Nikolla Gruevskin, i cili e pa të udhës që disa herë vetë të përgënjeshtrojë këtë gënjeshtër të radhës. Por, gënjeshtrat nuk përfunduan me kaq. Pala maqedonase me arrogancë e hodhi kërkesën që të sillet ligji për risocializim të ish-pjesëtarëve të konfliktit. Në vend të kësaj qeveria dha sinjale që të fillojë gjykimi i katër rasteve të refuzuara nga Gjykata e Hagës që paraqet rrënimin e njërit nga premisat kryesore të Marrëveshjes së Ohrit. Këtë eksperiment të shpërfilljes të lehtë të kërkesave të shqiptarëve si dhe të marrëveshjeve të arritura, qeveria e Maqedonisë e lexoi gabimisht: si dorëzim total politik të faktorit shqiptar në përgjithësi. Si pasojë e gjithë kësaj del botimi i parë i Enciklopedisë Maqedonase që në vete ngërthente mohimin skandaloz të vlerave fundamentale, prej autoktonisë e deri te identiteti i gjithë shqiptarëve. Me këtë edicion nuk u sulmuan vetëm shqiptarët e Maqedonisë, por i gjithë populli që flet për urrejtjen e institucionalizuar maqedonase.
Nga përmbajtja e këtij pamfleti enciklopedik u distancuan krahas shqiptarëve edhe fqinjët e Maqedonisë dhe faktori ndërkombëtar. BDI-ja reagoi poashtu sipas stilit të saj, tashmë të banalizuar. Ajo i dha mbështetje kryetarit të partisë të vendosë si të dojë që do të thotë se ata të gjithë nuk kanë kurrfarë mendimi për këtë rast skandaloz. Kryetari i kësaj partie në fillim e cilësoi atë si ndërprerje të armëpushimit, por këtë kërcënim, si gjithmonë shumë shpejtë e harroi dhe bëri kompromisin në dëm të dinjitetit të shqiptarëve.
Nga e gjithë kjo që u tha më lartë i sugjeroj Kuvendit Qendror të PDSH-së që të nxjerr konkluza me të cilat do të arrihej që të ndërpritet ky proces degjenerues që destabilizon Maqedoninë dhe rajonin. Kjo qeveri me një politikë retrograde, klerikale, nacionaliste, romantike, të shkëputur nga realiteti arriti që t’i ringjallë armiqësitë me faktorin e brendshëm dhe të jashtëm, duke e destabilizuar situatën e sigurisë në të gjitha planet. Prandaj PDSH-ja fton qeverinë që sa më shpejtë të heqë dorë nga kjo aventurë e papërgjegjshme dhe të rikthehet aty ku duhej filluar procesi i eliminimit të shkaqeve të antagonizmave. Pra:
1. Të anulohen ligjet e nxjerra në kundërshtim me Marrëveshjen e Ohrit, sidomos Ligji për përdorim zyrtar të gjuhës shqipe;
2. Të respektohet deri në fund ligji për amnisti;
3. Të nxirret ligji për përdorim të flamurit shqiptar;
4. Të nxirret definitivisht ligji për risocializim të ish-pjesëtarëve të konfliktit të vitit 2001;
5. Të respektohet deri në fund parimi kushtetues për përfaqësim adekuat të shqiptarëve;
6. Të konkretizohet dhe të garantohet me ligj funksioni i parimit të konsensusit që të parandalohen abuzimet që janë bërë deri më tani;
7. Të vendosen marrëdhëniet diplomatike me Kosovën;
8. Të bëhet kompromisi i nevojshëm me Greqinë; dhe
9. Të intensifikohet procesi i hyrjes së Maqedonisë në NATO dhe UE.

Ndërkaq sa i përket çështjes së enciklopedisë maqedonase që i fyen ndjenjat e shqiptarëve PDSH-ja inkurajon instancat e prokurorisë që të parashtrojnë padi penale për përdorim të gjuhës së urrejtjes nga ana e redaktorit të edicionit dhe autorëve të artikujve në fjalë.
Çdo largim nga kjo agjendë është papërgjegjësi që paralajmëron përkeqësimin e situatës së sigurisë që me aq mund u arrit.

Gjithashtu lexo

Starnawski përsëri zhytet në Matkë

Zhytësi i famshëm speleologjik, Krzysztof Starnawski nga Polonia, së bashku me ekip të zhytësve vendas …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *