Home / Sport / Në histori të Sunderlandit

Në histori të Sunderlandit

Lorik Cana dëshiron ta fusë veten në librin e historisë së klubit Sunderland. Ai synon që lojën e tij me zemër dhe shpirt luftarak ta ndjekin edhe futbollistët e tjerë të ekipit, në mënyrë që “Macet e Zeza” ta ndryshojnë mentalitetin dhe t’u rikthehen sukseseve.

Lorik Cana planifikon që ta shkruajë një kapitull të ri në histori të Sunderland, pasi shpejt e bëri veten qendër të karakterit të klubit. Ambicie e tij gjatë kohës sa do të jetë në Sunderland është që ta fusë veten në librin e historisë së këtij klubi.

Cana nuk dëshiron gjë tjetër veçse të endet rreth kështjellave dhe shtëpive madhështore rreth verilindjes në kohën e tij të lirë tek Sunderland.

“Ju mund të mësoni gjithmonë nga e kaluara. Kjo është pse dëshiroj të lexoj për të kaluarën. Sunderland është një klub që ka fituar shumë tituj në pjesë të ndryshme të historisë së tij, por nga ajo kohë kishte probleme të ndryshme. Gjëja më e rëndësishme tash është që ta ndryshojmë mentalitetin e klubit dhe të çdokujt në qytet”, theksoi Cana për të përditshmen angleze Daily Express.

Ai shtoi se epoka e re dhe aktorët e parë të klubit janë futbollistët. Sunderland tash ka menaxher të ri dhe futbollistë të rinj. Kjo i jep gjithkujt besim që të bëhet më mirë, shton 26 vjeçari.

“Para një muaji ne i takuam ish futbollistët e ekipit të Sunderland, i cili e kishte fituar trofeun FA Cup në vitin 1973, të cilët më treguan shumë gjëra rreth klubit. Është një klub i madh, i cili nuk ishte i suksesshëm në 30 vjetët e fundit. Megjithatë, unë e di historinë e tij, por edhe të shumë klubeve angleze. Unë dëshiroj të bëhem pjesë e ekipit, i cili do ta ngritë Sunderlandin në nivelin e së kaluarës”, shtoi Cana.

Kapiteni i “Maceve të Zeza” nuk e ka kaluar ende gjysmën e sezonit në Angli, por ai është bërë menjëherë hero i ekipit, i cili me Canën është ngritur në mesin e tabelës.

“Jam i interesuar në gjithçka që ka të bëjë rreth historisë dhe të së kaluarës së klubit”, tha Cana i cili pastaj filloi një deklaratë të përzemërt për mënyrën se si ai dhe ekipi i tij duhet të luajë.

“Nëse Sunderland është një armatë që shkon në luftë, kualiteti më i madh i këtij ekipi është zemra. Ne luajmë me pasion dhe sulmojmë shumë mirë. Kualiteti im më i madh është se luaj me zemër. Përcaktimi im dhe entuziazmi më kanë ndihmuar të kem suksese”, shtoi Cana.

Sipas tij, futbollistët anglezë janë mjaft të fortë dhe me karakteristika të ndryshme, ngase në Premierligë luajnë futbollistë nga tërë bota.

“Mentaliteti, pasioni dhe shpirti luftarak janë gjërat që e karakterizojnë futbollin anglez”, vazhdoi ish futbollisti i Marseilles.

Cana shpjegon se pasionin e kishte marrë në kohën kur luante në Francë, ndërsa shpirtin luftarak e kishte që nga fillimi i karrierës së tij. Por, më e rëndësishmja për mesfushorin kosovar është që t’i mbajë këto dhunti gjallë në çdo ndeshje, duke e dhënë maksimumin.

“Nganjëherë futbollistët kanë kualitet të madh, por ndoshta jo sa duhet zemër dhe shpirt luftarak. Kjo është pjesa më e rëndësishme e lojës sime. Këtë e pres nga çdonjëri futbollist”, përfundoi Cana.

Gjithashtu lexo

City: 300 mln euro për Messi-n – (VIDEO)

Klubi anglez, Mançester Sity është i gatshëm të bëjë çmendurinë e radhës në tregun e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *