Home / Sport / Hasan, Alievski dhe Miftari: ‘U larguam vetë’.

Hasan, Alievski dhe Miftari: ‘U larguam vetë’.

Lajmi se FC Prishtina nuk llogarit në shërbimet e tyre i ka befasuar Ertan Hasanin, Vebi Alievskin e Dardan Miftarin. Ata thonë se janë larguar vetë nga klubi bardhekaltër, për shkak të moskryerjes së obligimeve ndaj tyre. Drejtuesit e kampionit aktual këmbëngulin se nuk kanë borxh asnjë cent ndaj këtyre futbollistëve.

Tre futbollistët shqiptarë nga Maqedonia, Vebi Alievski, Ertan Hasan dhe Dardan Miftari, janë befasuar kur kanë dëgjuar lajmin se drejtuesit e FC Prishtinës i kanë liruar nga klubi, pasi trajneri Skënder Shengyli nuk llogarit në shërbimet e tyre.

Tashmë tre ish-anëtarët e kampionit aktual të Kosovës, thonë se ishin vetë ata që u larguan nga klubi bardhekaltër, e jo siç pretendon FC Prishtina se i ka lënë të lirë, pasi nuk llogarit në ta për sezonin pranveror.

Sipas treshes shqiptare nga Maqedonia, mosmarrja e pagave për dy muaj si dhe disa premi që arrijnë shifrën 5000 euro, janë arsyet kryesore pse kanë marrë vendim të kthehen në vendlindje.

“Nuk është e vërtetë se na kanë larguar. Ne jemi larguar vetë, e jo siç thonë ata që na kanë larguar. Ne i kemi paralajmëruar që një muaj se, nëse nuk na kthejnë borxhin, do të largoheshim”, ka thënë portieri Dardan Miftari.

Ish-portieri i skuadrës tetovare “Shkëndija” dhe i “Bashkimit” nga Kumanova ka thënë se klubi nuk mbahet me gënjeshtra, me llafe dhe me marketing, por me para.

“Ne i kemi kontratat dhe po të doni, ua tregojmë. Prishtina duhet të pastrohet në krye, pasi ky klub ka imazh të mirë, të gjithë e kanë dashur këtë klub, edhe këtu në Maqedoni. Prishtina nuk meriton të udhëhiqet nga njerëz si Afrim Muçiqi”, vazhdoi Miftari, i cili nuk e ka ndërmend ta thërrasë më në telefon askënd në Prishtinë.

Sipas Miftarit, kryesia e klubit prishtinas e ka harruar menjëherë faktin se ishin pikërisht futbollistët nga Maqedonia, ata që e këndellën këtë ekip, kur po përjetonte një krizë të thellë të rezultateve.

“Kur shkuam ne, Prishtina qëndronte vazhdimisht në pozitën e fundit dhe nuk merrte pikë askund. Unë personalisht, në 5 ndeshje nuk kam pësuar gol. Ne e këndellëm ekipin dhe u ngrit lart. Në të kundërtën, do të mbetej aty ku ishte”, vazhdoi ai.

Edhe mbrojtësi Alivski ankohet se Prishtina nuk e ka respektuar aspak kontratën që kishin nënshkruar, përfshirë këtu edhe gjërat elementare, si vendbanimi, ushqimi etj. Sidoqoftë, ata nuk e kanë ndërmend t’i hyjnë kësaj pune me gjyq.

“Ne qëndruam deri tash në Prishtinë vetëm për hatër të shoqërisë, sepse nuk ia vlente për diçka tjetër. Unë bisedova me ta para 3-4 minutash dhe e pranuan se na kanë borxh, e Muçiqi del në opinion e thotë që nuk na kanë borxh. Gjithçka le të mbetet në dorë të Zotit. Nëse janë ferr, le të na paguajnë paratë”, tha Alievski.

Në anën tjetër, nënkryetari Afrim Muçiqi, këmbëngul se Prishtina nuk ka borxh asnjë cent ndaj këtyre futbollistëve. “Nuk është e vërtetë që u kemi borxh aq sa thonë. Prishtina nuk u ka paguar lojtarëve vetëm rrogën e muajit janar, e dihet se janari nuk ka përfunduar ende”, ishte i shkurtër ai.

Sido që të jetë, eksperienca e futbollistëve shqiptarë nga Maqedonia në Kosovë doli të ishte mjaft e shkurtër (përpos Hasan-it, që luante edhe më parë për Prishtinën). Ata u kthyen në shtëpi me përshtypje dhe me bindje të keqe nga klubi më i madh në Kosovë, të cilin e kishin paramenduar ndryshe.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *