Home / Sport / Perez fillon ‘pastrimin’, për fillim largohen gjashtë lojtarë

Perez fillon ‘pastrimin’, për fillim largohen gjashtë lojtarë

Rezultatet e dobëta dhe turpërimi në Kupën e Mbretit, ku u eliminuan nga një skuadër e kategorisë së tretë, do të sjellin “fshesën” te Reali i Madridit.

Mediat spanjolle kanë bërë të ditur se Florentino Perez i ka kërkuar Horge Valdanos dhe Migel Pardezas të gjejnë blerës për të paktën gjashtë lojtarë. Njëshi “merengues” është i irrituar nga paraqitjet jo të kënaqshme të “galaktikëve” dhe mendon se skuadra është e fryrë. Plani fillestar ishte që kontingjenti “të spastrohej” në fund të këtij sezoni, por tashmë Perez ka urdhëruar që disa futbollistë të shiten në merkaton e janarit. Sipas “El Mundo Deportivo”, objektivi është reduktimi i shpenzimeve të klubit për pagat e sportistëve. Guti mund t‘i shitet skuadrës që ofron më shumë. Ai do të qëndrojë vetëm nëse trajneri Manuel Pelegrini do t‘i bindë krerët e Realit se mesfushori 33-vjeçar është i vlefshëm për ekipin. Megjithatë, kjo duket e pamundur, duke pasur parasysh debatin që trajneri dhe Guti kanë pasur vetëm pak kohë më parë. Emra të tjerë, të cilët pritet të nxirren në shitje janë Mahamadu Diarra, Fernando Gago, Rud van Nistelroi, Jerzi Dudek, Rojston Drente dhe Kristof Metzelder. Pasi ka shpenzuar rreth 250 milionë euro gjatë verës, ku u afruan Kristiano Ronaldo, Kaka, Ksabi Alonso, Albiol e Benzema, Perez tashmë synon të sigurojë disa fonde për arkat e klubit.

Jashtë skuadrës rrezikon të mbetet edhe Raul. Largimi i kapitenit në një tjetër klub duket i pamundur, për imazhin dhe rekordet që sulmuesi spanjoll ka te Reali i Madridit. Për këtë arsye, presidenti do të përpiqet ta bindë lojtarin që të “varë këpucët në gozhdë” dhe të emërohet në një rol drejtuesi në klub. Edhe 32-vjeçarit nuk i pëlqen ideja që të mbetet i “abonuar” në stolin e rezervave dhe lamtumira nga futbolli i luajtur mund të jetë një mundësi. Gjatë këtij sezoni, shënuesi i 318 golave me fanellën madrilene ka qëndruar në stol katër herë në ndeshjet e kampionatit spanjoll dhe dy herë në Champions: një mesazh i qartë se ai nuk shihet më si zgjedhje e parë për repartin ofensiv. Pas një takimi me Perez, Raulit i është bërë e ditur se shiritin e kapitenit do ta marrë portieri Iker Kasiljas. Një goditje e fortë për ëndrrat e sulmuesit, i cili mendonte se do të luante edhe disa vjet në nivele të larta. Lojtari do të jetë 33 vjeç në fund të këtij edicioni dhe nëse vendos të largohet nga futbolli, detyra si drejtues te Reali është e tija.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *