Home / Sport / Rrëfehet Tajson: Tani mendoj vetëm për fëmijët e mi

Rrëfehet Tajson: Tani mendoj vetëm për fëmijët e mi

Ish-kampioni i botës në peshat e rënda, Majk Tajson, rrëfen anën e tij njerëzore në një intervistë për emisionin e Oprah Uinfreit.

“Kur isha fëmijë kisha kompleksin e inferioritetit, sepse isha shumë i shëndoshë dhe të gjithë talleshin me mua. Një ditë, njëri prej djemve të lagjes i preu kokën një zogu që po e rrisja dhe ma vuri para fytyrës. Unë fillova ta thërras mamanë për t’i kërkuar ndihmë, por dikush më tha që duhej të përballesha vetë me këtë. E bëra një gjë të tillë dhe prej asaj kohe nuk kam mundur t’i shmangem përleshjeve”, tha 43-vjeçari.

Kur ishte 16 vjeç, kohë kur i vdiq e ëma, për të filloi të kujdesej trjneri Kus D’Amato: “Bëja çdo gjë që më thoshte ai dhe fillova të fitoj ndeshjet njëra pas tjetrës, derisa u shpalla kampion bote në peshat e rënda. Stërvitesha duke besuar se isha Zoti dhe Kus më mësoi të isha i fortë si brenda, ashtu edhe jashtë ringut dhe të mos kisha dhembshuri për askënd”.

Më tej, “Iron Mike” flet edhe për tre vitet që i kaloi në burg. “Ai nuk ishte vend për mua. Nuk e dija më kush isha, aty është një vend që nuk ka kurrfarë kufiri. Jo vetëm që nuk je më i lirë, por humbet edhe moralin. Humbet edhe besimin, sepse gjithçka që ndien në atë vend është urrejtja”, shtoi ish-kampioni i botës.

Menjëherë pas daljes nga qelia, Tajson iu rikthye ringut: “Por nuk isha gati për këtë, sepse isha i mbushur me inat dhe urrejtje”. Inat, që ai e nxorri kundër Evander Holifildit në ndeshjen e vitit 1997, të cilit ia kafshoi dy herë veshin.

“Isha i nxehur sepse po më mundte dhe doja t’i shkaktoja sa më tepër dhimbje që të ishte e mundur. Atëherë nuk ndihesha fajtor për atë veprim. Kërkova falje, por nuk ishin të sinqerta. Kurse tani janë të tilla”, tha boksieri në vijim të rrëfimit të tij.

Pas skualifikimit për ngjarjen me Holifildin, për Tajsonin filluan edhe problemet financiare, të cilat e shtynë t’i futej drogës. Ai arriti deri në atë pikë sa mendonte se nëse nuk i rregullonte gjërat me të shoqen, atëherë do të merrte fund. “Por tani nuk dua të eci më në atë rrugë, pasi e di fare mirë se çfarë do të thotë të ecësh në një rrugë të errët, të takosh djallin dhe të shoqërohesh me të për ca kohë”.

Më 27 maj 2009, Eksodus, vajza 4-vjeçare e Majkut humbi jetën në një aksident tragjik. “Nuk e di akoma se çfarë ka ndodhur saktësisht dhe nuk dua ta di, sepse nëse dikush është përgjegjës për atë që ndodhi, ky do të ishte një problem. Mund ta kisha kaluar këtë gjë me urrejtje dhe inat, por për fat të mirë zbatova mësimet e marra gjatë periudhës së rehabilitimit nga droga, duke e hedhur tej zemërimin dhe duke bërë gjërat që vërtet duhet të bëheshin”, shtoi Majk Tajson gjatë intervistës së tij për Oprah Uinfrei.

Ai theksoi se gruaja dhe fëmijët janë ata që po e mbajnë në rugë të drejtë: “Jam i lumtur që kam një grua që ndan jetën me mua dhe që kupton se përparësia ime janë fëmijët”.

Në pjesën e fundit të emisionit, Tajson u shpreh: “Jam 43 vjeç dhe kam arritur në një pikë ku jam lodhur duke qenë vetëm. Fatmirësisht kam gruan që më ndihmon dhe me të cilën po rris 7 fëmijët e mi, duke u përpjekur t’u jap një jetë sa më të mirë”.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *