Home / Lajme / Rajon / Nga Tropoja në Deçan për jetë më të mirë

Nga Tropoja në Deçan për jetë më të mirë

26 nëntor-
Para dhjetë vjetësh ajo braktisi vendlindjen me shpresën për një të ardhme më të mirë në shtetin e Kosovës, i cili po lindte atëherë… “Për shkak se vëllai është invalid i luftës dhe është i madhi në familje, ne e kemi ndjekur atë, sepse tradita e shqiptarëve është me jetu t´gjithë s´bashku“- shpjegon Flora Memijaj, bija e madhe e kësaj familjeje.

Në Tropojë, afro dhjetë kilometra matanë kufirit që ndan Kosovën me Shqipërinë, familja Memijaj u formua e u rrit deri në luftën e Kosovës, kur njëri nga djemtë e saj hyri në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe pas përfundimit të luftës tërhoqi familjen në Kosovë.

Dhe lagja Dëshmorët e Kombit, në fshatin Baballoq, rreth 20 kilometra brënda brezit kufitar u bë vendbanimi i ri i kësaj familjeje dhjetëanëtarëshe.

Para dhjetë vjetësh ajo braktisi vendlindjen me shpresën për një të ardhme më të mirë në shtetin e Kosovës, i cili po lindte atëherë… “Për shkak se vëllai është invalid i luftës dhe është i madhi në familje, ne e kemi ndjekur atë, sepse tradita e shqiptarëve është me jetu t´gjithë s´bashku“- shpjegon Flora Memijaj, bija e madhe e kësaj familjeje.

Dhe kështu, në këtë fshat, rreth 15-të kilometra në juglindje të Decanit, familja Memijaj prej një dekade ka ndërtuar një jetë të re, me burimin e ekzistencës në blegtori. “Kemi dele, rreth 150 copë, sqaron Flora.

I kullosim nëpër fusha dhe ushqimin për dimër ua sigurojmë gjatë vjeshtës, në tokat e marra me qira.

Nga blegtoria mund të jetohet, por edhe vështiresi ka…”. Dhe këto vështirësi vazhdojnë. Megjithëse shumica e shtetasve të Shqipërisë tashmë kanë zënë vend nëpër shumë institucione kosovare dhe ndërkombëtare, varësisht nga përgatitja profesionale, ekonomia e pazhvilluar në Kosovë mban larg punësimit edhe vetë kosovarët.

Ylberja, megjithëse në Tropojë punonte si infermiere, në Kosovë ende nuk ka arritur të fillojë punë. „Në Tropojë kam punu si motër medicinale dhe kur erdha këtu, pa punë jetoja disi…Se çdo njeri ka nevojë për punë. Kam ba vullnetare tek Spitali i Gjakovës, por e kam ndërprerë, derisa të marr edhe ca dokumente, që vërtetojnë se jetoj në Kosovë”, thotë Ylberja. Martesa me djalë nga Kosova nuk përbën dilemë Me gjithë dallimet e vogla dialektore dhe zakonore, duke pasur të njëjtën gjuhë, kulturë dhe traditë, shtetasit e Shqipërisë janë pranuar mirë nga kosovarët, megjithëse fillimi nuk është gjithmonë i lehtë. „N´fillim, s´di…Vërtet nuk u ndjeheshim mirë, se kanë qënë ato ndasitë, jo nga Shqipëria, jo nga Kosova.

Por, tash jam ambientu dhe ndjehem vërtet mirë. Ndjehem si e shpisë!”-kujton Ylberja, për të cilën edhe martesa me djalë nga Kosova nuk përbën dilemë. “Unë s´mund të bëj dallime të tilla Ka rëndësi të ketë gjak shqiptari dhe për mua nuk përbën problem është nga Kosova apo nga Shqipëria. Dhe, po e gjeta një djalë të mirë besoj se më parë do të martohem në Kosovë, meqë tash jetoj këtu.” Nezir Balaj me banim në Pejë është ndër kosovarët e shumtë, të cilët mendojnë se shtetasit e Shqipërisë meritojnë një trajtim të veçantë nga shoqëria kosovare.
“Tani ne kemi në mesin tonë qytetarë të Shqipërisë, që janë shpërngulur në Kosovë. Prandaj ne si shoqëri kosovare duhet t´iu japim mundësi atyre që të integrohen dhe t´iu ofrojmë të gjitha mundësitë që kemi.

“ Sipas Drejtorisë për Migrim dhe të Huaj në kuadër të Policisë Kufitare, në periudhën janar-shtator 2009 për leje qëndrimi në Kosovë kane aplikuar 224 shtetas të Republikës së Shqipërisë.

210 prej tyre e kanë marrë lejen e qëndrimit. Ndërsa, Departamenti për Punë dhe Punësim në Ministrinë për Punë dhe Mirëqenie Sociale të Kosovës, kjo ministri ende nuk ka ndonjë evidencë mbi numrin e shtetasve të Republikës së Shqipërisë të punësuar në Republikën e Kosovës. /dw/ / Zhurnal /

Gjithashtu lexo

Vdes ish-kryeministri Bajram Rexhepi – (VIDEO)

Ish- kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi ka ndërruar jetë pas një sëmundje për të cilën …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *