Home / Sport / Rast Special

Rast Special

Shorti më interesant i vitit është ai që Jose Mourinho’n e rikthen në Londër, për t’u përballuar me dashurinë e tij të vjetër, Chelsea’n. Këtë takim, “Special One” e kishte pritur.

E quajnë arrogant, por e pranojnë si gjeni të futbollit, disa e duan shumë, e të tjerë e urrejnë po aq.
Si i tillë, Jose Mourinho mbetet trajneri më i përfolur në botë, edhe për vitin 2009, i cili shënoi një periudhë “lufte” të tij me mediat, gjyqtarët dhe kolegët rivalë, në Itali.
Disa herë zgjodhi heshtjen. Por, sërish mediat nuk u ndalën. Ai u bë kryelajm, jo vetëm sa herë që e hapte gojën, por edhe kur e mbyllte atë.
Strategu portugez asnjëherë nuk gjeti paqe me gazetarët në Itali.
Ai është i zhgënjyer që ata nuk i kushtojnë rëndësi futbollit, por më shumë kanë lakmi për polemikat. Sipas tij, kjo është arsyeja pse Serie A ka mbetur pas Spanjës dhe Anglisë, meqë në Itali nuk ka aq pasion për futbollin dhe përmirësimin e kualitetit të tij. Në një deklaratë, e cila do të mund të konsiderohej si “analiza e vitit” për futbollin italian, Mourinho ka zbërthyer problemin kryesor.

“Askush nuk brengoset për faktin që Lecce luajti kundër nesh me tre portierë dhe tetë mbrojtës. Në vend të kësaj, mediat donin ta dinin pse ndihmësi im Baresi ishte në konferencë për media, e jo unë”.

Kështu, ai kritikoi fokusin e gabuar të mediave italiane.
Viti 2009, për portugezin e veçantë, përpos kartonëve të kuq, polemikave të mëdha, spekulimeve të shumta, në fund solli një befasi.
Shorti i Ligës së Kampionëve deshi që Jose Mourinho të rikthehet në Stamford Bridge, me ekipin e tij Inter. Aty ky portugezi mbetet një figurë ikonë, lider karizmatik që solli titujt pas 50 vjetësh në Londër.
Këtë takim me Chelsea’n, Mourinho e kishte pritur nga shtatori i vitit 2007, kur u nda nga ekipi dhe tifozët, për të cilët thoshte se do të jetë një dashuri që nuk do të përfundojë asnjëherë.

“E prisja, sepse gjithmonë ishte kështu: kur e lashë aventurën si trajner tek Porto, kam luajtur për dy vjet radhazi në Ligën e Kampionëve kundër ish ekipit tim. Kur jam larguar nga Barcelona, kam luajtur tetë ndeshje kundër tyre. E njëjta ka ndodhur edhe kur u largova nga Chelsea. Kështu që do të duhej të ndodhte këtë vit. Historia më sjell gjithmonë që të takohem sërish me ish ekipet e mia”.

Mediat angleze thonë se zbritja e Jose Mourinhos në Londër do të jetë speciale, ndërsa adhuruesit e tij do ta rezervojnë një pritje të ngrohtë dhe të paharrueshme për njeriun që krijoi histori në Chelsea.

Gjithashtu lexo

Osmani: Bëmë gabime në mbrojtje, do të ndryshojmë në lojën e ardhshme

Trajneri i Shkëndijës së Tetovës, Qatip Osmani nuk e ka përjetuar mirë humbjen nga Milani. …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *