Home / Sport / Luan Krasniqi ndihmon boksin e Kosovës-Së shpejti në ring

Luan Krasniqi ndihmon boksin e Kosovës-Së shpejti në ring

Luan Krasniqi planifikon që në shkurt ose mars të vitit të ardhshëm, t’i kryqëzojë dorëzat me Aleksander Dimitrenkon. Ai tha se nuk do të ngutet që t’i rikthehet ringut, pasi çdo humbje do të thotë fund i karrierës. Boksieri kosovar synon ta mposhtë ukrainasin dhe t’i mbaj gjallë shpresat për ta fituar titullin e kampionit botëror. Krasniqi që këtyre ditëve ka ardhur në vendlindjen e tij, është shprehur i kënaqur për pritjen që i ka bërë FBOXK.

Pas anulimit të meçit ndaj Aleksander Dimitrenkos për shkak të një lëndimi, i cili ishte i paraparë që të zhvillohej më 28 nëntor, Luan Krasniqi ka ardhur për pushim në vendlindje.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, Luan Krasniqi tregoi se rimeçi ndaj boksierit ukrainas pritet ta zhvillojë në muajin shkurt apo mars të vitit që po vjen. Ai shpreson që do ta mposhtë Dimitrenkon, në mënyrë që t’i hapet sërish rruga për ta realizuar ëndrrën e tij – për ta fituar titullin e kampionit botëror.
“Meçin ndaj Dimitrenkos do ta zhvillojë në muajin e dytë apo të tretë të vitit që po vjen. Ky meç patjetër se do të zhvillohet, sepse kemi kontratë për ta zhvilluar këtë meç dhe është vetëm çështje kohe se kur do të zhvillohet”, deklaroi Krasniqi të martën në një konferencë për media të mbajtur në Prishtinë.
“Unë i kam humbur dy meçet e fundit. Por unë jam boksier profesionist. Ndihem se kam motivacion dhe jam në formë për t’u kthyer aty ku isha. Besoj se Luan Krasniqi do të fitojë në meçin ndaj Dimitrenkos dhe do të vazhdojë më tutje”, theksoi Krasniqi.
Ai tregoi edhe arsyen për të cilën e kishte shtyrë rimeçin ndaj Dimitrenkos, i cili ishte paraparë të zhvillohej më 28 nëntor në Oberhausen.
“Meçin ndaj Dimitrenkos, i cili ishte i paraparë të zhvillohej për Ditën e flamurit kombëtar, më 28 nëntor, u detyrova ta anuloj, sepse e lëndova këmbën. Unë nuk doja të rrezikoja asgjë, sepse tani çdo humbje për mua do të ishte edhe fundi”, shtoi Krasniqi, i cili kishte humbur luftën me ukrainasin në meçin e parë.

Krasniqi lobon për Kosovës

Gjatë qëndrimit në Kosovë, boksieri junikas vizitoi edhe zyrat e Federatës së Boksit të Kosovës (FBOXK), ku u prit nga udhëheqësit e boksit kosovar.
Zyrtarët e FBOXK-së e falënderuan Luan Krasniqin, i cili po lobon rreth inkuadrimit të FBOXK-së në Federatën Botërore të Boksit. Ndërsa, 38-vjeçari premtoi se do të angazhohet edhe më tej në këtë drejtim.
“Dëshira ime është që ta shoh Federatën e Kosovës si anëtare të Federatës botërore. Unë kam lobuar në këtë drejtim, po vazhdoj të loboj dhe njëjtë do të veproj edhe në të ardhmen. Ekzistojnë disa probleme rreth pranimit të Kosovës në Federatën botërore, por ato probleme do të zgjidhen posa Kosova ta mbërrijë numrin 100 të njohjeve ndërkombëtare”, tha Krasniqi.
Boksieri me prejardhje nga Juniku, gjatë kësaj vizite ua la një porosi edhe liderëve politikë të Kosovës.
“Nuk kam lidhje shumë me politikë. Por, mendimi im është se politika kosovare duhet t’i kushtojë më shumë rëndësi sportit kosovar. Them kështu, sepse prezenca e një sportisti kosovar në Lojëra Olimpike apo Kampionat botëror, etj, do të thoshte shumë për shtetin e Kosovës”, pohoi Krasniqi.

Ndihmon përfaqësuesen e Kosovës

Pasi ishte përgatitur që të vijë në Kosovë, Luan Krasniqi kishte vendosur që të mos vijë në vendlindje duarthatë. Ai në formë ndihme ka sjellë në atdhe pajisje të konsiderueshme sportive enkas për përfaqësuesen e Kosovës në boks.

“Këto pajisje t’i shërbejnë reprezentacionit të Kosovës për sukses. Kjo lloj ndihmese nga ana ime do të jetë vetëm fillimi dhe se do të veproj njëjtë edhe në të ardhmen. Unë besoj se Kosova do të arrijë suksese në boks, ashtu siç ka arritur suksese edhe vite më parë”, tha Krasniqi.

Ndërsa, në emër të FBOXK-së, Mehmet Bogujevci e falënderoi Krasniqin për ndihmat që ia dhuroi përfaqësueses së Kosovës në boks.

Gjithashtu lexo

City: 300 mln euro për Messi-n – (VIDEO)

Klubi anglez, Mançester Sity është i gatshëm të bëjë çmendurinë e radhës në tregun e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *