Home / Sport / Real–Milan, “mbretërit” e Europës përplasen mes tyre

Real–Milan, “mbretërit” e Europës përplasen mes tyre

Në “Santiago Bernabeu” sot në mbrëmje do të përballen skuadrat që e kanë fituar më shumë trofenë e Ligës së Kampionëve, Reali dhe Milani.

Plot 16 kupa të ngritura nga këto dy ekipe (9 Reali dhe 7 Milani) do të “zbresin” të tapetin e mitikut “Bernabeu”, në një ndeshje që premton emocione dhe spektakël të garantuar. Megjithëse “Galaktikët” shihen si më të favorizuar në këtë ndeshje, kur bëhet fjalë për kompeticionin në arenën europiane, gjithçka mund të pritet.

Megjithëse pa yllin Kristiano Ronaldo, që vazhdon të vuajë nga dëmtimi, madrilenët do kërkojnë patjetër tri pikët, për të mbyllur një herë e mirë llogaritë në grupin C. Në dy ndeshjet e mëparshme spanjollët kanë marrë dy fitore bindëse, 5-2 kundër Zyrihut dhe 3-0 përballë Olimpik Marsejës.

Ish-mesfushori brazilian i Milanit, Kaka, i cili pas transferimit tek “Mbretërit” gjatë merkatos së verës, mban veshur fanellën e Realit, do të luajë për herë të parë kundër skuadrës ku për gjashtë vjet fitoi gjithçka. “Dua ta eliminoj Milanin” – deklaroi dje Kaka.

Nga ana tjetër, pas rikthimit te fitorja në kampionat (2-1 të dielën ndaj Romës), Milani do të kërkojë të bëjë të njëjtën gjë edhe në Ligën e Kampionëve. Kuqezinjtë vijnë në këtë ndeshje pas disfatës përballë Zyrihut 1-0 në “San Siro” dhe do përpiqen të marrin maksimumin nga 90 minutat në tokën spanjolle.

Trajneri Leonardo do të hedhë në fushë formacionin në formën e pemës së Krishtlindjes, me Inzagin si sulmues të vetëm dhe prapa tij dyshja Pato-Ronaldinjo. Në mesfushë do të luajë Pirlo dhe Ambrozini. I vetmi që është në dyshim është Sedorf, që mund të zëvendësohet nga Flamini.

Numri një i pankinës kuqezi është shprehur se ka besim në një rezultat pozitiv në ndeshjen e sotme, duke theksuar se “aroma” europiane është ajo e duhura për Milanin.

Real Madrid – Milan, formacionet e mundshme:

Real Madrid 4-2-3-1: Kasiljas; S.Ramos, Pepe, Albiol, Marselo; Diarra, Alonso; Higuain, Kaka, Raul; Benzema. Trajner: M. Pelegrini

Milan 4-3-2-1: Dida; Zambrota, Nesta, T.Silva, Jankulovski; Ambrozini, Pirlo, Sedorf/Flamini; Pato, Ronaldinjo; Inzagi. Trajner: Leonardo

Gjyqtar: F. De Bleker (Belgjikë)

Gjithashtu lexo

City: 300 mln euro për Messi-n – (VIDEO)

Klubi anglez, Mançester Sity është i gatshëm të bëjë çmendurinë e radhës në tregun e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *