Home / Sport / Shpresa e Novaras

Shpresa e Novaras

Samir Ujkani po kalon formë të shkëlqyeshme te Novara. Paraqitjet e mira të 21 vjeçarit, i ka vlerësuar edhe trajneri i klubit nga Serie C, Attilio Tesser. Gjatë dhjetë ndeshjeve të zhvilluara, skuadra italiane, me portierin kosovar në portë, ka pësuar vetëm 6 gola.

Samir Ujkani e ka bërë zgjedhjen e duhur gjatë verës, duke lënë klubin nga Serie A, Palermon, ku ishte portieri i dytë, për t’u transferuar tek Novara (Serie C), ku po luan rregullisht.

Portieri kosovar, prej se është transferuar tek klubi nga Serie C italiane, po shfaq paraqitje të shkëlqyeshme, të cilat ia kanë mundësuar që të bëhet edhe portieri i parë i Kombëtares shqiptare.

Ekipi i Novaras, i udhëhequr nga Ujkani në portë, ka shënuar 7 fitore dhe ka barazuar 3 herë, pa pësuar humbje, duke realizuar 17 gola, e pësuar vetëm 6 sish.

Paraqitjet e tij të mira nuk kanë lënë pa u përmendur nga trajneri i Novaras, Attilio Tesser. Ky i fundit e konsideron ish portierin e skuadrës belge, Anderlecht si portier me perspektivë.

“Ujkani po luan mirë në Kombëtaren e tij. Ai ka përkrah Fontanas dhe përgatitësin e portierëve. Ndërmjet këtyre të treve është krijuar një ndjenjë pozitive, shpresojmë që të vazhdojë kështu”, u shpreh Tesser për uebfaqen italiane Mediterraneonline.it.

Portieri me prejardhje nga Vushtrria, mbetet pronë e Palermos, ku ka mundësi të rikthehet gjatë verës së ardhshme.
“Samiri është një djalosh me perspektivë. Vitin e ardhshëm do të rikthehet sigurisht tek Palermo, e më pas klubi Rosanero do t’i bëjë vlerësimet e veta dhe do të vendosë nëse do ta mbajë apo jo, sepse ka dy portierë të mirë”, vazhdoi Tesser.

Trajneri i Novaras i ka treguar edhe arsyet se pse Novara vendosi ta merrte Ujkanin, dhe ta dërgonte portierin Brichetto në Palermo, i cili aktualisht është portier i tretë tek klubi sicilian.

“Kur e pata parë për herë të parë, e pashë që ishte portier i mirë. Më pas, edhe drejtori i klubit, që po kërkonte një portier të ri, e njihte Samirin dhe gjërat shkuan lehtë. Kurse, për Brichetton, mundësia për të mbrojtur në Serie A është e rëndësishme. Atij i është vazhduar kontrata me Novaran dhe në të ardhmen mund të rikthehet”, përfundoi trajneri Tesser.

Bashkë me Ujkanin, tek Novara paraqitet edhe mesfushori kosovar, Rijat Shala. Pas nëntë xhirosh të zhvilluara në ligën e tretë italiane, Novara zë pozitën e dytë në tabelë me 21 pikë të tubuara, një më pak se kryesuesi Cremonese.

Gjithashtu lexo

Shikoni çfarë ka bërë Barcelona pas sulmit terrorist (FOTO)

Klubi i Barcelonës ka reaguar pas sulmit terrorist në Barcelonë. Katalunasit e kanë bërë një …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *