Home / Sport / Pandev si Shnajder, menjëherë në fushë

Pandev si Shnajder, menjëherë në fushë

Sipas trajnerit të Interit, Hoze Mourinjo, megjithëse sulmuesi maqedonas nuk ka arritur ende formën optimale, ai është i gatshëm të luajë.

Në konferencën për shtyp pasditen e sotme, në prag të sfidës ndaj Kievos nesër në transfertë, numri një i pankinës zikaltër ka folur në lidhje me skuadrën, lojtarët dhe të ardhmen e tij në stolin e Interit.

“Kemi disa probleme në mesfushë, por nesër dua tre pikët”, tha “I veçanti”. Jo vetëm në mesfushë, por edhe në sulm, ku Samuel Eto do të jetë i grumbulluar me kombëtaren e Kamerunit në Kupën e Afrikës: “Gjatë këtij muaji Samueli është një lojtar i Kamerunit, edhe pse ne i paguajmë rrogën. Askush nuk do të më dëgjojë të them se nuk shënuam sepse nuk ishte Eto”.

Megjithatë, ka mbërritur Pandev, të cilin Mourinjo e vlerëson: “Është një sulmues modern, mund të luajë kudo, në të majtë, në të djathtë apo si sulmues i vetëm. Duhet të ambientohet me ritmin e lojës, por nuk do të ketë aspak vëshirësi për t’u përshtatur me mënyrën tonë të lojës. Mbase mund të luajë që nesër, megjithëse nuk e di sa minuta. Nuk është ende në formë optimale, por më tha se mund të luajë sa të jetë e nevojshme”.

Pas huazimit të Suazos te Xhenova, nga radhët e zikaltërve mund të largohet edhe Vieira. Këtë e pranon edhe vetë Hoze Mourinjo: “Sa mundësi ka që ai të qëndrojë këtu? Pak. Por kam besim tek profesionalizmi i tij, përderisa është akoma me ne”.

Në fund, edhe një përpjekje e fundit për të sqaruar një herë e mirë gazetarët italianë mbi të ardhmen e tij: “E them për të fundit herë. Jam i dashuruar me futbollin anglez. Dua të kthehem aty. Kur? Nuk e di. Por di që nuk do të largohem me një punë të lënë përgjysmë. Është shumë e thjeshtë: kam një kontratë deri në vitin 2012 dhe do të qëndroj këtu”, pohoi portugezi, duke përsëritur qëllimin e tij për ta çuar deri në fund projektin me Interin.

Gjithashtu lexo

Shikoni çfarë ka bërë Barcelona pas sulmit terrorist (FOTO)

Klubi i Barcelonës ka reaguar pas sulmit terrorist në Barcelonë. Katalunasit e kanë bërë një …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *