Home / Sport / FFK merr premtime nga FIFA

FFK merr premtime nga FIFA

Drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës dhe ata të FIFA’së janë takuar sërish. Kosovarët të mërkurën kanë dorëzuar në shtëpinë e futbollit botëror një dosje me argumente, se si ka funksionuar FFK nga vitit 1948 e deri më tani. FIFA premtoi se kërkesat e kosovarëve do të shqyrtohen në mbledhjen e radhës së Komitetit Ekzekutiv.

Në selinë e FIFA-s në Zurich të Zvicrës, delegacioni i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) të mërkurën është pritur nga zyrtarët e lartë të shtëpisë së futbollit botëror (FIFA) në krye me sekretarin Jerome Valcke.

Delegacioni kosovar, i përbërë nga kreu i FFK-së, Fadil Vokrri, sekretari Eroll Salihu dhe Haki Demolli, ia kanë dorëzuar zyrtarëve të FIFA-s një dosje me argumente se si ka funksionuar FFK-ja në kohën e ish Jugosllavisë, respektivisht prej vitit 1948 e deri më tani.

Në fakt, kjo dosje i është kërkuar delegacionit kosovar në takimin e parë, të cilin e kanë mbajtur më 5 nëntor, ku prezent ishte edhe kreu i FIFA-së Sepp Blatter.

“Krerët e FFK-së i dorëzuan një dokumentacion voluminoz FIFA-s me dëshmi të bollshme mbi mëvetësinë e FFK-së qysh në ish shtetin tashmë të shpërbërë të Jugosllavisë dhe një sërë dokumentesh tjera që tregojnë se FFK-ja ka një traditë, dhe si e tillë do të duhej të ishte pjesë e mekanizmave ndërkombëtarë”, thuhet në një njoftim të FFK-së të lëshuar për media pas këtij takimi.

Në këtë njoftim thuhet se gjatë takimit mes zyrtarëve të FIFA-s dhe të FFK-së është biseduar sërish rreth kërkesave të FFK-së, që u patën diskutuar edhe në takimin e parë me Sepp Blatterin.

Sipas këtij njoftimi, pala kosovare edhe në këtë takim ka marrë premtime nga zyrtarët e FIFA-s se të gjitha ato kërkesa do të shqyrtohen në mbledhjen e radhës të Komitetit Ekzekutiv të këtij asociacioni.

Duhet theksuar se FFK-ja ka bërë tri kërkesa kryesore te FIFA, duke mos e lënë anash edhe kërkesën për pranimin e plotë të Kosovës në familjen botërore të futbollit dhe atë evropiane, UEFA.

FFK po kërkon nga FIFA që klubet e huaja t’u paguajnë dëmshpërblim skuadrave kosovare në rast se transferojnë ndonjë futbollist nga Kosova. Pos kësaj, shtëpia e futbollit kosovar po kërkon nga ky asociacion që t’i lejohet përfaqësueses së Kosovës të zhvillojë ndeshje miqësore me kombëtaret e huaja, derisa Kosova të pranohet me të drejta të plota në FIFA.

Ndërsa kërkesa e tretë e palës kosovare është ajo që klubet e Kosovës të lejohen të marrin pjesë në garat evropiane deri në pranim të plotë të Kosovës në UEFA e FIFA.

Në takimin e së mërkurës, përpos Jerome Valcke, pjesë e delegacionit të FIFA-s ishte edhe nënkryetari i saj, Geoffrey Thompson, drejtori ligjor Marco Vilinger dhe këshilltari i presidentit Sepp Blatterit, i cili njëkohësisht është edhe drejtor për marrëdhënie ndërkombëtare, Jerome Champagne.

FFK-ja ka njoftuar se të dyja palët janë pajtuar që të vazhdohet bashkëpunimi dhe shkëmbimi i informatave ndërmjet FFK-së dhe FIFA-s, si dhe të vazhdohet edhe në të ardhmen me mbajtjen e takimeve të tilla.

Gjithashtu lexo

Osmani: Bëmë gabime në mbrojtje, do të ndryshojmë në lojën e ardhshme

Trajneri i Shkëndijës së Tetovës, Qatip Osmani nuk e ka përjetuar mirë humbjen nga Milani. …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *