Home / Lajme / Maqedoni / Nga mesnata banorët e Maqedonisë pa viza

Nga mesnata banorët e Maqedonisë pa viza

18 dhjetor-
Me vendimin që e miratoi Këshilli i ministrave të punëve të jashtme dhe të drejtësisë të vendeve anëtare të BE-së në fund të nëntorit, qytetarët e Maqedonisë lirohen nga nxjerrja e vizave për qëndrim në afat të shkurtër prej 90 ditësh në afat prej gjashtë muajsh, gjegjësisht deri 180 ditë në afat prej një viti.

Urim Hasipi
Hapësira evropiane e shengenit me pesëqind milionë banorë dhe territor prej 4,3 milionë kilometra katëror prej sonte në mesnatë bëhet e afrueshme për udhëtim për qytetarët e Maqedonisë pa viza.

Me vendimin që e miratoi Këshilli i ministrave të punëve të jashtme dhe të drejtësisë të vendeve anëtare të BE-së në fund të nëntorit, qytetarët e Maqedonisë lirohen nga nxjerrja e vizave për qëndrim në afat të shkurtër prej 90 ditësh në afat prej gjashtë muajsh, gjegjësisht deri 180 ditë në afat prej një viti.

Pa viza do të mund të udhëtojnë vetëm personat që posedojnë pasaportë biometrike. Për qytetarët me pasaporta të vjetra do të vazhdojnë kushtet për lehtësimin e regjimit të vizave gjegjësisht do të duhet të nxjerrin vizë shengen.

Liberalizimi i vizave banorëve të Maqedonisë do t’u mundësojë udhëtim në 25 vendet anëtare të BE-së me përjashtim të Britanisë së Madhe dhe Irlandës, dhe tre vendeve tjera evropiane, Norvegjisë, Zvicrës dhe Islandës.

Për hyrje në këto vende do të zbatohen procedura standarde për udhëtarë të vendeve të treta gjatë të cilës nëpunësi kufitar mund të kërkojë arsyetim për udhëtimin, vendqëndrimin dhe mundësinë e mbulimit të shpenzimeve financiare për udhëtim. Për ato persona të cilët nuk kanë mundësi ta financojnë qëndrimin e tyre do të kërkohet të parashtrojnë letër garantimi nga personi ku do të qëndrojnë.

Heqja e vizave ka të bëjë edhe me Greqinë ku për hyrje qytetarët do të duhet të paraqesin listë në të cilën do të duhet të vendosen vulat hyrje/dale. Listat mund të merren në Zyrën e lidhjeve në Shkup dhe në Kosullatën greke në Manastir, si dhe në vendkalimet kufitare. Këto lista qytetarët do të duhet t’i ruajnë gjatë qëndrimit në Greqi dhe në vendet tjera të shengen zonës, por edhe një vit pas udhëtimit të fundit në Greqi. Krahas pasaportës biometrike dhe listës ku do të vihen vulat, në vendkalimet kufitare, shtetasve të Maqedonisë mund t’i kërkohet dokument me të cilin do të duhet ta arsyetojnë qëllimin e vizitës së tyre dhe kushtet me të cilat do të udhëtojnë në Greqi. E obligueshme për të gjithë qytetarët është sigurimi shëndetësor, kurse ata do të duhet të kanë edhe dokumente me të cilën do të dëshmojnë se janë të punësuar, studentë apo pensionistë, si dhe nga 50 euro për çdo ditë të planifikuar për qëndrim në Greqi.

Viza nuk duhet as për udhëtime në Bullgari dhe në Rumani të cilat akoma nuk i kanë plotësuar kushtet për hyrje në sistemin e shengenit, por i zbatojnë rregullat e tij. Shtetasit e Maqedonisë prej nesër do të munden pa viza të hyjnë në Bullgari, por vetëm nëse posedojnë pasaporta biometrike. Ata me dokumenta të vjetër udhëtimi edhe më tej do të duhet të nxjerrin viza. Shtetasit e Maqedonisë do të mund të qëndrojnë në Bullgari më së shumti 90 ditë gjatë gjashtë muajve. Për qëndrim më të gjatë është e nevojshme vizë përkatëse afatgjate.

Delegacioni i Komisionit Evropian në Shkup para fillimit të regjimit pa viza me qëllim të informimit të opinionit për kushtet e zbatimit të tij përgatiti dhe distribuoi fletëpalosje me të gjitha informacionet e domosdoshme, e cila është vendosur edhe në ueb faqen e tij. Në mesin e rekomandimeve të qytetarëve të Maqedonisë u sugjerohet të kenë kujdes gjatë zgjedhjes së agjencisë turistike me të cilën do të udhëtojnë, të sigurojnë sigurim rrugor dhe shëndetësor, ndërsa në rast udhëtimi me automjet personal të posedojnë patentë ndërkombëtare dhe karton të gjelbër për automjetin. Nga Misioni përkujtojnë se megjithatë për qëndrim më të gjatë, studime apo punë në vendett e BE-së do të nevojiten viza.

Më rastin e regjimit pa viza në Maqedoni sot do të organizohen më shumë ngjarje. Ngjarja qendrore është titulluar si “Dita e bardhë -Maqedonia pa viza”. Në kremtim i cili do të zgjasë deri vonë natën do të performojnë artistë me renome nga Maqedonia të skenës popullore dhe zbavitëse, si dhe mysafirët Zdravko Çoliq dhe “Fetboj slim”.

Fillimin për regjimin pa viza, të shtunën në kalimin kufitar Deve Bair – Gjueshevë do ta shënojnë presidentët e Maqedonisë dhe i Bullgarisë, Gjorge Ivanov dhe Georgi Përvanov, me ngritjen e përbashkët simbolike të barrierës kufitare. Ivanov dhe Përvanov, pastaj do të shkojnë për në Bansko ku do të kenë tet-a-tet takim.

Qeveria e Maqedonisë nesër organizon udhëtim njëditor falas në Paris për njëqind qytetarë, të selektuar sipas zgjedhjes së rastësishme të cilët do të jenë shtetasit e parë të Maqedonisë të cilët do t’i ndjejnë përfitimet nga udhëtimi pa viza dhe të frymës evropiane.

Ata do të kryesohen nga zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Vasko Naumovski dhe ministrja e Punëve të Brendshme Gordana Jankulloska, të shoqëruar nga njëzet studentët më të mirë nga universitetet shtetërore dhe private në vend dhe nga grupi i gazetarëve.

BE i pezulloi vizat për qytetarët e Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të Zi, pasi misionet e ekspertëve konfirmuan se tri vendet i kanë plotësuar kushtet nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave. Me propozimin e Sllovenisë vendimi me të cilin tri vendet janë transferuar nga shengen lista e zezë në atë të bardhë, në vend se prej 1 janarit siç ka premtuar KE-ja, hyn në fuqi prej sonte në mesnatë. Me këtë mundësohet qytetarët e Maqedonisë t’i kalojnë festat e Krishtlindjeve dhe të Vitit të Ri me familjarët dhe miqtë e tyre në vendet e BE-së.

Gjithashtu lexo

Armata e Maqedonisë shënon 25 vjetorin e formimit të saj

Armata e Republikës së Maqedonisë sot shënon 25 vjet nga formimi i saj. Solemniteti qendror është …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *