Home / Sport / Mentalitet fituesi

Mentalitet fituesi

Zlatan Ibrahimoviç thotë se gjithmonë dëshiron të jetë i pari dhe se çfarëdo rezultati tjetër e konsideron dështim. Ylli suedez beson se Inter ishte i varur nga prezenca e tij në fushë, ndërsa Barcelona ka ekip më të mirë. I pëlqen puna dhe raporti me trajnerin Pep Guardiola, ndërsa synon të hyjë në histori si futbollist, i cili ka lënë gjurmë në Nou Camp.

latan Ibrahimoviç ka filluar të bëjë ‘magji’ në Barcelonë. I transferuar gjatë verës nga Inter, ai ka filluar të arsyetojë dëshirën dhe besimin e trajnerit Pep Guardiola për blerjen e tij nga kampioni i Italisë.

Gjatë një interviste për magazinën e klubit, Revista Barca, ai ka komentuar karrierën e tij të deritashme dhe muajt e parë me gjigantin katalan. Mirëpo, ylli suedez ka folur edhe për të kaluarën e tij, motivimin dhe shpresat e parashikimet e mëdha në Barcelonë.

Babai i Zlatanit është boshnjak, kurse nëna kroate, ndërsa ishte rritur në qytetin e qetë suedez, Malmo. Ai e filloi karrierën si futbollist në Rosengard, kur filloi të ndërtojë personalitetin e tij të fuqishëm.

“Në jetë duhet të jeni të fortë dhe nuk e kam lënë askënd të më dëshpërojë. Nëse më tregoni respekt, do t’ju respektoj. Më pëlqen që njerëzit të flasin lirshëm dhe t’i thonë gjërat ashtu si janë. Nuk dua të jem i dyti, treti ose i katërti. Për mua kjo është njësoj si i fundit. Dua të jem i pari – ose asgjë”, ka thënë Ibra.

La Liga është liga e katërt e Ibrahimovicit, pasi filloi në Suedi, më pas kaloi në Ajax, prej ku erdhi në Itali dhe luajti dy sezone në Juventus, para se t’i bashkohet Interit për tre vite të tjera. Tani ai është në Barcelonë dhe e ka të qartë dallimin.

“Në Inter, nuk ishim shumë futbollistë të cilët mund të kthenin ndeshjen. Kur nuk isha në formë, ndeshjet ishin të vështira, por këtu edhe nëse mungon njëri prej futbollistëve më të mirë, gjithmonë është dikush, i cili e bën dallimin. Kjo e bën Barcelonën ekip të madh”, shtoi ai.

Golat e sulmuesit suedez dhe asistimet e tij deri më tani këtë sezon kanë ndalur thirrjet e tifozëve për Eto’on – i cili kaloi në Inter si pjesë e marrëveshjes për Ibrahimoviçin – por Ibrahimoviç ka respekt për sulmuesin afrikan.

“Ai bëri punë të mirë në Barcelonë dhe kam respekt për atë që bëri. Por për shkak të kësaj, nuk ndjej presion shtesë ndaj vetes”, vazhdoi Ibrahimoviç. Pas punës me trajnerë si Koeman, Capello, Mancini dhe Mourinho, Ibrahimovicit i pëlqen sistemi i Guardiolas.

“Ai i shpjegon të gjitha dhe dëshiron të dijë se çka ju pëlqen më së tepërmi, çka doni të bëni… gjithmonë kemi bisedë të hapur. Ai ka mentalitet fituesi, njësoj si unë, por ai dëshiron të fitojë me elegancë dhe duke shfaqur futboll atraktiv”, u shpreh Ibra.

Me pesë gola në pesë xhirot e para në La Liga, Ibrahimoviç hyri në histori të klubit dhe është i vetëdijshëm rreth kësaj: “Më kujtohet koha e Romarios, e pastaj Ronaldos, njëri prej futbollistëve më të mirë – futbollist edhe më i kompletuar se unë. Futbollistë si Stoichkov, Ronaldo, Romario, Eto’o, ata të gjithë kanë bërë gjëra të jashtëzakonshme dhe kam dëshirë që edhe unë të lë gjurmë”.

Gjithashtu lexo

Osmani: Bëmë gabime në mbrojtje, do të ndryshojmë në lojën e ardhshme

Trajneri i Shkëndijës së Tetovës, Qatip Osmani nuk e ka përjetuar mirë humbjen nga Milani. …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *