Home / Sport / Kuqi rikthehet në Angli

Kuqi rikthehet në Angli

Shefki Kuqi është rikthyer në Angli, pas eksperiencës gjashtë muajshe në Gjermani, tek Tus Koblenz. Sulmuesi kosovar ka nënshkruar kontratë 18 muajshe me Swansea Cityn. 33 vjeçari synon që ekipin e tij të ri ta rikthejë në Premierligë.

Shefki Kuqi i ka thënë përfundimisht lamtumirë eksperiencës së tij në Gjermani, pas gjashtë muajsh qëndrimi tek Tus Koblenz.

“Flying Finn” (finlandezi fluturues), siç e quajnë në Britani, është rikthyer të hënën në futbollin anglez, të cilin e njeh mjaft mirë, pasi që aty e kaloi pjesën më të madhe të karrierës si futbollist profesionist.

33 vjeçari të hënën ka nënshkruar kontratë 18 muajshe (një vit e gjysmë), pasi e kishte shkëputur kontratën me Koblenz, ku kishte kontratë dyvjeçare. Sulmuesi kosovar është pajtuar t’i bashkohet klubit nga Liberty Stadium, pasi e ka kaluar me sukses testin fizik.

Kuqi, i cili shënoi 7 gola në 17 ndeshje këtë sezon në Bundesliga 2, ka shkuar tek Swansea si transfer i lirë. Veterani kosovar e ka takuar ekipin e tij në pasditen e së hënës, para ndeshjes së të martës mbrëma në Championship (liga e dytë angleze) kundër Coventry City.

“Po lëviz tek një klub i cili po kalon momente të mira. Unë kisha bërë një lojë të mirë në Liberty Stadium për Crystal Palace sezonin e kaluar dhe e pata shënuar njërin prej golave. Shpresoj që kjo fushë të jetë me fat për mua”, theksoi fillimisht Kuqi, i cili në të kaluarën ka luajtur tek ekipet e Premierligës, Blackburn e Fulham.

“E di që Swansea dëshiron të bëjë lojë të mirë dhe mua nuk më intereson nëse luan me një ose dy sulmues. Unë dëshiroj t’i shfaqi vlerat e mia dhe nuk më pritet që ta filloj këtë eksperiencë. Jam duke shpërthyer”, ka thënë përfaqësuesi finlandez.

Kuqi beson se me Swansean, mund ta sigurojë një vend që qon në Premierligë sezonin e ardhshëm. “Unë kam humbur në dy play-off me Ipswich, për t’u inkuadruar në Premierligë. kështu që, jam i sigurt se hera e tretë do të jetë me fat për mua”, vazhdoi ai.

Menaxheri i Swans, Paulo Sousa, ishte më këmbëngulësi që Kuqi të transferohej në ekipin e tij. Ai ndihet i gëzuar me faktin se iu plotësua kjo dëshirë.

“Jam i sigurt se futbollisti, me eksperiencën dhe pjekurinë e tij, vetëm mund të na ndihmojë ne në nivelin e kampionatit Championship. Ai do të na ndihmojë neve që të përmirësohemi. Ai është sulmues me kualitet, i cili mund të shtojë diçka ndryshe në skuadrën tonë. Andaj, ne do të përpiqemi të vazhdojmë të tregojmë lojëra të mira në çdo ndeshje dhe të jemi të suksesshëm”, tha trajneri Paulo.

Pasi e filloi karrierën si futbollist në vendlindjen e tij, Kosovë, Kuqi kishte lëvizur drejt Finlandës, si 19 vjeç.

Ai i kaloi pesë vjet tek ekipet Mikkelin Palloilijat, HJK Helsinki e FC Jokerit, pasi ta fillonte eksperiencën 8 vjeçare në Angli, ku u transferua në janar të vitit 2001, tek ekipi Stockport County.

Ai i ndihmoi “The Hatters” që ta mbanin statusin e First Division, tash Championship, para se të zbarkonte tek Sheffield Wednesday, 12 muaj më vonë. Periudhën më të gjatë e kaloi tek Ipswich, ku shënoi 31 gola në 81 paraqitje, në periudhën 2003-2005. forma e tij tek Portman Road e shpërbleu me transferim në Premierligë, tek Blackburn Rovers.

Pas një sezoni të kaluar në Ewood Park, ai shënoi 7 gola dhe shkoi tek Crystal Palace, i cili shpenzoi 2.5 milionë funte. Në tre vjetët e tij në klubin nga South London, ku duhet cekur edhe huazimet tek Fulham e Ipswich, ai shënoi 18 gola.

Pasi u nda nga Palace verën e kaluar, Kuqi iu bashkua vëllait të tij, Njazi, në Bundesliga 2 gjermane, tek TuS Koblenz. Ai është përfaqësues finlandez, ku shënoi 7 gola në 58 paraqitje të tij për shtetin skandinav.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *