Home / Sport / I lindur për gol

I lindur për gol

Me paraqitjet në Rapid Vienna, Hamdi Salihit po dëshmon se është i ‘lindur’ për të shënuar. Ai nuk e ka pritur as vetë se do të ketë një start kaq të mirë te ekipi i ri. Sulmuesi shqiptar shpreson të vazhdojë me gola, derisa me klubin austriak synon titullin e kampionit dhe kalimin e grupit në Europa League.

Hamdi Salihi po vazhdon të shkëlqejë në skuadrën e re Rapid Vienna. Sulmuesi shqiptar aventurën te klubi austriak e ka filluar në mënyrën më të mirë të mundshme.
Anëtari i Kombëtares shqiptare, në tri ndeshjet e zhvilluara në kampionatin austriak, ka arritur të realizojë katër gola në fanellën e Rapid Viennas, derisa një herë ka arritur të shënojë edhe në ndeshjen e Kupës së Austrisë.
Një start të tillë nuk e ka pritur as vetë futbollisti me prejardhje nga Shkodra, i cili në çastet e fundit të afatit kalimtar të verës nga SV Ried ishte transferuar te gjiganti austriak Rapid.

“Kamë menduar në çoftë se do jem në lojë, do kem shanse dhe mundësi të jap ma të mirën. Kështu kaq mirë nuk e kisha menduar se do ta nis. Faleminderit Zotit që gjërat janë duke shkuar kështu”, ka thënë Salihi për të mërkurën.

Ish sulmuesi i Vllaznisë nga Shkodra dhe i Tiranës shpreson që të vazhdojë të shënojë gola edhe në ndeshjet e tjera.

“Shpresoj të vazhdoj kështu. E rëndësishme është që të jap 100 për qind nga vetja në stërvitje që me t’u dhanë shansi me luajtur. Pastaj në fushë ta jepesh më të mirën dhe të bësh gola”, theksoi ai.

Pas dhjetë xhirove të kaluara në Bundesligën austriake, Rapid zë vendin e tretë me 18-të pikë të tubuara, pesë më pak se kryesuesi i tabelës Salzburg, por me një ndeshje më pak të zhvilluar.
Ndërsa në Europa League, Rapid i prinë Grupit C me 4 pikë të tubuara, një më shumë se Hamburg e Hapoel Tel-Aviv, që ndajnë pozitën 2 dhe 3. Ndërsa i katërti renditet Celtic që ka vetëm një pikë.
Shkodrani tregon se synim i Rapid Viennas është kalimi i grupit në Europa League dhe titulli i kampionit në Austri. “Normalisht, objektivi kryesor është me kaluar grupin. Ndërsa këtu në kampionat synim është titulli i kampionit”, deklaroi Salihi.
Ndeshjen e radhës Rapid në kampionat do ta zhvillojë si mysafir i Sturm Graz, ndërsa në Europa Ligë do të përballet me skuadrën izraelite Hapoel Tel-Aviv.

Kërkon pikë në Suedi

Kombëtarja Shqiptare, të martën është grumbulluar në Gjermani, ku po zhvillon përgatitjet për ndeshjen e 14 tetorit kundër Suedisë. Hamdi Salihi tregon se kuqezinjtë në këtë takim do të hyjnë për rezultat pozitiv.
“Suedisë i duhet shumë fitorja. Ne do të mundohemi ta bëjmë më të mirë sepse edhe neve na duhet shumë. Shpresoj ta marrim një pikë sepse do të na ndihmojë që në eliminatoret e ardhshme do të jemi një vazo më lart”, tha ai.
Shqipëria bën pjesë në Grupin 1 të eliminatoreve për botërorin Afrika e Jugut 2010. Kryesuesi i grupit është Danimarka me 18-të pikë të tubuara, tri pikë më shumë se Suedia që zë vendin e dytë. Ndërsa kuqezinjtë gjenden në vendin e pestë, me 7-të pikë të tubuara.

Gjithashtu lexo

Shikoni çfarë ka bërë Barcelona pas sulmit terrorist (FOTO)

Klubi i Barcelonës ka reaguar pas sulmit terrorist në Barcelonë. Katalunasit e kanë bërë një …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *