Home / Sport / 2009 – Viti i shkëlqimit të Barcelonës

2009 – Viti i shkëlqimit të Barcelonës

Barcelona hyri në histori të futbollit si ekipi i vetëm që fitoi gjashtë tituj brenda një sezoni, çdo garë në të cilën mori pjesë. Ky ishte viti i gjigantit katalan, i cili vari në qafë të gjitha medaljet e arta. Natyrisht, pa yllin e saj Lionel Messi – kjo do të ishte e pamundur. Argjentinasi u konfirmua si më i miri në Botë.

Kanë qenë shumë ekipe të shkëlqyera dhe sezone të jashtëzakonshme në botën e futbollit. Por, Barcelona dominoi gjatë vitit 2009 dhe arriti atë që pa dyshim se është viti më i suksesshëm i një klubi në histori të futbollit ndërkombëtar.

Argumenti më bindës për vendosjen e Barcelonës në krye është rekordi i tyre. Ata kanë marrë pjesë në gjashtë gara dhe i kanë fituar të gjitha. Ky fakt në vete është arritje e jashtëzakonshme, por jo e vetmja gjë të cilën duhet konsideruar.

Barcelona njihet për lojën e saj të bukur me shumë pasime të shkurta, aftësi teknike dhe përfundim efektiv të aksioneve. Më 2009 ata nuk treguan vetëm bukurinë, por edhe zemrën në momentet vendimtare.

Barcelona fitoi Ligën e Kampionëve, duke mposhtur në finale Manchester United me rezultat 2-0. Gjiganti katalan fitoi edhe La Ligan, duke i rezistuar konkurrencës nga Real Madrid.

Superkupa evropiane nuk ishte ndeshje e lehtë, por Barcelona edhe një herë tregoi shpirtin e vet nëpërmjet lojës së bukur, duke fituar me golin e Pedros në lojën shtesë kundër fituesit të Kupës UEFA, Shakhtar Donetsk.

Superkupa e Spanjës dhe Kupa e Spanjës ishin dy tituj të tjerë që i fitoi Barcelona. Ata i qëndruan besnik stilit të tyre dhe ky dominim nuk u shpreh vetëm në ligë. Në fund erdhi Kampionati Botëror i Klubeve, që ishte pengesa e fundit të cilën duhej ta kalonte Barcelona.

Jo vetëm që ishte kjo mundësia për të fituar titullin e fundit, por ishte rast për të hyrë në histori si klubi i vetëm që ka fituar të gjithë titujt brenda një sezoni. Edhe pse me shumë vështirësi (duke barazuar rezultatin në minutën e 89-të nëpërmjet Pedros), Barcelona arriti të fitojë në lojën shtesë duke mposhtur 2-1 kampionin e Amerikës së Jugut, Estudiantes.

Golin e fitores e shënoi Lionel Messi. 2009 nuk ishte vit magjik vetëm për Barcelonën, por për mbarë botën e futbollit. Tifozët në mbarë botën kishin mundësi të shikojnë futboll të luajtur në shkallën më të lartë.

Messi, më i miri në botë

Lionel Messi u shpall futbollisti më i mirë në botë për vitin 2009 nga FIFA, ndërsa fitoi edhe Topin e Artë të Evropës. Ylli argjentinas tregoi formë të shkëlqyeshme gjithë vitin dhe arsyetoi epitetin e më të mirit në botë. Nuk ka rëndësi nëse kundërshtar është Manchester United në finalen e Ligës së Kampionëve ose Numancia në La Liga, Messi është gjithmonë Messi. Ai u bë futbollisti i parë argjentinas që fitoi çmimin e futbollistit më të mirë në botë – por pa dyshim se e meritoi.

Sulmuesi 22 vjeç ishte futbollisti kryesor i Barcelonës në triumfin e tyre të plotë gjatë vitit 2009 dhe ishte ai i cili shkroi historinë e klubit dhe të tijën personale me paraqitjet që tregoi.

Messi u paraqit në 51 ndeshje të Barcelonës sezonin e kaluar, shënoi 38 gola dhe asistoi në 18 të tjerë, duke treguar se është futbollist ekipor si dhe individualist i shkëlqyer.

Deri më tani gjatë këtij sezoni ai ka vazhduar aty ku e kishte lënë edicionin e kaluar. Përveç 9 golave në 13 paraqitje në La Liga, ai ka shënuar dy herë në Superkupën e Spanjës kundër Athletic Bilbaos, ndërsa asistoi për Pedron kundër Shakhtar Donetsk në Superkupën e Evropës në Monaco. Nëse vazhdon kështu, kush do të jetë kundër tij që të shpallet më i miri edhe për vitin 2010?

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *