Home / Sport / Frika nga Kosova

Frika nga Kosova

Disa përfaqësuese evropiane kanë filluar të frikësohen se Kosova do t’ua marrë futbollistët e vet pas pranimit në FIFA e UEFA. Së fundi ishte Zvicra që shprehu një shqetësim të tillë. Selektori i Kosovës, Albert Bunjaku, paralajmëron se do t’i ftojë të gjithë lojtarët që aktivizohen në përfaqësuese të ndryshme, para se ata të vendosin se për cilin shtet të luajnë.

Shumë përfaqësuese të shteteve evropiane në futboll, të cilat llogarisin në futbollistë kosovarë, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës kanë filluar të frikësohen se mund të mbesin pa lojtarët e tyre me prejardhje nga Kosova.

Kjo frikë vjen pasi drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) kanë treguar se llogarisin në shërbimet e tyre, menjëherë pas pranimit të saj në FIFA e UEFA.

Përfaqësuesja e Zvicrës është e fundit e cila po ballafaqohet me këtë frikë. Futbollisti kosovar Granit Xhaka, i cili me reprezentacionin U-17 të Zvicrës para pak ditëve, bashkë me vëllanë e tij Taulantin, i cili po ashtu është futbollist, erdhi për vizitë në Kosovë.

Granit dhe Taulant Xhakën i priti kreu i FFK-së, Fadil Vokrri, i cili që të dyve ua dhuroi nga një fanellë të përfaqësueses së Kosovës.

Gjatë atij takimi me kreun futbollit kosovar, i ati i të dy këtyre futbollistëve, Ragip Xhaka para medieve tha se djemtë e tij do t’i kthehen përfaqësueses së Kosovës menjëherë pas pranimit të FFK-së në FIFA.

Kjo deklaratë e Ragip Xhakës menjëherë është bërë temë diskutimi në mediet zvicerane, të cilat menjëherë kanë kontaktuar me nënën e Granit dhe Taulant Xhakës, e cila u ka thënë gazetarëve se të bijtë e saj do të vazhdojnë të luajnë me ekipin kombëtar të Zvicrës.

Një situatë e tillë pati ngjarë edhe në Finlandë rreth dy vëllezërve Përparim e Mehmet Hetemaj, të cilët luajnë me përfaqësuesen U-21 të Finlandës.

Ndërkohë, Shqipëria ka qenë vendi i parë ku mediet e kanë trajtuar mjaft shumë këtë temë pash shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008. Në atë kohë, këtë çështje e kanë trajtuar mediet e të gjitha shteteve që për reprezentacionet e tyre luajnë kosovarët.

Edhe selektori i përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaku, e pranon se për disa reprezentacione të huaja kjo çështje është e ndjeshme.

“Normalisht se për ato kombëtare, e veçmas për përfaqësueset A dhe U-21, të cilat kanë lojtarë kosovarë, kjo çështje është e ndejshme. Tek ato vende tani ekziston mendimi se çka të bëjmë pa këta lojtarë, nëse i kthehen Kosovës”, tha Bunjaku për Express.

Megjithatë, Bunjakut nuk i interesojnë dilemat e të tjerëve. Ai është i interesuar vetëm që t’ia krijojë një reprezentacion të fortë Kosovës në futboll.

“Unë dua ta mbroj integritetin e futbollistëve. Ne duhet t’i njoftojmë lojtarët tanë që luajnë jashtë Kosovës për të gjitha zhvillimet në futbollin kosovar. Një gjë të tillë do ta bëjmë nëpërmjet kontakteve të drejtpërdrejta me ta, nëpërmjet prindërve të tyre dhe në mënyra tjera”, theksoi Bunjaku.

Ai tha se lojtarët kosovarë që jetojnë jashtë vendit dhe të cilët nuk luajnë me kombëtare tjera, nuk do të jetë e vështirë për t’i bindur që të bëhen pjesë të përfaqësueses së Kosovës. Por, më e vështirë do të jetë që të binden ata lojtarë që janë të angazhuar në reprezentacione të huaja.

“Lojtarët e tillë, të cilët luajnë me kombëtare të huaja, do të mundohemi t’i bindim për t’iu kthyer përfaqësueses së Kosovës, duke u treguar me fakte se përfaqësuesja jonë është e organizuar mirë, tek ne punohet në mënyrë profesionale, jemi korrekt, kemi ambicie të mira, etj”, nënvizoi ai.

Pas kësaj, seleksionuesi kosovar tha se të gjithë futbollistëve kosovarë që luajnë jashtë vendit do t’u jepet rasti për të zgjedhur vetë ekipin e ardhshëm kombëtar të tyre – përfaqësuesen e Kosovës apo atë ku luajnë aktualisht.

Ndërsa numri i kosovarëve që luajnë për kombëtare të ndryshme në Evropë është i madh.

Huazuar nga www.gazetaexpress.com

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *