Home / Sport / “Real ‘galaktik’? Jo, qesharak”

“Real ‘galaktik’? Jo, qesharak”

Shtypi spanjoll ka qenë shumë i ashpër në kritikat për Realin e Madridit, pas humbjes së turpshme dje ndaj Alkorkonit, që militon në kategorinë e tretë.

4-0 përfundoi takimi i vlefshëm për fazën e 1/16-ve për Kupën e Mbretit në Spanjë, një rezultat i pabesueshëm, por i vërtetë. Merengesit kishin mungesat e disa prej yjeve të ekipit, por megjithatë në fushë zbritën edhe lojtarë të nivelit të lartë, si Raul, Benzema, Granero, Guti dhe Van der Vart. Gjithçka u vendos që në 52 minutat e para të ndeshjes dhe kaq mjaftoi që shtypi spanjoll të “kryqëzojë” Realin. “Qesharakët e shekullit” – ky ishte titulli kryesor i të përditshmes sportive në Spanjë, “As”.

Gazeta kryeqytetase, e cila gjithmonë ka qëndruar pranë ekipit, përdor fjalë të ashpra për të përcaktuar disfatën e “mbretërve”. “Një nga paraqitjet më të dobëta dhe më të padenja në gjithë historinë e klubit, që e bën Manuel Pelegrinin të notojë në ujëra të turbullt. Si trajneri ashtu edhe lojtarët – shkruan “As” – nuk kanë me se të justifikohen, sepse në fushë nuk luajti skuadra e dytë. Ka hapësirë vetëm për të përgëzuar Alkorkonin, që u tregua i mrekullueshëm”.

Edhe”Marca”, e përditshmja tjetër e Madridit, flet me gjuhë të ashpër për një “fatkeqësi të bardhë” dhe titulli kryesor ishte: “Shkëlqimi i qesharakëve”. Disi më e matur, edhe pse kritike, e përditshmja katalanase “El Mundo Deportivo”, titulli kryesor i të cilës ishte: “Të turpëruar”. Gjithashtu, kjo gazetë hedh pyetjen nëse Pelegrini mund të arrijë të sjellë në “Bernabeu” trofetë e munguar.

Kështu, pozicioni i trajnerit uruguaian në krye të pankinës së Realit po fillon të tronditet, tronditje që filloi që me humbjen në shtëpi përballë Milanit në Ligën e Kampionëve, vazhdoi me barazimin pa gola në fushën e Sporting Gijonit në kampionat dhe së fundi me këtë humbje qesharake në Kupë. “Është një turp – tha Pelegrini menjëherë pas ndeshjes – por nuk kam ndërmend të jap dorëheqjen, as sot, as nesër, as ndonjëherë. Kurrë. Kjo që ndodhi nuk ka justifikime, një paraqitje e tillë është e pashpjegueshme. Megjithatë, gjithçka e ka një zgjidhje”.

Ndërkohë, drejtori teknik, Horge Valdano dhe kapiteni Raul, kanë përdorur një fjalë të vetme: ndjesë. “U kërkojmë falje të gjithë tifozëve të ekipit”, u shpreh Valdano, ndërkohë që sulmuesi spanjoll vlerësoi kundërshtarin: “Na dhanë një leksion turpërues”.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *