Home / Sport / Cana u kërkon falje tifozëve

Cana u kërkon falje tifozëve

Lorik Cana u ka kërkuar falje tifozëve, pas humbjes shokuese të Sunderlandit nga Chelsea me rezultat 7:2. Mesfushori kosovar e ka marrë përgjegjësinë për ‘horrorin’ e Stamford Bridges, ndërsa ka kërkuar mobilizim për t’iu rikthyer rezultateve që nga ndeshja e ardhshme, kundër Everton.

Lorik Cana ndihet i shokuar pas humbjes turpëruese të Sunderlandit me rezultat 7:2 nga Chelsea në stadiumin Stamford Bridge. Mesfushori kosovar thotë se pas kësaj humbjeje ‘horror’, kishte ardhur koha që ai dhe futbollistët e tjerë të “Maceve të Zeza”, t’i ngrisin duart lart dhe ta marrin përgjegjësinë.

Cana ishte vendosur si qendër mbrojtës nga menaxheri Steve Bruce, pasi disa futbollistë ishin të suspenduar, por kishte prej tyre edhe të lënduar. Por, paraqitja e mesfushorit kosovar ishte absolutisht katastrofale, duke qenë protagonist negativ në pesë golat e para të Chelseas.

“Ne të gjithë jemi të shokuar për atë që ndodhi. Ne nuk ishim në nivelin e pranueshëm, e për këtë nuk ka pardon. Ne ishim shumë të dobët, posaçërisht në 15 minutat e parë. Pas kësaj, ishte mjaft vështirë, e në anën tjetër, ishte shumë më lehtë për Chelsean. Këto gjëra duhet t’i ndryshojmë javën që vjen”, ka thënë Cana i zhgënjyer për të përditshmen britanike, Mirror.

26 vjeçari e pranon se kjo nuk ishte dita e tij më e mirë, pasi bëri lëshime që nuk guxojnë t’i ndodhin një futbollisti siç ai. Cana ishte fenomenal kundër Liverpool, pikërisht në pozitën e qendërmbrojtësit.

“Unë kurrë nuk kam qenë i involvuar në gola si këto. Unë kam luajtur tek ekipet që kanë vuajtur në humbje, por unë nuk kam qenë kurrë pjesë e ekipit që pëson shtatë gola në një ndeshje. Kjo me të vërtet dhemb”, vazhdoi ai.

Cana thekson se Sunderland u mundua t’i ndryshonte gjërat në pjesën e dytë, e cila sipas tij ishte pak më e mirë, por u vërejt qartë diferenca ndërmjet dy ekipeve.

Megjithatë, ai kërkon që në ndeshjet e ardhshme, Sunderland t’u kthehet rezultateve pozitive, të cilat i mungojnë qe një kohë në Premierligë.

“Ne jemi të gjithë profesionistë dhe e dimë se mund të luajmë më mirë, pasi që për Chelsean ishte shumë e lehtë ndaj nesh. Ne kemi shumë fansa që bënë rrugë të gjatë drejt Londrës, dhe ne ndiejmë keqardhje ndaj tyre, u kërkojmë falje. Por, unë jam i sigurt se ata nuk do të heqin dorë”, përfundoi Lorik Cana.

Pas kësaj humbjeje, Sunderland ka zbritur në vendin e 13-të në Premierligë, pozita më e keqe e këtij sezoni për këtë ekip. “Macet e Zeza”, të cilat kanë 23 pikë, xhiron e ardhshme do të jetë mysafir i Evertonit.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *