Home / Lajme / Botë / Ban Ki-mun: Situata në Kosovë relativisht e qetë, por e brishtë

Ban Ki-mun: Situata në Kosovë relativisht e qetë, por e brishtë

16 janar
Ban rithekson zotimin e UNMIK-ut se do të vazhdojë të ndihmojë në angazhimin e palëve për të gjetur zgjidhje për çështje praktike dhe nënvizon vështirësitë në fushën e drejtësisë, të doganave dhe të trashëgimisë kulturore.

Urim Hasipi
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-mun, e ka bërë publik raportin më të ri mbi zhvillimet në Kosovë, në të cilin bën thirrje për një inkuadrim të Kosovës në bashkëpunim rajonal, ndërkaq situatën e ka quajtur si “të brishtë, por të qetë”.

Raporti prej 15 faqesh është më tepër përshkrues i zhvillimeve në tremujorin e fundit të vitit që e lamë pas, ndonëse një risi është thirrja që sekretari Ban Ki-mun iu drejton Prishtinës dhe Beogradit, siç thotë, që të “lënë mënjanë çështjen e statusit dhe të bisedojnë për çështje praktike të bashkëpunimit rajonal”.

“Unë bëj thirrje për pragmatizëm dhe gjetjen e një formule kur është fjala te pjesëmarrja e Kosovës në mekanizmat rajonal dhe në forume që janë esenciale për një zhvillim ekonomik dhe demokratik dhe për një stabilitet afatgjatë të rajonit”, thotë Ban në raportin e tij.

Sekretari i Përgjithshëm i KB-së thotë se ka pasur ngecje në çështje të marrëveshjeve praktike, siç është ajo e trashëgimisë kulturore. Ai thotë se do të mbështeste një iniciativë nga BE për të emëruar një të dërguar të posaçëm për çështje të trashëgimisë kulturore në interes të të gjitha palëve.

Për zhvillimin më të rëndësishëm gjatë kësaj periudhe kohore, zgjedhjet lokale, Ban thotë se janë mbajtur në një atmosferë paqësore, zgjedhje të cilat vëzhguesit ndërkombëtar i kanë vlerësuar se kanë përmbushur standardet demokratike.

Ban rithekson zotimin e UNMIK-ut se do të vazhdojë të ndihmojë në angazhimin e palëve për të gjetur zgjidhje për çështje praktike dhe nënvizon vështirësitë në fushën e drejtësisë, të doganave dhe të trashëgimisë kulturore.

Lidhur me gjendjen në veri të vendit, sekretari i përgjithshëm i KB-së thotë se ka pasur rënie të tensioneve megjithëse shqetësojnë incidentet ndëretnike që vazhdojnë të ndodhin në Mitrovicë.

Së këndejmi, thotë Ban, synimi strategjik i UNMIK-ut është promovimi i sigurisë, stabilitetit dhe të drejtave të njeriut në Kosovë dhe në rajon.

Raportin e Sekretarit Ban do ta shqyrtojë Këshilli i Sigurimit në një seancë që mbahet të premten e ardhshme, më 22 janar në Nju-Jork.

Gjithashtu lexo

Tërmet i fortë e goditi pjesën jugore të Altlantikut

Një tërmet me intensitet prej 6,7 ballësh sipas shkallës Rihter e goditi sot pjesën jugore …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *