Home / Lajme / Maqedoni / Kosova kërkon një ambasador dinjitoz për Maqedoni

Kosova kërkon një ambasador dinjitoz për Maqedoni

13 janar-
Albana Beqiri, Zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme, ka konfirmuar të martën për Express se numri i kandidatëve që kanë aplikuar në konkursin për Ambasador të Kosovës në Maqedoni, ka qenë i vogël.

Ministria e Punëve të Jashtme, sipas të gjitha gjasave, do ta rishpallë Konkursin për Ambasador të Kosovës në Maqedoni. Drejtuesit e saj konsiderojnë se kandidatët që kanë aplikuar deri më tash, nuk janë të denjë për t’u dërguar në shtetin fqinj. Ata po kërkojnë një Ambasador Dinjitoz.

Përmendja e emrit të Sergjan Senticit, Shef i Zyrës për Komunitete në Kabinetin e Kryeministrit Hashim Thaçi, i ka stopuar kandidatët “dinjitozë” që të aplikojnë në konkursin për Ambasador të Republikës së Kosovës në Maqedoni.

Kështu, për post të Ambasadorit kosovar në Shkup kanë aplikuar vetëm dymbëdhjetë kandidatë, të cilët nuk po ua mbushin syrin përfaqësuesve të diplomacisë kosovare.

Expressi ka mësuar nga një zyrtar i lartë në MPJ se Ministri Skënder Hyseni do të kërkojë rishpallje të konkursit për Ambasador në Maqedoni, në mënyrë që të përzgjidhet një njeri më përfaqësues.

“Thjesht njerëzit që kanë aplikuar, ne konsiderojmë se nuk janë përfaqësues dinjitozë. Kemi pritur më shumë. Duket qartë se përmendja e mëhershme e emrit të Sergjan Senticit i ka stopuar kandidatët më përfaqësues që të aplikojnë, ngase kanë menduar që pasi Sentici punon në kabinetin e Kryeministrit, ajo punë është e kryer. Por unë mund t’u them se Sentic madje nuk ka aplikuar fare në konkurs”, ka thënë zyrtari i lartë i MPJ’së, në kushte anonimiteti.

Sipas këtij burimi, intervistimi i kandidatëve ka përfunduar të hënën.

Ky zyrtar, po ashtu, ka thënë se për shkak të rëndësisë që të dërgohet sa më parë përfaqësuesi i Kosovës në Shkup, në Ministrinë e Punëve të Jashtme qarkullon ideja që të emërohet një i ngarkuar me punë.

“Duke pasur parasysh se me rishpalljen e konkursit, më pastaj intervistimi i kandidatëve dhe përzgjedhja e tyre merr kohë, ne po mendojmë se duhet që menjëherë të dërgojmë një të Ngarkuar me Punë në Shkup”, ka thënë burimi i gazetës.

Albana Beqiri, Zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme, ka konfirmuar të martën për Express se numri i kandidatëve që kanë aplikuar në konkursin për Ambasador të Kosovës në Maqedoni, ka qenë i vogël.

“Vetëm dymbëdhjetë kandidatë kanë plotësuar kushtet që të thirren në intervistim. Paneli dje ka kryer intervistimin e kandidatëve dhe tani pritet vlerësimi i tyre”, ka deklaruar Beqiri, të martën.

Sipas saj, Ministria e Jashtme është e interesuar që në stafin e saj diplomatik të ketë njerëz përfaqësues dhe nëse një kriter të tillë nuk e plotësojnë dymbëdhjetë të intervistuarit për Ambasador në Maqedoni, atëherë ndodh rishpallja e konkursit.

“Aktualisht ne nuk mund të paragjykojmë për rezultatin. Ministri ende nuk ka një rezultat në dorë. Nëse paneli vendos që emrat nuk janë përfaqësues, siç po e quani ju, atëherë nuk është fundi i botës, gjithmonë zgjidhje”.

Por, cila është zgjidhja?

“Mund të shkohet edhe te rishpallja e konkursit. Ministria e Punëve të Jashtme është e interesuar që Kosova të përfaqësohet në mënyrën më dinjitoze”, ka thënë Beqiri.

Rishpallja e konkursit do të vononte po ashtu fillimin e punës së Ambasadës kosovare në Shkup.

“Rishpallja e konkursit mund ta vonojë procesin vetëm atë muaj që i duhet konkursit për të qenë i hapur. Pjesa tjetër pastaj është vazhdimi i kësaj. Me procedurë të përshpejtuar bëhet shumë shpejt selektimi”, ka shpjeguar Beqiri procedurat që mund të ndiqen në rastin e rishpallje së konkursit. (EXPRESS)

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *