Home / Sport / Arome boterori, sot mesohen finalistet e fundit

Arome boterori, sot mesohen finalistet e fundit

Sot eshte dita e se vertetes per te plotesuar perfundimisht puzzle-n e hartes se skuadrave pjesemarrese ne Afriken e Jugut 2010.Të mërkurën mbrëma do të dihen edhe katër emrat e ekipeve të fundit nga Evropa, që do ta sigurojnë kualifikimin për në Botërorin 2010. Tetë skuadrat që janë pjesëmarrëse në play-off kanë mundësi të kualifikohen. Mirëpo, pas fitores si mysafire në Irlandë, Franca e sheh veten më afër kualifikimit.

Emrat e katër ekipeve të fundit evropiane për kualifikim në Botërorin Afrika e Jugut 2010, do të bëhen të ditur të mërkurën mbrëma, pas katër ndeshjeve të kthimit të play-offit. Të gjithë 8 klubet shpresojnë ende për një kualifikim të mundshëm, pas ndeshjeve të para të zhvilluara të shtunën që shkoi.

Finalisti i Botërorit të fundit, Franca, duket se është në pozitë të mirë për ta siguruar kualifikimin, pas fitores së rëndësishme ndaj Irlandës me rezultat 1:0, në Dublin. Mirëpo, përkundër shënimit të golit si mysafir dhe përkundër faktit se në ndeshjen e ardhshme kanë avantazh, sepse luajnë në shtëpi, në Paris, Thierry Henry mban këmbët në tokë.

“Ky është vetëm një avantazh. Është mënyrë më e mirë që ta zhvillojmë lojën në Paris sa më mirë. Sepse, ekipi irlandez është i fortë dhe i vështirë për t’u mposhtur”, ka thënë sulmuesi i Barcelonës. Selektori i Francës, Domenech, do të jetë i hendikepuar pa mbrojtësin e majtë Eric Abidal, pasi ky i fundit është i lënduar.

Rusia po ashtu do ta kërkojë rrugën më të mirë për të shkuar në Afrikë, pas dy golave të shënuar nga sulmuesi i Evertonit, Diniyar Bilyaletdinov, të cilët ia mundësuan skuadrës së Guus Hiddinkut, që ta ketë nën kontroll ndeshjen në shtëpi kundër Sllovenisë. Mirëpo, goli i zëvendësuesit slloven, Nejc Pecnik, hapi gjithçka.

Edhe pse Rusia mbetet favorite, Pecnik mund të bëhet hero i Sllovenisë, nëse kjo e fundit fiton 1:0 në shtëpi, fitore kjo që do ta dërgonte në Afrikë, pasi ndeshja e parë përfundoi 2:1 për rusët.

“Është gjithmonë disavantazh kur e lejon kundërshtarin të shënojë gol në fund, por ne duhet ta fajësojmë vetëm veten në këtë rast. Ne kishim shumë raste për të mbyllur gjithçka qysh në ndeshjen e parë, por i humbëm ato. Në anën tjetër, Sllovenia, njërin prej rasteve të tyre të rralla e konvertoi në gol”, tha trajneri holandez, Hiddink.

Portugalia do të shkojë në Bosnje e Hercegovinë pa Cristiano Ronaldon e lënduar pas fitores së mundimshme në ndeshjen e parë me rezultat 1:0.

Selektori i Bosnjës, Miroslav Blazevic, mbetet optimist që ekipi i tij do ta arrijë kualifikimin historik. “Ne mund të rrëmbenim diçka më shumë në Lisbonë, por rezultati i atjeshëm është i mirë. Jam i bindur se ne do të shkojmë në Afrikën e Jugut”, theksoi Çira.

Kurse kampioni i Euro 2004, Greqia, do të udhëtojë për në Ukrainë me disavantazh, pas barazimit pa gola në Athinë. Mirëpo, selektori i grekëve, Rehhagel, nuk dorëzohet.

“Natyrisht, unë do të dëshiroja që ne të shënonim në ndeshjen e parë, por jo gjithmonë ndodh ashtu si ke dëshirë. Ne luajtëm në mënyrë të mirë. Jam i kënaqur që nuk pësuam gol, kështu që çdo gjë është e hapur për ndeshjen e kthimit. Nëse ju nuk shënoni, atëherë gjëja më e mirë mbetet ajo që të mos pësoni ndonjë gol. Ne e menaxhuam këtë, kështu që unë mbetem i kënaqur”, tha trajneri gjerman.

Por, nëse Rehhagel merret me rezultatin e ndeshjes së parë, selektori i Ukrainës, Alexei Mikhailichenko, pohon se ishte i kënaqur me vijën e sulmit të ekipit të tij, e cila sipas tij, ishte bindëse.

“Nuk ishte e mundshme që të luanim më ofanzivë, për shkak të forcës së kundërshtarit”, tha ai. Fituesit e këtyre katër çifteve të play-offit do të kualifikohen direkt për në fazën finale të Afrikës së Jugut 2010.

Përpos Zonës së Evropës, edhe në zonat e tjera kanë mbetur edhe disa paqartësi rreth kualifikimit për në Botërorin 2010. Në play-offin Conmebol/Concacaf, në ndeshjen e kthimit, të enjten do të takohet i pesti i Amerikës së Jugut, Uruguai, me të katërtin e Veriut, Qendrës së Amerikës dhe Karaibeve, Costa Rica. Amerikanë latinët kishin fituar në ndeshjen e parë në Costa Rica me rezultat 0:1, andaj ata e shohin veten shumë më afër kualifikimit.

Ndërsa, në Zonën e Afrikës, në Grupin C prijnë Algjeria dhe Egjipti, me pikë të njëjta, 13. Në ndeshjen e zhvilluar javën që shkoi, Egjipti fitoi ndaj Algjerisë me rezultat 2:0. Tash, në ndeshjen e dytë dhe vendimtare, fituesi do ta sigurojë automatikisht kualifikimin, pasi që në Botëror shkon vetëm vendi i parë i secilit grup.

Ndeshjet e play-offit
E mërkurë Ora
Ukraina – Greqia (0:0) 19:00
Bosnja e H. – Portugalia (0:1) 20:45
Sllovenia – Rusia (1:2) 19:00
Franca – Irlanda (1:0) 19:00
Algjeria – Egjipti (0:2) 19:00
E enjte
Uruguai – Costa Rica (1:0) 00:00
*Në kllapa janë shënuar rezultatet nga ndeshjet e para

Gjithashtu lexo

Kastriot Tusha dhe “Ballistët” këndojnë “Xhamadani vija vija” midis Milanos (Video)

“Ballistët” janë duke bërë atmosferë fantastike në Milano dhe atyre u wshtw bashkuar edhe Kastriot …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *