Home / Sport / Liga e Kampionëve, emocionet vazhdojnë edhe sot…

Liga e Kampionëve, emocionet vazhdojnë edhe sot…

Pas rezultateve surprizë të mbrëmjes së djeshme, Liga e Kampionëve rezervon sot të tjera përballje interesante në grupet A, B, C dhe D.

Duel kryesuesish në grupin A, ku Bajerni i Mynihut do të luajë në transfertën e vështirë të Bordosë. Të dy ekipet do të kërkojnë tre pikët në këtë përballje, për t’u shkëputur të vetëm në krye të grupit. Aktualisht, si bavarezët, ashtu edhe Zhirondinët kanë nga katër pikë, pas dy ndeshjeve të para.

Ndërkohë, Juventusi do të presë në “Olimpiko” të Torinos izraelitët e Makabi Haifas. Bardhezinjtë do të kërkojnë patjetër tri pikët në fushën e tyre, për t’iu rikthyer rezultateve pozitive. Dy barazimet në ndeshjet e para (1-1 me Bordonë dhe 0-0 me Bajernin) bëjnë që “Zonja” të ndodhet në kuotën e dy pikëve, në vendin e tretë në grupin A.

Në grupin B, Mançesteri do të udhëtojë drejt të ftohtit rus, ku do të pëballet me vendasi e CSKA Moskës. Nënkampionët e Europës kryesojnë grupin me pikë të plota dhe sot do të përpiqen t’i mbyllin llogaritë përsa i përket kualifikimit.

Volfsburgu i vendit të dytë do të presë në shtëpi turqit e Beshiktashit, që nuk e kanë provuar ende shijen e pikëve pas dy ndeshjeve të para. Një fitore e gjermanëve do të thotë një hap i sigurtë drejt vendit të dytë, për të kaluar në fazën tjetër.

Superpërballja e mbrëmjes së sotme luhet në “Bernabeu”, ku Real Madridi do të presë Milanin. Një ndeshje ku emocionet dhe spektakli nuk do të mungojnë dhe të dy gjigantët e kontinentit do kërkojnë fitoren.

Ndërkohë që në “Velodrom”, vendasit e Olimpik Marsejës do të presin Zyrihun. Francezët ende nuk kanë marrë pikë në takimet e para dhe sot do të kërkojnë patjetër tripikëshin. Nga ana tjetër, pas fitores befasuese të dy javëve më parë, zviceranët do të kërkojnë të bëjnë surprizën edhe në Francë, për të shpresuar në ëndrrën europiane.

Grupi D ka rezervuar mdeshje vendase për kryesuesit. Çelsi i Karlo Ançelotit do të luajë në “Stemford Brixh” kundër Atletiko Madridit, që ndodhet në kuotën e zero pikëve, kurse Porto do të presë ishullorët e Apoel Nikozias.

Liga e Kampionëve, ndeshjet e sotme:

Grupi A
Juventus – Makabi Haifa
Bordo – Bajern Mynih

Grupi B
CSKA Moska – Mançester Utd.
Volfsburg – Beshiktash

Grupi C
Real Madrid – Milan
Olimpik Marsejë – Zyrih

Grupi D
Çelsi – Atletiko Madrid
Porto – Apoel Nikozia

Gjithashtu lexo

City: 300 mln euro për Messi-n – (VIDEO)

Klubi anglez, Mançester Sity është i gatshëm të bëjë çmendurinë e radhës në tregun e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *