Home / Sport / Muriqi mposht Taylorin

Muriqi mposht Taylorin

Elvir Muriqi e ka mposhtur boksierin amerikan, Tiwon Taylor, i cili është dorëzuar në rundin e tretë. ‘Kosova Kid’ tregon se meçin e radhës do ta zhvillojë në muajin dhjetor, i cili do të jetë shumë i rëndësishëm për të ardhmen e tij.

Boksieri kosovar, Elvir Muriqi, të shtunën mbrëma e mposhti boksierin amerikan, Tiwon Taylor, me ndërprerje në rundin e tretë të këtij meçi. Në fakt, brenda tri rundesh, Muriqi ia ka dalë ta nokautojë dy herë amerikanin, i cili në fund vendosi të dorëzohet.

Kjo është hera e dytë që Muriqi e mposhti amerikanin, ndaj të cilit boksier ‘Kosova Kid’ pati fituar edhe para gjashtë vjetësh. Muriqi ka dominuar në ring që nga fillimi i meçit, derisa në rundin e tretë gjithçka përfundoi në favor të shqiptarit me nënshtetësi amerikane.

“Meçi ishte i fortë, por unë dominova plotësisht. Ia dola ta rrëzoj dy herë kundërshtarin dhe në fund u dorëzua. Un kam qenë i ftuar nga Taylor për ta zhvilluar këtë meç, dhe kjo do të më ndihmojë për ta mbajtur lart formën time”, deklaroi Muriqi për Express.

Me këtë fitore, Muriqi do të rikthehet në ‘Top 15’ të të gjitha versioneve botërore. Ky ishte meçi parë për Muriqin pas rreth gjashtë muajsh, kur ai pati fituar në Prishtinë ndaj boksierit rus, Garaschenko.

‘Kosova Kid’ tregoi se meçin e radhës do ta zhvillojë në muajin dhjetor, ndaj një boksieri shumë të fortë.

“Në muajin dhjetor do të boksoj ndaj një boksieri shumë të fortë. Ajo luftë do të jetë shumë e madhe. Nuk mund ta bëj publik emrin e atij boksieri, sepse ende nuk është nënshkruar kontrata, prandaj e kam të ndaluar. Pak para se ta nënshkruajmë kontratën, do të vendosim edhe për datën e saktë”, pohoi ai.

Ai është i bindur se do të fitojë në atë duel, i cili do të jetë shumë i rëndësishëm për të ardhmen e Muriqit. “Luftën që e fitova ndaj Taylor do të më ndihmojë shumë për ta mbajtur formën. Unë po stërvitem vazhdimisht, ndërsa tash do të filloj me stërvitje intensive. Jam i bindur se në meçin e dhjetorit do të fitoj, normalisht nëse gjyqtarët e ndajnë ashtu siç duhet drejtësinë”, përfundoi kosovari.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *