Home / Sport / Një shqiptar vesh Leo Mesin

Një shqiptar vesh Leo Mesin

Muhamet Hasani, 43-vjeçari nga Prishtina, ka pasur rastin të krijojë veshje për yje të modës, kinematografisë dhe sportit.

I fundit në listën e gjatë të emigrantit kosovar që jeton në Barcelonë prej gjashtë vitesh, është as më pak e as më shumë, por lojtari më i mirë në botë, Lionel Mesi. Pikërisht, këtë çmim, talenti argjentinas e mori duke mbajtur veshur kostumin e dizenjuar nga Muhamet Hasani.

“Një telefonatë e papritur nga menaxheri i Mesit bëri që unë ta kem rastin për ta veshur lojtarin më të mirë të botës. M’u dha rasti që të merrem me Messin dhe t’ia dizenjoj një palë rroba të veçanta për natën e madhe, kur ai do të shpallej lojtari më i mirë i botës për vitin 2009”, është shprehur Hasani

Takimi me Messi-n, edhe pse takim pune, ia turbulloi mendjen rrobaqepësit shqiptar, i cili e simpatizon ekipin e Barçës. “Ishte një ndjenjë e veçantë për mua dhe mezi e prisja takimin me lojtarin më të mirë të botës. Erdhi momenti i takimit dhe para meje ishte një njeri i vogël, por me famë të madhe. Ishte i thjeshtë dhe shumë i butë, gjë që nuk ndodh me njerëz të tjerë të famshëm”, shtoi 43-vjeçari.

Ai u largua nga Kosova drejt Londrës në moshën 21-vjeçare dhe prej gjashtë vitesh jeton në Barcelonë, ku është menaxher i zyrës së firmës së njohur italiane të modës “Ermenegildo Zegna”. Por nuk është vetëm Messi që ka kaluar nëpër duart e Muhametit. Ai ka qepur rroba edhe për sportistë të tjerë të njohur, trajnerë, tenistë e basketbollistë. “Kam qepur rroba edhe për Johan Krujf, Rafael Nadal, Carlos Moja, Pau Gasol, e shumë të tjerë. Shpresoj që në të ardhmen të vazhdoj ta bëj këtë dhe të kem si klientë edhe shumë sportistë të tjerë”, përfundoi Hasani.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *