Home / Sport / Kuzhe – Mund t’ia dalim me Suedinë

Kuzhe – Mund t’ia dalim me Suedinë

Edhe pse ndeshjen kundër Suedisë e vlerëson të vështirë, Josip Kuze, në Stokholm synon të arrijë rezultat pozitiv. Tifozët shqiptarë i kanë hyrë në zemër kroatit, i cili është optimist se Kombëtarja Shqiptare mund të kualifikohet në Kampionatin Evropian 2012.

Kombëtarja shqiptare ka përfunduar përgatitjet për ndeshjen e së mërkurës, kundër përfaqësueses së Suedisë. Kuqezinjtë për disa ditë me radhë kanë stërvitur në Gjermani, derisa të martën kanë udhëtuar drejt Stokholmit, ku do të zhvillohet ndeshje Suedi – Shqipëri.

Selektori i Përfaqësueses së Shqipërisë, ndeshjen kundër suedezëve e ka vlerësuar si të vështirë, pasi atyre i duhen patjetër tre pikë nga ky takim, që do t’ua mbanin gjallë shpresat për vendin e dytë në Grupi 1.

“Suedisë i duhen tre pikë. Nejse, nuk shqetësohemi shumë për Suedinë, as për Portugalinë, e as për Danimarkën. Do bëjmë një lojë të fortë që të bëjmë diçka të mirë edhe për mbështetësit tanë. Shpresoj të vijnë shumë tifozë të na shohin. Prandaj duhet vetëm të arrijmë objektivin dhe qëllimin tonë”, ka thënë Kuze në një intervistën dhënë televizionit Klan, gjegjësisht emisionit Opinion, të drejtuar nga Blendi Fevziu.

Kuze gjatë kësaj interviste ka treguar se nga ardhja e tij në krye Shqipërisë, problemi më i madh që kishte ekipi kombëtar ishte organizimi i lojës, disiplina, taktika dhe këmbëngulja në respektimin e disiplinës së lojës.

Megjithëkëtë Kuze mendon se kuqezinjtë kanë arritur rezultate të shkëlqyeshme në ndeshjet e fundit, duke u krijuar njerëzve një besim për të ardhmen. Kroati është optimist se Shqipëria mund të kualifikohet në Kampionatin Evropian 2012.

“Sigurisht që duhet të tregohem optimist. Duhet të ëndërroj dhe ëndrra ime është që ta shoh Shqipërinë, jo vetëm skuadrën kombëtare por edhe tifozë shqiptarë që vijnë në një vend të huaj me shalle të kuq dhe të krijojnë një atmosferë të mrekullueshme. Gjithsesi, mendoj se edhe kjo mund të realizohet, sepse me një punë të mirë, me disa përmirësime dhe disa korrigjime në lojën dhe punë tonë, mendoj se mund të bëjmë diçka”, ka thënë Kuze.

“S’dua të jem vetëm pjesëmarrës. Deri tani Shqipëria ka qenë vetëm pjesë e kualifikimeve. Nuk kanë luajtur në kualifikime të mëdha apo të rëndësishme. Mendoj se për Kampionatin Evropian mund të luajmë në një fazë më të lartë. Shpresoj se mund të kualifikohemi”, shtoi ai.

Edhe pse ka drejtuar Shqipërinë vetëm në katër ndeshje, që prej ardhjes së tij në bankinën kuqezi, kroatit kanë filluar t’i hyjnë në zemër tifozët shqiptarë.

“Shumë mirë. Shumë mirë. Si fillim, një njeri ka katër përbërës. Njëri është intelekti, njëri është instinkti, e tjetri është emocioni. Në Shqipëri emocioni është një në nivel shumë të lartë. Kjo më pëlqen, sepse në sport sidomos duhet emocioni. Prandaj them se jam shumë i lumtur këtu. Ka reagime të mira. Ka disa që janë të këqija, në disa çaste të vështira, gjë që e pres, natyrisht. Por mendoj se nëse do vazhdojmë të kemi sukses, do kenë emocione shumë pozitive dhe do ta mbështesin më shumë skuadrën tonë kombëtare”, u shpreh kroati

Gjatë intervistës në emisionin “Opinion”, Kuze ka folur edhe për futbollistët kosovarë, që luajnë në përfaqësuesen shqiptare. I pyetur nga Blendi Fevziu se gjysma e ekipit kombëtar janë shqiptarë nga Kosova, Kuze është përgjigjur: “E di, por s’dua t’ia di. Duhet të them se nuk më intereson. Jam i lumtur që punojmë bashkë, por për mua ekipi kombëtar shqiptar është një i vetëm”.

Ndeshja ndërmjet Suedisë dhe Shqipërisë do të fillojë në ora 20:45.

Gjithashtu lexo

Kastriot Tusha dhe “Ballistët” këndojnë “Xhamadani vija vija” midis Milanos (Video)

“Ballistët” janë duke bërë atmosferë fantastike në Milano dhe atyre u wshtw bashkuar edhe Kastriot …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *