Home / Lajme / Rajon / Si vepron agjentura serbe në Kosovë

Si vepron agjentura serbe në Kosovë

23/10/2009
institucionet e Kosovës duhet të bëjnë trysni te bashkësia ndërkombëtare për ndërprerjen e gjithanshme të veprimtarisë së strukturave paralele serbe në Kosovë, të cilat si të tilla po shkaktojnë pengesa tepër të mëdha në zhvillimin e vendit dhe paraqesin rrezik të përhershëm për destabilizimin e vendit. Përderisa në Beograd nuk ka ndryshuar fare mentaliteti që nga koha e Millosheviqit dhe është në rritje disponimi nazist serbomadh, gjë që e tregojnë ngjarjet e fundit të zhvilluara në Beograd, rrahjet dhe keqtrajtimet deri të vdekje të të huajve, siç ndodhi me tifozin francez; përderisa Serbia hapë “fabrika” për prodhim çetnikësh në Bosnjë (kujto shkollat çetnike që do të nxjerrin nga 10 mijë çetnikë brenda vitit) dhe ofrojnë publikisht miliona dollarë për kokën e këtij apo atij personi, bashkësia ndërkombëtare duhet të trajtojë me kujdes të shtuar lëshimet politike që po i bën Serbisë, sepse dikur mund të jetë vonë.

Nga Faton Mehmetaj

Fillimisht dua të theksoj se ky shkrim ka për qëllim sensibilizimin e opinionit të brendshëm, atij të jashtëm dhe minoritetit serb, që të mos bien pre e trysnisë së Beogradit dhe mekanizmave të shërbimeve sekrete serbe, të cilët, pjesëtarët e minoritetit serb në Kosovë, po i përdorin për t’i arritur qëllimet e veta, duke i futur edhe vet ata në një rrugë pa dalje. Është koha e integrimeve dhe jo e urrejtjes ndaj etnive tjera. Minoriteti serb në Kosovë ka favore të mëdha, që si të tilla nuk i ka asnjë minoritet në asnjë shtet të botës. Por, duke qenë gjithnjë të instrumentalizuar nga Beogradi, këto të drejta i kanë keqpërdorur. Toleranca e tepruar secilën ditë po vjen duke u zvogëluar për të gjithë ata që nuk i respektojnë ligjet dhe bien ndesh me rregullat e caktuara të shtetit. Megjithatë, të gjithë qytetarët pa dallim etnie duhet të jenë të barabartë para ligjit, si për privilegje ashtu edhe për përgjegjësi, sepse ka filluar të ndjehet haptazi se tolerimet e veprimeve diferencuese, qoftë ky edhe “diskriminim pozitiv” i aplikuar vetëm ndaj minoritetit serb në Kosovë deri në pakufi, janë brengat kryesore të sigurisë pas fazës fillestare të pavarësisë.

Lidhur me këtë, nga tolerimet dhe respektimi deri në përulje i palës serbe, mund të ndodhin keqkuptime në kampin tjetër – te pala shumicë shqiptare, por edhe te pakicat tjera etnike që jetojnë në Kosovë. Pakënaqësia e shqiptarëve, popullsisë me shumicë dërmuese të Kosovës, bazohet në mungesën e deklarimit eksplicit të shtetit nacional shqiptar. Përderisa elementi serb i Kosovës nuk integrohet natyrshëm në institucionet dhe në jetën shoqërore të vendit, por vazhdon të jetë element i instrumentalizuar në duart e Beogradit, i cili në vazhdimësi po i përdorë kundër Kosovës, padyshim se kërcënimet për mjedisin e sigurisë do të jenë evidente. Prandaj, është domosdoshmëri që institucionet vendore të Republikës së Kosovës, e veçanërisht ato ndërkombëtare, të ndërmarrin masa për zgjidhjen e kësaj çështjeje tejet të dëmshme jo vetëm për Kosovën por edhe më gjerë.

Sepse, tolerimi deri në paskajshmëri ndaj minoritetit serb në Kosovë, ka shkaktuar përkeqësim të disponimit si te pjesëtarët e komunitetit me shumicë shqiptare, por edhe në mesin e komuniteteve tjera pakicë. Për hir të minoritetit serb, i cili përkundër të gjithave refuzon të njohë shtetin e Kosovës në të cilin jeton dhe në shumicën e rasteve ushtron pushtet paralel në vend, ka bërë që popullsia shumicë e Kosovës, të jetojë në kushte të “getos” artificiale.

Të gjithë njerëzit lindin të lirë dhe të barabartë në dinjitet dhe në të drejta. Ata kanë arsye dhe ndërgjegje dhe duhet të sillen ndaj njëri-tjetrit me frymë vëllazërimi, e kjo minoritetit serb po i mungon në sjelljet e përditshme. Ata kanë krijuar sisteme paralele të sigurisë dhe pushtetit, të cilat vazhdojnë të jenë aktuale edhe gati dy vjet pas shpalljes së pavarësisë.

Tashmë dihet se skenarët dhe planet operative të provokimit të situatave të sigurisë në Kosovë janë hartuar në Beograd qysh para shpalljes së pavarësisë, si plane rezervë (nëse ndodh), me qëllim të destabilizimit të brendshëm të Kosovës dhe me qëllim të krijimit të një situate e cila do të ishte e vështirë për t’u menaxhuar nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë. Për t’i koordinuar veprimet në të gjitha fushat kundër shtetit të Kosovës, qeveria e Serbisë, kishte hapur zyrat e të ashtuquajturës “Ministri për Kosovë dhe Metohi”, në veri dhe në perëndim të Kosovës, pastaj formoi të ashtuquajturën “Qendër Koordinuese për Kosovë”, caktoi udhëheqësit “e qarkut”, “Kuvendin e Bashkësisë së Komunave të Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë” me “qëllim të shtrirjes së mandatit institucional” (të Serbisë) në territorin e Kosovës, duke pasur synim kryesor pengimin (paralizimin) e funksionimit të institucioneve legjitime të Kosovës.

Siç do të shihet edhe më poshtë në këtë punim, forcat paramilitare serbe i shfrytëzojnë edhe format “legale” të organizimit. Mekanizmi i lartcekur, i formuar dhe i ndikuar politikisht nga Serbia, i financuar dhe i mbështetur edhe me teknikë luftarake, po tenton edhe më tutje ta paraqet praninë e Serbisë në Kosovë.

Këtë prani, Serbia po përpiqet ta paraqesë nëpërmjet strukturave paralele serbe brenda Kosovës. Shumëkush në Kosovë praninë e strukturave paralele serbe, e sheh si një lloj pranie të Serbisë në disa pjesë të Kosovës, sepse këto struktura ndërlidhen direkt me shtetin serb, prandaj kanë arsye të frikësohen për ndikimin e Serbisë në Kosovë. Vet UNMIK-u, nëpërmjet Rezolutës 1244, i ka konsideruar këto struktura të Serbisë si ilegale, por në të njëjtën kohë UNMIK-u gjithnjë e ka toleruar ekzistencën dhe veprimtarinë e pranisë institucionale të Serbisë brenda vendit tonë. Serbia, nëpërmjet mekanizmave të saj, e ka futur në veprim vijën vertikale të ndikimit.

P.sh: një numër i pjesëtarëve të SHPK-së (Shërbimit Policor të Kosovës) janë suspenduar, siç thuhet, “për shkak të biografisë së tyre”, apo “fshehjes” së ndonjë pjese të biografisë. Aplikimi i masave të tilla ndëshkuese nuk ka ndodhur për pjesëtarët serbë të SHPK-së, ish-policët, udbashët, militarët e paramilitarët – pjesëmarrës në krime lufte e gjenocid mbi shqiptarët. Ky fakt vlen vetëm për suspendimin dhe largimin e ish-pjesëtarëve të UÇK-së. Nuk vlen as për ata që e vazhduan punën në policinë serbe edhe pas bojkotimit masiv të pushtetit okupues serb që ia bëri populli i Kosovës, megjithëse disa prej tyre e vazhduan aktivitetin në kuadër të aparatit shtetëror serb të Millosheviqit deri në mbarim të luftës në Kosovë. Në këtë rast bëhet fjalë edhe për një grup të vogël të shqiptarëve që ishin pjesë e atyre strukturave. Disa sish e kanë vazhduar aktivitetin e tyre edhe pas luftës, siç është rasti me Osman Musën, i cili siç dihet në Shërbimin Policor të Kosovës kishte pozitë kyçe dhe ishte i autorizuar për rekrutim, sistematizim dhe gradim të pjesëtarëve të SHPK-së.

Kapiteni Osman Musa (1961), shef i Njësitit për Standarde në SHPK, më 15 prill 2005, pa asnjë paralajmërim ishte larguar nga Kosova, duke kërkuar azil politik në Londër, ku ka pranuar se ka qenë agjent i shërbimit sekret serb (BIA). Musa, është larguar për shkak se ka dërguar dokumente dhe dosje të SHPK-së në Agjencinë Informative dhe të Sigurisë së Serbisë – BIA. Kurse për pranimin e serbëve në SHPK, pothuajse asnjëherë nuk janë kontrolluar listat se kush janë, as nuk iu është verifikuar biografia. Në një mënyrë ka pasur amnistim të vazhdueshëm të kriminelëve serbë, të cilët kanë kandiduar në SHPK dhe janë bërë pjesëtarë të saj.

P.sh., ish-polici serb Boban, i cili kishte kaluar në SHPK, në rajonin e Prishtinës, ishte i njohur si kriminel i luftës bashkë me Novicën, ish-komandant i burgut dhe inspektorët e atëhershëm serbë Momqillën, Qanoviqin dhe Bjeliqin si dhe drejtorin gjeneral të burgut të Prishtinës, Lubo Qumburoviq. Të lartpërmendurit, sipas dëshmitarëve okularë, kishin marrë pjesë në keqtrajtimin dhe vrasjen e shqiptarëve. Vetëm në një konkurs (të shpallur në qershor 2006), për pranimin e pjesëtarëve të MUP-it serb në SHPK, kanë konkurruar 466 ish-policë të MUP-it serb. Askush nuk e garantoi popullin e Kosovës se ndonjëri nga ta është i përzier në krimet e luftës së fundit në Kosovë. Nuk mundi të garantojë as komisionari i atëhershëm i policisë, Kai Vittrup.

Pos në polici, një numër i tyre mbajnë uniformat e kompanive të sigurimit privat, të licencuar në Kosovë. Ka edhe të tillë që mbajnë uniforma të policisë serbe, mbrojtjes civile etj. Një pjesë e qytetarëve serbë, nën ndikimin e propagandës së Beogradit, e konsiderojnë ndarjen e Kosovës si punë të kryer, prandaj ata edhe besojnë se së bashku me njësitet e xhandarmërisë serbe dhe strukturat tjera, do të vendosen në urë dhe do ta “mbrojnë” kufirin e ri te ura.

Mentalitete të tilla ishin shfaqur edhe gjatë vitit 1990, ku në raportet zyrtare të Perëndimit konstatohej se Serbia funksiononte vetëm si një shtet militarist, pa ekonomi dhe pa industri civile. Ky konkluzion mbështetej në faktin se vetëm buxheti zyrtar shtetëror i Serbisë në masën 97 për qind i kushtohej makinerisë së luftës, 3 për qind aparatit nëpunës shtetëror, ndërsa ekonomia, kultura, shëndetësia nuk figuronin në atë buxhet. Konceptet e egërsisë dhe kërcënimit ndaj të tjerëve, Serbia i bën në emër të shtetit të pademilitarizuar dhe të përkrahjes së Rusisë dhe aleatëve të saj, që ka qenë dhe mbeten inspirim për t’i sfiduar të tjerët.

Sipas të dhënave tashmë të ditura, policia e UNMIK-ut i ka raportuar policisë së Serbisë (MUP) edhe për detaje. Raportet kanë qenë mujore por edhe përmbledhëse çdo gjashtë muaj. Kryesisht, policia e Serbisë është furnizuar me informacione që kanë pasë të bëjnë me strukturat e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në bazë të këtyre informacioneve janë ngritur qindra aktakuza kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së. Serbia ka pasë aq informacione të përimtuara, duke i përfshirë edhe gjobat e shqiptuara në komunikacion ndaj personave të caktuar. Se a ka qenë marrëveshje mes UNMIK-ut dhe Serbisë për t’ia dhënë policisë së Serbisë të gjitha informacionet që i ka poseduar UNMIK-u, mbetet të vërtetohet në të ardhmen.

Ka dyshime të bazuara se edhe gradimi i disa pjesëtarëve të SHPK-së, është bërë jo në bazë të meritave të punës, por sipas përzgjedhjeve tjera. Krahas kësaj, thuhet se shërbimi sekret serb e ka dërguar në UNMIK një “listë” me emrat e kandidatëve me prioritet në gradime. Mbase kjo “listë” nuk është zbatuar me përpikëri, por ndikimi i preferencave të saj është parë haptas. Nëpërmjet ndikimit të UNMIK-ut dhe sugjerimeve të ndryshme janë sistemuar në SHPK, pa ndonjë pengesë strukturat e ish-MUP-it serb (këtu hyjnë ish-policë, ish-pjesëtarë të UDB-së e të sigurimit, por edhe zyrtarë të tjerë të administratës së atëhershme të Sekretariateve të Punëve të Brendshme), policë të MUP-it serb, të cilët kanë qenë të uniformuar gjatë luftës së fundit, që në fakt e përbëjnë numrin më të madh të pjesëtarëve të SHPK-së, apo të atyre që janë në pozitat kyçe. Pjesëtarët e minoriteteve kanë qenë kurdoherë të privilegjuar si në konkurse për pranim në SHPK, po ashtu edhe në ngritje profesionale apo përparime gradash. Shpesh herë ata i kanë shkelur ligjet dhe nuk i kanë respektuar ato, por, siç dihet, janë bërë tolerime për shkak të natyrës specifike që kanë pasur në kuadër të SHPK-së.

Flitet nëpër mediume, analiza, komente por ka edhe mendime se zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq, mund të mos jetë duke iu nënshtruar urdhrave të Drejtorit të Policisë.

Edhe pse zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq, e ka përgënjeshtruar faktin se i përgjigjet policisë serbe dhe EULEX-it, koncepti i qeverisë së Beogradit se zëvendësdrejtori serb i Policisë së Kosovës do t’i raportojë vetëm EULEX-it dhe Serbisë disi po merr konotacione të një koncepti normal të funksionimit të kësaj ideje, e cila, sipas tyre, është në funksion të implementimit të gjashtëpikëshit në Kosovë. Ky fakt deklarativisht është mohuar edhe nga zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, por mbetet të shihet se çka po ndodh me të vërtetë me këto situata konfuze që janë krijuar.

Në këtë kontest, janë bërë qindra shkrime dhe analiza rreth protokollit për bashkëpunim policor, brenda së cilit, parashihet një marrëveshje e policisë së Kosovës me atë të Serbisë, i vënë në jetë nëpërmjet protokollit EULEX-Serbi, pastaj parashihet edhe fuqizimi i protokolleve tjera për dogana dhe drejtësi, gjë që Serbisë do t’i krijonte një hapësirë të favorshme për kontroll të policisë, doganave dhe kufirit.

Pos kësaj, Ligji për policinë, neni 38 i kreut IV, e parasheh saktësisht se policia duhet të ketë vetëm një drejtor, një zëvendësdrejtor (e jo dy të tillë) dhe katër ndihmës të drejtorit të policisë, pa u specifikuar kombësia e zëvendësdrejtorit. Një pjesë e madhe e policëve serbë që janë të punësuar si pjesëtarë të Policisë së Kosovës nuk e respektojnë këtë rregull. Te policët serbë që punojnë në kuadër të Policisë së Kosovës ka disa ndasi dhe mospërfillje ndaj institucioneve të Kosovës, zbatimit të ligjit dhe të ligjeve kushtetuese të Republikës së Kosovës. Policëve serbë të angazhuar në Policinë e Kosovës (PK) edhe më tutje u mungon ky vullnet.

Siç dihet, në ditët e para pas shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, qëndrimi zyrtar i Qeverisë së Serbisë ka qenë se në Kosovë mund të qëndrojnë UNMIK-u dhe KFOR-i, sepse këto dy misione, janë të autorizuara me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përderisa misionet e tjera çfarë janë EULEX-i (misioni i BE-së për forcimin e rendit dhe ligjit), apo ICO (Zyra Civile Ndërkombëtare), janë ilegale në Kosovë dhe, si të tilla, nuk kanë çfarë kërkojnë, veçmas në rajonet e banuara me serbë. Përfaqësuesit e komunitetit serb në polici, siç u tha, i kanë kundërshtuar vendimet që ka marrë Qeveria e Kosovës. Ata ende mendojnë se Qeveria e Serbisë është ajo që duhet të vendosë brenda territorit të Kosovës.

Imponimi për ta lejuar UNMIK-un të qëndrojë në disa pjesë të Kosovës (të banuara me serbë) dhe vendosjen e EULEX-it në pjesët tjera (të banuara me shqiptarë), por në cilësinë e “mision neutral” që nuk e njeh Kosovën si vend të pavarur, paraqet një kundërshtim të haptë në raport me ligjet dhe rregullat në fuqi të shtetit të Kosovës.

Në shtator të vitit 2008, flitej dhe diskutohej për një marrëveshje ndërmjet UNMIK-ut dhe Qeverisë së Serbisë, brenda të cilës përfshihej edhe ndarja e policisë dhe krijimi i dy komandave të veçanta. (Është koha kur bisedohej për gjashtëpikëshin). Në marrëveshjen gjashtëpikëshe të OKB-së, e hartuar ekskluzivisht sipas kërkesave të Serbisë, në mesin e gjashtë pikave, Serbia kishte paraparë kontroll mbi doganat, drejtësinë, kufijtë, transportin, trashëgiminë kulturore, duke përfshirë këtu edhe policinë. Një marrëveshje e tillë, në rastin konkret, protokolli për bashkëpunim policor EULEX-Serbi, u nënshkrua në shtator të këtij viti, edhe përkundër kundërshtimeve të palës kosovare. Sipas kësaj marrëveshje, që kur fillon zbatimi i saj, priten të hapen edhe shumë nënstacione policore në vendbanimet me shumicë serbe, të cilët do t’u japin llogari zyrtarëve të lartë ndërkombëtarë. Ky plan sqaron më tutje se edhe emërimet dhe shkarkimet e pjesëtarëve serbë të policisë duhet të bëhen nga eprorët ndërkombëtarë, duke përfshirë këtu edhe raportin që duhet t’u bëhet zyrtarëve ndërkombëtarë. Proceset e tilla e komplikojnë shumë funksionimin e forcave të rendit duke përfshirë këtu edhe cenimin e sigurisë së qytetarëve.

Dihet botërisht se një pjesë e madhe e policëve serbë nuk i përgjigjen zinxhirit komandues të Policisë së Kosovës. Ata, siç dihet, u larguan masovikisht në shenjë proteste pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, duke marrë pjesë edhe në djegien e pikave doganore në dy portat kufitare 1 dhe 31 në veri të Kosovës, dhe në trazirat e organizuara më 17 mars 2008, ku u vra një polic i UNMIK-ut, ndërsa u plagosën dhjetëra policë të tjerë ndërkombëtarë dhe ushtarë të KFOR-it. Një pjesë e policëve të komunitetit serb ishin pjesëmarrës në këto përleshje. Veçanërisht, rezervistët e ushtrisë dhe të policisë serbe ishin ata që e shkaktuan problemin në Mitrovicë, gjegjësisht në gjykata dhe dogana, si dhe i sulmuan dhe dogjën ambasadat e huaja në Serbi, pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Për shkaqe subjektive, e gjithë dosja e 17 marsit të vitit 2008 do të mbetet e mbyllur deri në një kohë kur OKB-ja e sheh të udhës të kërkojë t’i ndjekë penalisht personat e përfshirë në sulm ndaj paqeruajtësve në Kosovë. Duhet cekur se ish-komisari i policisë, Larry Willson, ishte larguar pikërisht për shkak të mospajtimeve, në lidhje me urdhrin që është dhënë më 17 mars për ta marrë gjykatën nën kontroll. Lidhur me këtë, Policia e Kosovës kishte ngritur kallëzim penal kundër 21 serbëve, shumica zyrtarë institucionesh në Kosovë, pasi ishin gjetur të kenë qenë të përfshirë në djegien e portave 1 dhe 31 në Jarinje të Leposaviqit dhe në Banjë të Zubin-Potokut, në mesditën e 19 shkurtit 2008.

Sipas opinioneve të hapëta, një pjesë e pjesëmarrësve që kanë qenë të përfshirë në djegien e portave 1 dhe 31 kanë qenë me maska, disa të tjerë me kapela që kanë menduar të kamuflohen. Pas djegies dhe shkatërrimit të dy pikave kufitare në kufirin Kosovë-Serbi, në Jarinje (Leposaviq) dhe Banjë (Zubin Potok), më 19 shkurt 2008, komandantët e stacioneve policore në Zubin Potok dhe në Leposaviq, togerët Drazha Bozhoviq e Dragan Stefanoviq, janë deklaruar se janë komandantë edhe të policëve serbë të SHPK-së në dy pikat kufitare, edhe pse kufijtë janë në kompetencë të Policisë Kufitare e jo të Policisë së Rendit Publik.

Strukturat paralele serbe në veriun e Kosovës, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, u përforcuan edhe me një mijë (1 000) pjesëtarë të MUP-it serb, të ardhur nga Serbia, të cilët morën pjesë edhe në djegien e dy pikave kufitare, duke u futur në brendi të Kosovës dhe duke u shpërndarë për veprim kryesisht nëpër enklavat serbe, për të vepruar konform planit sekret të Qeverisë së Serbisë, të shifruar “ AKSIONI ”.

Sipas burimeve zyrtare serbe, bojkotimi i organizuar i policëve serbë të SHPK-së, është në përputhje të plotë me porositë e planit sekret “Aksioni” të Qeverisë së Serbisë. Ministri për Infrastrukturë i Qeverisë së Serbisë, Velimir Iliq, u ka deklaruar medieve serbe se “ne do të kemi policinë tonë lokale në hapësirat serbe dhe se veprimi i policëve serbë është pjesë e planit aksionar”.

Që nga shpallja e pavarësisë së vendit, shërbimet sekrete serbe, në shumë pjesë të Kosovës, kanë aktivizuar edhe strukturën e “spiunëve të fjetur”.

Gjatë trazirave në veriun e Mitrovicës, në pjesë të ndryshme të Kosovës, janë vërejtur edhe pjesëtarë të Njësisë Speciale për Veprime Antiterroriste (SAJ) të Serbisë, sidomos nëpër enklava. Pjesëtarët e kësaj njësie kanë qenë të përqendruar edhe në Kosovën Lindore (Luginën e Preshevës), në pjesën e kufirit me Kosovën dhe me Maqedoninë. Eprorët e këtij formacioni kanë pasë kontakte të vazhdueshme me të ashtuquajturat “Shtabe të Mbrojtjes Territoriale”, përkatësisht “Shtabe të Krizës” në enklavat serbe, të cilat në shumicën e rasteve përbëhen nga rezervistë të UJ-së (ushtrisë jugosllave) dhe pjesëtarë të JSO-së (njësive për operacione speciale). Disa prej tyre operojnë në kuadër të të ashtuquajturës “Garda e Car Llazarit”, e cila i ka celulat e veta në disa pjesë të Kosovës, siç është thënë edhe në disa komunikata të kësaj organizate. Vlen të ceket se “Garda e Car Llazarit”, organizatat tjera ilegale paraushtarake serbe, pastaj ndikimi i politikës serbe dhe cytja e këtyre strukturave drejt Kosovës si dhe bojkotimi i punës nga radhët e policëve të minoritetit serb në SHPK, e kanë mbajtur gjendjen në vend nën tensione të vazhdueshme, duke shkaktuar kriza të sigurisë së brendshme, të cilat gjithherë e kanë provokuar gjendjen për ta quar drejt destabilitetit të përmasave të mëdha, siç ishte kriza e marsit 2004. Instancat ndërkombëtare, por edhe ato vendore, kohë më parë, lejuan formimin edhe të 14 nënstacioneve të reja policore, 12 prej të cilave në vendbanimet me shumicë serbe. Ky projekt ndërlidhet me pranimin e një numri të caktuar të policëve të MUP-it serb brenda strukturave të Policisë së Kosovës.

Në një raport të datës 15 nëntor 2008, KMDLNJ – Qendra Rajonale në Mitrovicë, kërkonte nga organet e sigurisë, policia e UNMIK-ut, ajo e SHPK-së dhe KFOR-i që sa më parë t’i kapin akterët e të shtënave të datës 14 dhe 15 nëntorit 2008, në mënyrë që të nxirren para drejtësisë. Është e ditur botërisht se akterët e të shtënave të 14 nëntorit 2008, së paku policët serbë – pjesëtarë të SHPK-së, i njohin shumë mirë. Po ashtu i njohin edhe disa policë shqiptarë, të cilët patrullojnë në pjesën e okupuar të qytetit së bashku me policët serbë. Pra, edhe këta i dinë saktësisht çerdhet e atyre që shkrehin breshëri plumbash kur dhe ku t’iu teket.

Duhet të përmendet se në lokalitetet ku shkrepen armë të ndryshme nga serbët, vepron lirshëm MUP-i serb, ku shef i operativës është Zharko Kosovac, i cili sipas raporteve të KMDLNJ-së, ishte i njohur si ushtrues i dhunës mbi popullatën shqiptare, gjatë viteve të ‘90-ta, gjatë luftës 1998/1999 dhe pas lufte. Po ashtu, epror i policisë së SHPK-së është edhe Xhavit (Rexho) Dervisheviq, i cili po ashtu është i njohur si ushtrues i dhunës mbi shqiptarët që nga viti 1990 e këndej. Këta të dy me shumë serbë të tjerë, kanë qenë ushtrues të dhunës, posaçërisht mbi arsimin shqip.

Kur flasim për këtë çështje duhet pasur parasysh edhe faktin se një pjesë e policëve të minoritetit serb që punojnë në Policinë e Kosovës, kanë qenë në marrëdhënie pune deri në përfundim të luftës.

Nga bastisjet që janë bërë nga ana e SHPK-së, është vërejtur se ata janë të armatosur mirë, të uniformuar dhe kanë emblemat e tyre. Mirëpo, për hir të situatës së tensionuar nuk janë marrë masa tjera ndaj tyre. Në një rast, pjesëtari serb i Policisë së Kosovës, Vllade Nedelkoviq, në fund të vitit 2008 është arrestuar pasi që në shtëpinë e tij në fshatin Preoc, ishte gjetur sasi e konsiderueshme e armatimit pa leje, pajisje të ish-ushtrisë jugosllave, uniforma, radiolidhje etj.

Vet fakti i përdorimit të simboleve që i ka përdorur organizata paramilitare “Garda e Car Llazarit” në tubime dhe në promovimin e saj, si shenjat e njësisë famëkeqe të drejtuar nga Sigurimi Shtetëror Serb – JSO flasin mjaft. Dihet se një pjesë e kësaj njësie janë të afërt apo pasues të njësisë famëkeqe JSO e njohur edhe si “Beretat e Kuqe” apo edhe “Djemtë e Frenkit” (sipas Frenki Simatoviqit, themelues i këtij grupi). JSO u komandua gjatë luftës nga Millorad Ulemek – “Legija”, i dënuar së fundi me 40 vjet burgim për vrasjen e ish-kryeministrit serb Zoran Gjingjiq. Vitin e kaluar “Garda e Car Llazarit” ka marrë përgjegjësinë për djegien e punktit kufitar në Runicë, mes Kosovës dhe Serbisë. Të njëjtin vit organizata paraushtarake serbe “Mlada Bosna” mori përgjegjësinë për një varg sulmesh në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë.

Në të gjitha këto zhvillime, koloneli Dragan Terziq, zyrtarisht mban postin e këshilltarit policor në Drejtorinë Koordinuese për Kosovën. Siç bëhet e ditur, Terziq komandon me policinë serbe në Kosovë, kurse me “Mbrojtjen Territoriale” komandon koloneli Radisav Janiqijeviq. Nga të dhëna të publikuara me kohë në media, del se në Mitrovicë, në tri-katër vende ka pasur depo armatimi, të dedikuara posaçërisht për këto struktura. Sensibilizimi i situatës për veprimet e lartcekura është bërë edhe nga Marko Jakshiq, i cili e ka rolin e kryetarit të “Kuvendit të komunave dhe lokaliteteve serbe në Kosovë”. Kurse Millan Ivanoviqi është kryetar i “Këshillit Nacional Serb për Veriun e Kosovës”, njëkohësisht njëri ndër drejtuesit e spitalit regjional në veri të Mitrovicës. Ai është i dyshuar për pjesëmarrje në disa veprime kriminale, organizim dhe mbështetje të grupeve terroriste, nxitje të urrejtjes nacionale, raciale e fetare, rrezikim të personelit të EULEX-it dhe pjesëmarrje në masën që kishte bërë vepra penale. Strukturat e tyre janë prodhues të dhunës dhe destabilitetit në Kosovë. Ata kanë bërë thirrje për rezistencë dhe për të shkaktuar dhunë.

Më 10 shkurt 2009, në Mitrovicë, sipas mediave kosovare, Marko Jakshiq dhe Millan Ivanoviq kanë bërë thirrje që të digjen pikëkalimet kufitare. Lidhur me këtë policia ka hetuar rastin dhe kallëzimin penal ia ka proceduar prokurorisë. Sipas policisë, është çështje e prokurorit (ndërkombëtar) nëse ndaj tyre do të ngre apo jo akuzën. Sidoqoftë, secili qytetar i ka parë dhe vërejtur përmes ekranit, në fotot në internet dhe shtyp autorët e ngjarjeve që shkatërruan pikën doganore 1 dhe 31 në veriun e Kosovës, duke hedhur mjete shpërthyese apo duke djegur objekte. Akterët e këtyre ngjarjeve janë të ditur.

Që nga ajo kohë, madje edhe pas kthimit të policëve serb në punë, mungon qasja e zyrtarëve apo vijës komanduese të Policisë së Kosovës në stacionin policor në veri. Madje, këto struktura kanë penguar edhe vizitën e drejtorit të Policisë së Kosovës, Sheremet Ahmeti, që t’i vizitonte pikat policore kufitare në veri.

Në Shërbimin Policor të Kosovës, komunitetet përfaqësohen me 17 për qind, 10 për qind prej të cilëve janë të komunitetit serb.

Rreth 350 policë serbë, bashkë me stafin civil u suspenduan pasi e lëshuan punën demonstrativisht në mars të vitit 2008. Ndryshe, të vetmit policë serbë që nuk janë suspenduar për shkak të mosbindjes ndaj urdhrave të SHPK-së, ishin ata që punojnë në pjesën veriore të Mitrovicës, meqë në stacionet e atjeshme policore nuk ishte bërë bartja e kompetencave nga UNMIK-u te SHPK-ja dhe ishin nën komandën e policisë së UNMIK-ut. Kërkesa kryesore e policëve serbë të suspenduar ka qenë që të punojnë nën komandën e policisë së UNMIK-ut. Që nga ajo periudhë, atyre nuk iu ndërpre pagesa, edhe pse shumica e këtyre policëve, pas urdhrit të prerë të Beogradit, i kishin mbyllur edhe xhirollogaritë personale në bankat e Kosovës,. Megjithatë, në administratën e Policisë së Kosovës gjatë tërë kohës ata figurojnë të suspenduar me pagesë. Vetëm për tre muaj, nga buxheti i Kosovës, për pagat e këtyre policëve serbë të rebeluar ndaj shtetit të Kosovës, janë shpenzuar rreth 223 mijë euro. Minoritarët serbë, pjesëtarë të Policisë së Kosovës, e bojkotuan punën për 17 muaj me radhë, çka do të thotë se shpenzimet e buxhetit të Kosovës për këtë kategori janë milionëshe.

Inspektorati i Policisë së Kosovës ishte marrë me hetimin e këtij rasti një kohë të gjatë. Disa herë i kishte ftuar ata të kthehen në punë, me pretekst se do t’u ndërpritet marrëdhënia e punës, por policët e komunitetit serb nuk qenë të dëgjueshëm. Me qëllim të bindjes për t’i kthyer në punë, gjenerali i PK-së, Sheremet Ahmeti, kishte marrë një vendim për suspendim pa pagesë. Mirëpo ndaj këtij vendimi kishte reaguar Qeveria dhe pas kësaj ishte marrë vendimi tjetër nga MPB-ja që t’u vazhdohet suspendimi me pagesë.

Sipas Rregullores në fuqi të Inspektoratit të Rendit, do të duhej që në afat jo më të gjatë se 90 ditë, të merrej një vendim lidhur me largimin e policëve serbë nga Policia e Kosovës. Siç u tha, policët e komunitetit serb, pas 17 shkurtit, për arsyet tashmë të ditura, e kishin refuzuar komandën e SHPK-së dhe kishin kërkuar si alternativë, që urdhrat t’i marrin nga policia ndërkombëtare e UNMIK-ut. Menjëherë pas kësaj, policë serbë të regjionit të Prishtinës, që i braktisën radhët e SHPK-së, tentuan ta uzurponin Stacionin Policor të Graçanicës, për t’u bërë presion strukturave vendore dhe ndërkombëtare, që të përmbushin kërkesat e tyre.

Sipas burimeve të konfirmuara, njëri ndër organizatorët që ka organizuar bojkotimin e punës së policëve serbë të SHPK-së në anën e Anamoravës është Dragutin (Velibor) Naskoviq, i lindur më 1952, në fshatin Kmetovc të Gjilanit. Naskoviq është ish-pjesëtar i policisë së Serbisë, i cili tani ka statusin e pensionistit. I njëjti është oponent i BIA-s, dhe mbanë lidhje me ish-strukturat që kanë punuar në organet e rendit të Serbisë. Këto struktura, në shumicën e rasteve, janë persona të instrumentalizuar nga qeveria e Serbisë. Naskoviq ishte caktuar të jetë “Komandant i Anamoravës” për serbët, gjegjësisht për formimin e policisë paralele. Në sistemin e strukturave paralele është edhe Iliq me nofkën “Iliri”, nga rrethi i Gjilanit, më herët inspektor i lartë në policinë e Serbisë, njëherësh konsiderohet edhe zëvendës i Naskoviqit. Gjatë një vizite të të ashtuquajturit ministër serb për Kosovën, Sllobodan Samarxhiq, Iliqi gjithnjë ka qenë afër tij. Kurse në sy të opinionit këtë rol është caktuar ta kryejë Stojadin Notkoviq, major në policinë e SHPK-së. Pas bojkotimit të punës nga ana e policëve serbë të SHPK-së, struktura të ndryshme ekstreme nga ana e serbëve të Anamoravës kishin planifikuar ta sulmojnë stacionin policor të Novobërdës. Kërcënime se do të sulmohet stacioni policor në Novobërdë ka pasur edhe përmes telefonit.

Edhe sot e kësaj dite në veriun e Kosovës, katër stacione të policisë nuk e përfillin zinxhirin komandues të Policisë së Kosovës. Komunikimi me policët serbë të Policisë së Kosovës, në katër stacionet policore në veriun e Mitrovicës dhe komunave tjera veriore, ndërmjetësohet nëpërmjet EULEX-it dhe misionit të BE-së në Kosovë. Mirëpo, me kalimin e kohës dhe me ndihmën e EULEX-it pritet që të integrohen edhe policët serbë në veriun e Mitrovicës dhe komunat tjera veriore, si dhe pjesët tjera të Kosovës të banuara me serbë, që nuk e përfillin gjithaq zinxhirin komandues të SHPK-së.

I ashtuquajturi ministër serb për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq, kishte deklaruar se të gjithë pjesëtarët serbë të Shërbimit Policor të Kosovës do të jenë nën zinxhirin komandues të EULEX-it, pavarësisht se në cilën pjesë të Kosovës jetojnë dhe veprojnë. Për ne, deklaroi Bogdanoviq, është i pranueshëm zinxhiri komandues i cili vjen nga EULEX-i e jo nga Prishtina.

Madje, më herët, nga vet shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, pas një takimi me të ashtuquajturin ministër serb për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq, u bë publike ideja për krijimin e policisë serbe brenda policisë së Kosovës!

Propozimi i Bogdanoviqit që të formohen struktura të veçanta të policisë për serbët lokalë në Kosovë, do të thotë se ka tendenca për krijimin e komandës së ndarë të policisë serbe, sipas shembullit të Bosnjës, që është një skenar tepër i dëmshëm dhe i rrezikshëm dhe, si i tillë nuk duhet toleruar.

Krahas Bogdanoviqit, në maj të këtij viti, 16 muaj pas vetlargimit të policëve serbë nga SHPK-ja, Oliver Ivanoviqi, në cilësinë e të ashtuquajturit sekretar shtetëror në Ministrinë e Serbisë për Kosovën, kërkoi që të formohet një “komandë e posaçme zinxhirore policore serbe” në kuadër të SHPK-së, përkatësisht si institucion paralel i Policisë së Kosovës.

Duhet theksuar se Oliver Ivanoviqi dhe Goran Bogdanoviqi, të konsideruar për më se tetë vjet si “liderë të moderuar” të serbëve të Kosovës, në të cilët bashkësia ndërkombëtare ka investuar shumë në vitet e pasluftës, me t’ju dhënë rasti për t’u pozicionuar në Qeverinë e Serbisë, njëri si sekretar shteti e tjetri si ministër, braktisën institucionet e Kosovës e bashkë me to edhe “bindjet liberale” aq shumë të proklamuara.

Krerët politikë pothuajse gjithnjë kanë folur për një polici të unifikuar. Por, në realitet gjendja në terren nuk ka treguar se ka qenë gjithherë kështu. Në qershor të vitit 2008, në një letër të Sekretarit të OKB-së, Ban Ki Moon, për të cilën qeveria dhe policia kanë qenë në dijeni, përmendej se policia në vendet e banuara me shumicë serbe do të veprojë nën komandën e policisë ndërkombëtare, e jo të asaj të SHPK-së (përkatësisht PK-së). Letra në fjalë legjitimonte funksionimin e tillë, jo vetëm shkëputjen nga komanda kryesore e policisë që tashmë ka ndodhur në veriun e Kosovës, por edhe në rajonet tjera. Shkëputja e policisë nëpër enklavat serbe ishte pjesë e planit të cekur më lart. Ndonëse këto koncepte janë kundërshtuar zyrtarisht, në anën tjetër ka pasë tolerime në terren.

Një gjendje e tillë edhe më tutje vazhdon të jetë sfidë për institucionet vendore, për shkak të aktivitetit të vazhdueshëm të strukturave paralele, të cilat mbështeten dhe udhëhiqen nga pjesëtarët e MUP-it të Serbisë, të cilët përmes grupeve të organizuara dhe organizatave të ndryshme (i)legale në momente të caktuara po ndikojnë drejtpërdrejt në destabilizimin e situatës së përgjithshme të sigurisë në vend.

Nuk është konfidencial fakti se një pjesë e madhe e policëve serbë të SHPK-së, veçanërisht në pjesën veriore të Kosovës, kanë marrë paga të dyfishta, nga buxheti i Kosovës dhe nga MUP-i i Serbisë. Madje, në një kërkesë të mëhershme zyrtare të bërë nga Këshilli Nacional Serb (KNS) dhe Kisha Ortodokse Serbe, kërkohej që të largoheshin policët shqiptarë nga Mitrovica.

Nga të dhënat e proklamuara në media, por edhe nga burimet e SHPK-së, konstatohet se gjatë vitit të kaluar në rajonin e Gjilanit, por edhe në pjesët tjera të Kosovës, kanë hyrë forca të konsiderueshme të pjesëtarëve të MUP-it të Serbisë, të cilët janë takuar vazhdimisht me lidhjet e tyre, që kanë qenë në cilësinë e bashkëpunëtorëve, disa prej të cilëve figurojnë në listat e pagave të MUP-it serb. Kjo mbase nuk është ndonjë befasi sepse që nga paslufta e këndej, me pak ndryshime Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, në rregulloren e miratuar të këtij shërbimi, mbi parimet e rregullimit të brendshëm të Serbisë, ka pasë edhe të ashtuquajturin “Sekretariatin për Kosovën”, brenda të cilit funksionon “Drejtoria Koordinuese për Kosovën”. (Shih për këtë faqen zyrtare të MUP-it të Serbisë).

Policët serbë në pikën kufitare 1 dhe 31 në veri të Kosovës, u përgjigjen vetëm zyrtarëve të EULEX-it. Policët e komunitetit serb, që punojnë në këto dy pika kufitare, nuk i përgjigjen sistemit të komandës së unifikuar të Policisë së Kosovës, por i përgjigjen policisë së EULEX-it. Kjo gjendje ishte aktuale edhe para djegies së dy pikave kufitare, kur u raportonin strukturave të UNMIK-ut.

Qeveria e Kosovës, në kornizën e shpenzimeve për vitin 2009, e ka futur si prioritet edhe shpenzimin e 420 mijë eurove për rindërtimin e dy pikave kufitare 1 dhe 31 në kufirin me Serbinë, por kjo çështje duket se nuk do të rregullohet shpejt.

Është fakt i ditur botërisht dhe është raportuar qindra herë se strukturat paralele serbe, të dirigjuara nga Beogradi zyrtar, gjatë tërë periudhës së pasluftës i kanë shantazhuar dhe kërcënuar të gjithë qytetarët serbë që e pranojnë realitetin në Kosovë, në raste të caktuara duke marrë edhe masa radikale ndaj tyre. Atëherë bie fjala, pse tolerohen këto struktura dhe pse lejohet funksionimi i pushtetit paralel?!

Të gjitha strukturat paralele serbe në Kosovë gjatë gjithë kohës janë formuar, financuar dhe drejtuar nga Beogradi zyrtar. Strukturat paralele serbe në veri por edhe në pjesët tjera të Kosovës, kanë punuar në dy drejtime:

– në ndarjen e serbëve prej institucioneve të Kosovë dhe,

– në rritjen e varësisë së tyre prej Serbisë.

Për strukturat paralele serbë të sigurisë flet edhe “Raporti për strukturat paralele 2006-2007” i OSBE-së. Veprimet e tilla po nxiten, sponsorizohen, organizohen dhe kryhen nga ekstremistë, militantë, zyrtarë qeveritarë nga Beogradi etj. dhe mund të sfidojnë sigurinë edhe përmes formave të ndryshme të sulmeve dhe inkursioneve kufitare të ushtrisë, policisë apo forcave paramilitare nga Serbia me pretekst të mbrojtjes së minoritetit serb. Radiot, televizioni lokal në gjuhën serbe si dhe mjetet tjera të informimit, janë pothuajse tërësisht nën ndikim të Beogradit. Një politikë të tillë kanë mbajtur edhe përfaqësuesit e minoritetit serb në Kosovë. Sllavisha Petkoviq, ish-ministër në Qeverinë e Kosovës, i cili qe shkarkuar për shkak të skandaleve të shumta, në një intervistë dhënë gazetës beogradase “Svedok”, tregonte se sa është i angazhuar për destabilizimin dhe ndarjen e Kosovës. Në atë intervistë, Petkoviq paraqitet madje edhe si lider dhe shpëtimtar i serbëve të Kosovës (!). Më tutje, në intervistën dhënë “Svedok”-ut ai kishte cekur se “serbët e Kosovës janë mbështetur për muri, se ata nuk dëshirojnë të jetojnë në një Kosovë të pavarur, se ata dëshirojnë të shkëputen nga Kosova përmes organizimit të një referendumi” etj. Shikuar nga aspekti i sigurisë, paraqitjet e tilla janë nxitje, reflektime që shkaktojnë pakënaqësi, tendenca për ta krijuar një terren të pasigurt.

Më 15 tetor 2007, ish PSSP-ja i atëhershëm, Joachim Ruecker, i kishte dërguar një letër selisë së OKB-së në Nju Jork por edhe ish-ndërmjetësit për statusin e Kosovës, Marti Ahtisaarit, nëpërmjet të cilës ankohej në një mënyrë për strukturat e Serbisë që veprojnë gjithandej Kosovës. Letra përmbante afërsisht 30 faqe, përfshirë edhe fotografi të objekteve e ndërtesave të uzurpuara nga Serbia, ku veprojnë strukturat e saj prej agjencive pyjore e deri te zyrat e ministrave të Serbisë. Pjesë të këtij dokumenti i pati botuar “Koha Ditore”.

Edhe ashtu ka të dhëna të prekshme për ekzistimin e forcave të MUP-it serb në Kosovë, për veprimtarinë e njësive të Brigadës së 58 serbe të Këmbësorisë, të cilat operojnë në disa pjesë të vendit, si p.sh, në Zveçan, Zubin Potok, në veri të Mitrovicës, në disa pjesë të Gjilanit, Kamenicës, Vitisë, Novobërdës, Ranillugut dhe Shtërpcës. Pos kësaj, në Kosovë operojnë rreth 7-8 organizata ilegale serbe, të cilat duket se dirigjohen nga shërbimet sekrete ushtarake, të cilat aktivizohen herë pas here në momente të caktuara.

Një kohë qendrën e policisë paralele serbe në Zubin Potok e drejtonte kapiteni Zhivojin Gjuriq, bashkë me asistentin e tij Zvezdan Mihajloviq. Brenda kësaj qendre përfshihej edhe Departamenti i Gazivodës që numëronte rreth 35 policë, duke përfshirë këtu qendrën operative, një patrullë në terren dhe një patrullë në Gazivodë. Këto pika të policisë paralele serbe kanë pas mjetet për qarkullim dhe komunikim. Policia paralele, apo siç është quajtur “policia komunale”, ka funksionuar edhe në Leposaviq. Komandant ka qenë Dushan Ivanoviq, ndërsa zëvendës i tij, Zhivan Nestoroviq. Ata janë ndihmuar edhe nga Radenko Nedelkoviq dhe Sasha Arsiq. Në mesin e tyre dyshohet të ketë edhe pjesëtarë të BIA-s. Kjo bazë ka pas një Departament në Soçanicë dhe në Leshak, dhe ka numëruar rreth 90 policë.

Autoritetet e Republikës së Kosovës dhe ato ndërkombëtare kishin shpallur të pavlefshme zgjedhjet ilegale serbe të 11 majit 2008 në Kosovë, në të cilat banorët serbë të komunave me shumicë serbe zgjodhën përfaqësuesit e tyre. Këto zgjedhje i forcuan strukturat paralele serbe, të cilat vazhdojnë të mbeten sfidë për Kosovën edhe pas shpalljes së pavarësisë.

Nën drejtimin e strukturave të shërbimeve sekrete serbe, sidomos të ish-strukturave të vjetra të ish-punëtorëve të MUP-it, SUP-it, KOS-it, DB-së etj, në dhjetor të vitit të kaluar mbi 1 000 veteranë serbë të luftës, pjesëmarrës edhe në luftën e Kosovës, i kishin mësyer pikat kufitare Serbi-Kosovë, konkretisht pikën kufitare në Mendar, me kërkesën që Qeveria e Beogradit t’ua paguajë nga 500 mijë dinarë të mbetura borxh për shërbimin që kanë bërë gjatë luftës në Kosovë. Në një rast të tillë pati edhe disa policë shqiptarë të plagosur në pikën kufitare me Serbinë.

Analistë të ndryshëm të çështjeve të sigurisë vlerësojnë se gjendja në veri tash e dhjetë vite është një “konflikt i ngrirë” me pak gjasa të integrimit të plotë në sistemin qeverisës të Kosovës.

Strukturat paralele serbe që si të tilla edhe më tutje vazhdojnë të funksionojnë në veri të Mitrovicës, të cilat i përfaqësojnë institucionet e shtetit serb, vazhdimisht e provokojnë elementin shqiptar që jeton në veri. Vitin e kaluar këto struktura e kanë bërë regjistrimin e popullatës së atjeshme, për ta paraqitur se Serbia është funksionale në atë pjesë. S’do koment se serbët e veriut të Mitrovicës, por edhe të pjesëve tjera të Kosovës, janë të ndikuar dhe të shantazhuar nga politika e Beogradit. Por u bënë dhjetë vite që shkaktojnë trazira, pasiguri dhe tensione ndëretnike.

Dihet botërisht se në pjesën veriore të Mitrovicës, kanë gjetur strehë shumë kriminelë serb e shqiptarë që kërkohen nga drejtësia. Disa prej tyre japin dokumente false, duke filluar nga patentshoferët, letërnjoftimet, dëftesat shkollore, fletkurorizimet, kontratat për shitblerje të ndryshme të pronave të serbëve dhe shqiptarëve, vizat por edhe të një varg manipulimeve rreth regjistrimit të automjeteve në veriun e Mitrovicës. Sipas burimeve të hapëta shumica e automjeteve që numrin e parë e kanë 519-KS janë të regjistruara fals në atë qendër. Rreth këtyre rasteve policia në Mitrovicë, ka hasur në shumë parregullsi rreth regjistrimit të veturave me targa KS dhe shumica e këtyre veturave regjistrohen pa proces të verifikimit me libreza të falsifikuara në Beli Manastir, Vukovar, Zvornik etj. Atje me pak euro mund të regjistrosh çfarëdo lloj të veturës në atë qendër dhe të lëvizësh nëpër territorin e Kosovës.

Pos kësaj, për pesë vite në Fakultetin Filozofik që funksionon në kuadër të “Universitetit të Prishtinës”, me seli në veri të Mitrovicës, gjatë periudhës 1999-2004 janë dhënë 1 000 diploma të falsifikuara. Kështu u ka deklaruar mediave dekani i këtij fakulteti, Dragi Malinkoviq. Për lëshimin e këtyre diplomave janë ngritur mbi 54 akuza penale ndaj pesë personave të këtij fakulteti. Me diploma false të lëshuara në këtë fakultet janë punësuar një numër i caktuar njerëzish nëpër institucionet e ndryshme.

Zyrtarët e doganave në Mitrovicë, pos që i kanë dhënë hapësirë krimit të organizuar dhe kontrabandës në atë pjesë, strukturat paralele serbe nuk i lejojnë mallrat kosovare që të eksportohen në Serbi me dokumente që lëshohen nga Doganat e Republikës së Kosovës. Lidhur me këtë, në Lagjen e Boshnjakëve në veri të Mitrovicës, funksionon një zyrë e Serbisë, e cila lëshon dokumente për mallrat kosovare që eksportohen në Serbi.

Veçanërisht që nga vitet ‘90-të e këndej, minoriteti serb në Kosovë po e luan rolin e shumicës dhe po e dikton ligjin. Edhe ky element ka shkaktuar tensionime të vazhdueshme në fushën e sigurisë. Drejtuesit post-millosheviqianë, me përjashtim të të ndjerit Gjingjiq, jo vetëm që de facto nuk e kanë pranuar realitetin e ri të Kosovës, por në mënyrë makiaveliste kanë përdorur serbët e Kosovës për të penguar çdo hap të këtij vendi në drejtim të rimëkëmbjes dhe vënies së tij në rrugën e progresit dhe të integrimit. Radikalizmi serb dhe mbështetja e tij nga institucionet qeveritare, të cilët vazhdojnë të mbështesin programet shtetërore antishqiptare, kanë për qëllim t’i kthejnë shqiptarët në një “bombë njerëzore” për ta destabilizuar rajonin, kuptohet duke vënë në lëvizje edhe elementin e vet të instrumentalizuar me kohë. Origjina e këtyre organizatave apo grupacioneve strukturohet nga ish-strukturat e segmenteve të caktuara të MUP-it serb, disa sish të kërkuar për krime edhe në Serbi por edhe më gjerë, nga ish-ushtarakë të ushtrisë serbe të cilët kanë marrë pjesë në luftërat në hapësirat e ish-Jugosllavisë, nga ish-paramilitarë dhe ultranacionalistë serbë, të cilët në shumicën e rasteve kontrollohen nga segmente të caktuara të strukturave të inteligjencës civile e ushtarake por edhe të sektorëve tjerë të sigurisë në Serbi. Sipas burimeve serbe, qysh nga muaj maj i vitit të kaluar, 385 shërbyes të ish-Ushtrisë Jugosllave janë paguar që të organizojnë forcat serbe të mbrojtjes qytetare në veri të Kosovës. Në anën tjetër, Dragan Mihajlloviq, kryetar i Komunës, strukturave paralele në Zveçan, kishte deklaruar se ne edhe ashtu funksionojmë si pjesë e Serbisë. Zyrtarë të Serbisë e kanë pranuar madje edhe publikisht se në Graçanicë vepron Sigurimi Shtetëror i Serbisë, i cili monitoron të gjitha lëvizjet e serbëve të kësaj pjese të Kosovës dhe çdo gjë që ka lidhje me shqiptarët, është e dyshimtë për ta. Nga kjo strukturë në biseda informative thirren shpesh edhe serbët e dyshimtë, madje ata thirren edhe në zyrat e Sigurimit Shtetëror në Nish, zëvendëskryeshef i të cilit është Nikolla Iliç, ish-kryeshef i Stacionit policor në Lipjan. Lidhur me këto situata, vitin e kaluar, komandanti i NATO-s, Harry Ulrich, është alarmuar pasi që kryetari i komunës së Zubin Potokut, Sllavisha Ristiç, e kishte njoftuar atë se uniforma të zeza ushtrojnë në veri të Kosovës.

Në janar të këtij viti, pasi tensionimet ishin rritur në masë të madhe nga provokimet dhe sulmet e shpeshtuara të serbëve, banorët shqiptarë në veri të Mitrovicës u detyruan të vetorganizohen dhe të bënin rojë gjatë natës për t’u mbrojtur nga sulmet e mundshme. Për shkak të paraqitjeve dhe veprimeve të njëanshme dhe joefikase, banorët shqiptarë të pjesës veriore të Mitrovicës, deklaruan se nuk kanë besim te policët e stacionit verior në Mitrovicë, sepse, sipas tyre, policia e këtij stacioni e bën politikën e Beogradit në Kosovë.

Gjatë problemeve të fundit në veriun e Mitrovicës, të ndërlidhura veçanërisht me kthimin e banorëve shqiptarë në lagjen Kroi i Vitakut, për të rindërtuar shtëpitë e tyre të djegura nga forcat serbe para dhjetë vjetësh, u pa qartë se pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës, pos që nuk e respektojnë vijën e zinxhirit komandues, u pozicionuan në anën e demonstruesve të dhunshëm serbë për të penguar kthimin e banorëve shqiptarë në pronat e tyre, me ç’rast pati edhe disa banorë shqiptarë të lënduar.

Lidhur me këtë, Policia e Kosovës ka filluar hetimin ndaj komandantit të stacionit policor në veri të Mitrovicës, Milija Millosheviq, ish-pjesëtar i MUP-it serb, me dyshimin e bazuar se ka bërë shkelje të zinxhirit komandues në lagjen Kroi i Vitakut, ku tash sa ditë janë bllokuar punimet e shqiptarëve për rindërtimin e shtëpive, me pretekst se ka pasë urdhër nga EULEX-i, për të mos lejuar vazhdimin e punimeve të shqiptarëve në lagjen e Kroit të Vitakut. Pos Milija Millosheviqit, janë duke u hetuar edhe disa policë të tjerë për mosrespektimin e zinxhirit komandues në veri të Mitrovicës, sidomos policë të stacionit policor në veri të Mitrovicës.

Po ashtu, serbët dhe shqiptarët, kohë pas kohe kanë kërkuar largimin e rreshterit Tadisha Tomasheviq nga posti i komandantit të nënstacionit të policisë në Syriganë. Kjo kërkesë u bë edhe në mbledhjen për komunitete të Banjës dhe Syriganës, ngase në kohën kur policët serbë kishin lëshuar radhët e SHPK-së, Tadisha Tomasheviq kishte shkuar me punë në Zubin Potok.

Gjatë punës në terren SHPK-ja, në rajone të ndryshme të Kosovës ka hasur në një varg rastesh ku të ndaluarit kanë qenë pjesëtarë të MUP-it serb. Në një rast, pjesëtarët e SHPK-së gjatë një kontrolli rutinor kishin ndaluar Novica Ristiqin (1970), nga fshati Bratillovc i Dardanës, bashkë me dy kolegë tjerë, të cilët kishin pranuar se janë pjesëtarë të MUP-it serb në Vranjë.

Herë pas here xhandarmëria serbe ka hyrë në territorin e Kosovës duke i provokuar banorët e fshatrave përreth vijës kufitare, veçanërisht në komunën e Dardanës dhe Gjilanit. Kundër provokimeve të xhandarmërisë serbe, disa herë ka pasur protesta nga banorët lokalë. Ndoshta ky problem është paksa më kompleks ngase kontrolli i mbikëqyrjes së vijës së gjelbër edhe më tej është përgjegjësi e KFOR-it. Këtë kompetencë KFOR-i ende nuk e ka dorëzuar tek autoritetet e sigurisë vendore.

Në të gjitha këto aktivitete, pjesëtarët e policisë nga radhët e komunitetit serb, sigurisht, janë të përfshirë nën ndikimin e politikës së Beogradit, e cila domosdoshmërisht mbështetet në strukturat e MUP-it dhe shërbimeve sekrete serbe. Kjo situatë ngjallë pasiguri tek banorët shqiptarë, krijon ndarje dhe provokon konflikte ndëretnike, të cilat fillimisht duket se mund të kenë përmasa të izoluara, por në raste më të volitshme mund të përhapen, duke marrë përmasa më të gjëra.

Për vendosjen e rendit, të sigurisë dhe kushtetutshmërisë në gjithë territorin e vendit, rrezik të përhershëm paraqesin strukturat paralele – grupet ekstreme serbe që dirigjohen nga Beogradi. Sipas të dhënave dhe burimeve të hapëta, nga Beogradi dirigjohen edhe një pjesë e konsiderueshme e pjesëtarëve serbë të Policisë së Kosovës, të cilët paralelisht kanë vepruar në kuadër të MUP-it serb, nga i cili edhe janë paguar.

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Qeveria e Serbisë ka ndikuar drejtpërdrejt te pjesa e minoritarëve serbë – pjesëtarë të SHPK-së, për bojkotimin e punës në Policinë e Kosovës. Ka zëra që thonë se përkeqësimi i gjendjes materiale të policëve që vijnë nga radhët e minoritetit serb, ka bërë që këta të futen edhe në strukturat paralele të MUP-it serb me veprim në Kosovë. Por faktikisht një pjesë e madhe e tyre paraprakisht u kanë takuar strukturave të MUP-it serb, e prej andej janë futur në radhët e SHPK-së, por nuk janë larguar fare nga MUP-i.

Disa zyrtarë të lartë serbë del se kanë qenë të implikuar në veprime kriminale së bashku me strukturat e krimit të organizuar, të manipuluar nga MUP-i serb. Kjo situatë ceket si e tillë edhe në raportin e ministrit të brendshëm të Kosovës, Pajaziti, dërguar Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri, në shkurt të vitit 2009.

Në shkurt të këtij viti, mbi 300 protestues serbë kishin shprehur kundërshtimet e tyre kundër formimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Ndërsa i ashtuquajturi “Shtab i Krizës” në Graçanicë, i përfaqësuar nga Sllavisha Nikoliq, në një takim me përfaqësuesit e UNMIK-ut, kishte kërkuar që “policët e nacionalitetit serb të SHPK-së, në jug të lumit Ibër të kenë të njëjtin status sikurse policët në veri të Kosovës qendrore”. Në fakt kjo ishte si një lloj marrëveshjeje mes këtij “shtabi” dhe UNMIK-ut. Po ashtu, brenda kësaj marrëveshjeje përfshihej edhe hapja e nënstacioneve të reja policore nëpër enklavat serbe, që do të udhëhiqen nga policët serbë, të cilët do ta kenë uniformën e SHPK-së, por do të komandohen nga policia e UNMIK-ut dhe do t’i referojnë Beogradit dhe UNMIK-ut. Në këtë marrëveshje është kërkuar edhe rritja e numrit të policëve në këto vendbanime. Ky takim qe deklaruar i pasuksesshëm nga zyrtarët e policisë, mirëpo ata së paku ashtu mendonin, vepronin dhe deklaroheshin, madje publikisht. Kjo lloj marrëveshje ishte proklamuar edhe nga Sllavisha Nikoliqi në radion serbe “KiM”.

Një pjesë e minoritarëve serbë në Kosovë, SHPK-në e konsiderojnë shërbim armik. Së paku kështu janë prononcuar disa herë në media e prononcime tjera publike. Shumica e minoritarëve serbë – policë të SHPK-së, të cilët i lëshuan vendet e punës, nuk i patën kthyer mjetet, uniformat, radiolidhjet etj. Ka pasë të tillë që para mediave kanë thënë se ne nuk njohim dhe nuk kemi takuar asnjë serb ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Në një mënyrë, Qeveria e Serbisë largimin e pjesëtarëve të komunitetit serb nga SHPK-ja e shfrytëzonte në terren edhe për shkëputje, e cila, sipas tyre, duhej të funksiononte nën komandën e policisë ndërkombëtare. Ata më vonë kishin planifikuar që të kërkonin të jenë më ndryshe uniformat e SHPK-së që do të vishnin policët e komunitetit serb.

Në SHPK një kohë të gjatë ka pasë një situatë specifike, me realitete të ndryshme. Stacionet policore në veriun e Mitrovicës, në Gjilan dhe Shtërpcë kanë dallime dhe ngjashmëri. Tri realitete në pjesë të ndryshme të Kosovës që ndërlidheshin me reagimet e rreth 700 policëve serbë të SHPK-së.

Realiteti i parë ka të bëjë me veriun e Kosovës, ku policët serbë arritën të inaugurojnë idenë “me uniforma të SHPK-së, por jashtë SHPK-së”, veprim ky që u kalua në heshtje nga instancat përkatëse të institucioneve vendore e ndërkombëtare.

Realiteti i dytë paraqitet në Anamoravë, përkatësisht në rajonin policor të Gjilanit, atë të Graçanicës dhe në rajonin policor të Prishtinës, në të cilat u tentua të bartet modeli i Mitrovicës, por që nuk u realizua krejtësisht. Mirëpo, ata që refuzuan komandën e policisë së shtetit të Kosovës, kërkuan të kthehen nën autoritetin e policisë së UNMIK-ut, edhe pse policia ndërkombëtare që moti ia ka kaluar kompetencat policisë vendore. Realiteti i tretë paraqitet në rajonin e Ferizajit, ku rreth pesëdhjetë policë serbë të stacionit policor të Shtërpcës, që mbulonin edhe qendrën e skijimit në Brezovicë, nuk ishin rebeluar në masë të madhe. Ata pas disa takimeve me oficerë të SHPK-së dhe të UNMIK-ut vazhduan punën.

Në rajonin e Mitrovicës (në veri të vendit) mbi 270 policë serbë të SHPK-së, kanë vazhduar punën nën autoritetin e policisë së UNMIK-ut, që edhe ashtu ka në kompetencën e vet rajonin e Mitrovicës, si i vetmi rajon që nuk është bartur në kompetencë të SHPK-së.

Zhvillimet e deritanishme tregojnë qartë se Ballkanit nuk i nevojitet krijimi i një “konflikti të ngrirë”. Deshëm apo jo, Kosova është në procesin e formësimit të elitave. Ato sapo janë ndërtuar dhe, në fund të fundit, po sendërtojnë atë që quhet balancë e shqiptarëve me të tjerët. Serbët nëse nuk e kanë kuptuar se çdo të thotë bashkëjetesa me shqiptarët dhe të tjerët, janë të dënuar të mbesin epruveta e Ballkanit. Instancat e Serbisë vazhdojnë të mbeten kundërshtarë të përhershëm të Kosovës. Serbia dhe Qiproja ishin të vetmet kundër anëtarësimit të Sindikatës së Policisë së Kosovës në Konfederatën Ndërkombëtare Sindikale të Policisë.

Gjatë kohës sa ish-zëdhënësi i Millosheviqit, ministri i brendshëm serb Ivica Daçiq, ishte në Bruksel, edhe përfaqësuesi i lartë për Siguri dhe Politikë të Jashtme i BE-së, Javier Solana, kishte biseduar me të për rëndësinë e kthimit të pjesëtarëve serbë në Policinë e Kosovës. Rreth këtij problemi ka qenë i angazhuar edhe shefi i EULEX-it Yves de Kermabon. Po ashtu, përfaqësuesi i lartë për Siguri dhe Politikë të Jashtme i BE-së, Javier Solana, pasi kishte vizituar Beogradin në mars të këtij viti, kishte kërkuar nga zyrtarët e Qeverisë së Serbisë që të dërgojnë sinjale pozitive për kthimin e policëve e gjykatësve në vendet e tyre të punës. Në anën tjetër, zyrtarë serbë, në mesin të të cilëve edhe i ashtuquajturi ministër serb për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq, kishte thënë se janë duke u zhvilluar bisedime me EULEX-in, në mënyrë që ky mision ta marrë zinxhirin komandues dhe të sigurojë prani të përhershme të pjesëtarëve të vet në të gjitha stacionet dhe nënstacionet në mjediset serbe në Kosovë.

Që nga shpallja e pavarësisë, policët serbë të SHPK-së, në tri komunat e veriut të Kosovës haptazi refuzuan t’i marrin urdhrat nga Prishtina. Ata filluan t’i përgjigjen vijës së tyre komanduese, të ndërtuar mbi baza të sistemit paralel dhe shefit të policisë serbe në Mitrovicë, i cili i koordinonte aktivitetet e kësaj strukture me Policinë e Kombeve të Bashkuara (UNMIK) dhe forcat paqeruajtëse të NATO-s. Madje komandant i vetëshpallur i këtyre policëve serbë të SHPK-së në veri ishte Goran Stojanoviqi, i cili qysh disa ditë para shpalljes së pavarësisë nuk ishte paraqitur në vendin e tij të punës si komandant i Drejtorisë së Trafikut të SHPK-së në Shtabin Kryesor në Prishtinë.

Mirëpo, situata ndryshoi me ndërhyrjen e kryetarit të Serbisë, Boris Tadiq, i cili i dha sinjalin paralajmërues të ashtuquajturit ministër për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq, për ta proklamuar lajmin për kthimin në radhët e Policisë së Kosovës të pothuajse të gjithë policëve serbë, të cilët ishin suspenduar prej 1 marsit të vitit 2008, sepse refuzuan të vazhdojnë shërbimin në SHPK për shkak të pavarësimit të Kosovës. Ky veprim i Tadiqit është një sinjal i qartë se Beogradi zyrtar, më nuk mund të vazhdojë të mbajë pezull gjendjen e policëve të vetlarguar serbë të SHPK-së, prandaj, ashtu siç u urdhëruan ta lëshojnë punën, u dha urdhri për kthimin e tyre në punë.

Në vendimin për kthimin në punë të policëve të minoritetit serb, të cilët me urdhër të Beogradit i lëshuan vendet e punës në të gjitha rajonet e Kosovës, në shenjë pakënaqësie për shkak të shpalljes së pavarësisë thuhet se “të gjithë oficerët, të cilët do të vendosin të kthehen në radhët e Policisë së Kosovës deri me datën 30 qershor 2009, ora 16, nuk do t’i nënshtrohen asnjë lloji të procedurave disiplinore si rezultat i vendimit të tyre subjektiv, i vendimit Nr.405/08”.

Kthimi i policëve serbë në punë, duket të jetë bërë sipas një marrëveshje interne ndërmjet EULEX-it dhe Serbisë. Madje, rreth 350 pjesëtarë serbë të SHPK-së që pas ultimatumit të Beogradit e kishin braktisur demonstrativisht SHPK-në, pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Kërkesat për t’u kthyer këta policë në punë, Qeveria e Serbisë i kishte kushtëzuar me kërkesën që policët serbë të Kosovës të jenë nën komandën e UNMIK-ut. Ky ishte qëndrimi zyrtar i Serbisë.

Në mes tjerash, duhet përmendur se kriza globale financiare që e ka goditur shumë Serbinë, ka bërë që Beogradi të ketë gjithnjë e më pak mundësi për t’i financuar strukturat e tij paralele në Kosovë, të cilat kërkojnë afërsisht deri në 120 milionë euro në vit, siç ka ndodhur vitet e kaluara.

Edhe përkundër kësaj, deshëm apo jo, gjendja në pjesën veriore të Mitrovicës tash dhjetë vite është një “konflikt i ngrirë”, dhe kërkon kohë e angazhim të madh për integrimin e plotë në sistemin qeverisës të Kosovës. Këtë e ka bërë në një mënyrë, legalizimi i BIA-s në Kosovë, i cili është bërë nëpërmjet Komitetit për Bashkëpunim mes Policisë së UNMIK-ut dhe MUP-it të Serbisë, madje jo vetëm i BIA-s por edhe i shërbimeve të tjera. Shërbimet në fjalë dhe veprimet që po ndodhin muajve të fundit në veriun e Mitrovicës, e kanë sfiduar në masë të madhe punën e EULEX-it si autoritet që në letër e ka përkrahjen serbe, por jo edhe në terren.

Beogradi e ka luajtur një lojë të dyfishtë sa i përket kthimit të policëve serbë në vendet e punës. E para, është ndikimi i krizës ekonomike në Serbi, e cila është shoqëruar edhe me presione të shtuara ndërkombëtare, që në radhë të parë vijnë nga Bashkësia Evropiane, gjë që e ka detyruar Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë të merr masa graduale, duke sjellë edhe vendime të prera për ndaljen e mbështetjes financiare për strukturat e saj në Kosovë. Këtë e tregon edhe fakti i refuzimit të futjes në listat e rrogave të pjesëtarëve serbë nga ana e MUP-it të Serbisë. Ky ka qenë një presion që ka bërë që policët e minoritetit serb, të cilët e kishin braktisur punën për shkak të shpalljes së pavarësisë të kthehen në vendet e tyre të punës. Nuk kanë qenë as paralajmërimet për shpalljen e konkursit të ri për këto vende, as largimi pa pagesë. Pas presioneve të lartpërmendura, MUP-i serb në njëfarë mënyre ka filluar të tregojë se do të refuzojë që t’i fusë në listën e rrogave serbët që kanë shërbyer në Policinë e Kosovës, të cilëve deri në këtë kohë, paralelisht u ka dhënë edhe nga një pagë shtesë, pos pagës që e kanë marrë nga policia e Kosovës.

Për pagesat e dyfishta të minoritarëve serbë në Policinë e Kosovës tregon edhe Bratisllav Kragoviq, njëri nga policët që shërben në veri të Mitrovicës, i cili thotë se më herët ka punuar në MPB-në e Serbisë, prej nga është pensionuar dy-tri vite më parë. Ai e merr pensionin nga Serbia dhe rrogën nga Shërbimi Policor i Kosovës.

Sido që të jetë, Policia e Kosovës është e paraparë të jetë multietnike. Për këtë arsye duket se i nevojiten serbët ashtu si janë, të rebeluar, terroristë, pjesëmarrës në krime lufte, që i raportojnë Beogradit, që nuk e njohin shtetin e Kosovës dhe Kushtetutën, që janë pjesë e strukturave paralele, njerëz që krijojnë probleme etj. Tek e fundit ky është realiteti. Kurse, integrimi i komunitetit pesëpërqindësh serb si pjesë e një shoqërie shumetnike në Kosovë vazhdon të qëndrojë mbi të gjitha prioritetet. Mirëpo, kjo nuk varet nga institucionet e Kosovës, as nga vullneti i popullatës serbe që jeton në Kosovë (që vazhdon të jetë e dirigjuar dhe shantazhuar nga Beogradi), por nga udhëheqja serbe në Beograd.

Sigurisht ky proces shkon pak më ngadalë për shkak se është i ndërlidhur ngushtë me efikasitetin e misionit më të madh evropian EULEX, me ç’rast BE-ja nuk dëshiron komprometimin e saj shkaku i përpjekjeve minuese të deritanishme të institucioneve serbe.

Shumëkush pyet se si është e mundur që EULEX-i dhe Kosova të bashkëpunojnë me Serbinë, kur organet dhe institucionet e saj policore, të sigurisë, gjykatave, jurisprudencës, të qeverisë dhe të parlamentit etj., janë të stërmbushura me udbashë të Sllobodan Millosheviqit, të cilët nuk kanë pësuar kurrfarë metamorfoze mendore as politike, as të pikëpamjeve dhe të qëndrimeve të tyre negative, kur është fjala jo vetëm për Kosovën, por edhe për vetë rendin e brendshëm shoqëror dhe politik në Serbi.

Vuk Drashkoviqi, kryetar LPS-së dhe ish-ministër i Punëve të Jashtme të Serbisë, në një intervistë të publikuar më 13 shtator 2009, në “BLIC”, ndër të tjera thotë se “pa reformimin e thellë dhe të gjithanshëm demokratik të Serbisë, BE-ja, as EULEX-i nuk duhet të bashkëpunojnë e as ta favorizojnë regjimin e Beogradit, qoftë në liberalizimin e regjimit të vizave për shtetasit e saj, qoftë në fushën ekonomike, politike, qoftë në atë policore, ushtarake etj., sepse ende nuk është distancuar, as nuk është spastruar nga recidivat politiko-propagandistikë, policorë, medialë, diplomatikë dhe ushtarakë etj. të Serbisë së Sllobodan Millosheviqit”, për të vazhduar se “rrjeti i policisë sekrete paralele të Sllobodan Millosheviqit, të Radomir Markoviqit dhe të Millan Radonjiqit edhe sot është më i fuqishëm sesa vetë shteti serb. Vetëm në këtë mënyrë mund të shpjegohet fakti se pesë vjet pas vrasjes së Zoran Gjingjiqit, shumica e pjesëtarëve të shërbimeve sekrete, që kanë marrë pjesë dhe, edhe sot marrin pjesë në krimet e tyre kanë ngelur të paprekur nga policia serbe dhe nga shërbimi zyrtar sekret i BI

Gjithashtu lexo

Rrahje masive në Shkup

Në një restorant në rrugën “Bosnja dhe Hercegovina” në Shkup ka ndodhur një rrahje mes …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *