Home / Lajme / Rajon / Presidentët e rajonit e konfirmojnë takimin në Prizren

Presidentët e rajonit e konfirmojnë takimin në Prizren

Prishtinë, 4 janar –

Tre presidentët e rajonit – Gorge Ivanov i Maqedonisë, Bamir Topi i Shqipërisë dhe Filip Vujanoviq i Malit të Zi, e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në samitin e Prizrenit, që pritet të mbahet në muajt e parë të vitit, i organizuar nga presidenti Fatmir Sejdiu.

Ka mbetur vetëm harmonizimi i agjendave dhe caktimi i një date, me të cilën do të pajtoheshin të gjithë homologët.

7 janari nuk do të jetë data që do t’i bëjë bashkë pesë presidentët, ndonëse ishte supozuar më herët. Kjo mbase edhe për shkak të Krishtlindjeve Ortodokse që festohen në këtë ditë.

“Samiti nuk do të mbahet më 7 janar, data nuk është caktuar ende. Ne i kemi marrë konfirmimet për pjesëmarrje nga presidentët, Vujanoviq, Ivanov dhe Topi, ndërsa data do të përcaktohet bashkërisht në përputhje me agjendat e të gjithëve. Takimi gjithsesi do të mbahet në muajt e parë të këtij viti”, ka thënë të hënën këshilltarja ligjore e presidentit Sejdiu, Vjosa Osmani.

Me iniciativë të presidentit kroat në largim, Stipe Mesiq, është vendosur që samiti i ardhshëm i presidentëve të rajonit, pas atij të Vlorës, të mbahet në Kosovë, ku nikoqir do të jetë presidenti Sejdiu.

Qëllimi i këtij forumi është thellimi i bashkëpunimit ndërfqinjësor në të gjithë sektorët, forcimi i marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe këtyre vendeve, diskutimi i politikave të përbashkëta rajonale, thjesht nëpërmjet këtij forumi presidentët të ndikojnë te qeveritë e tyre për çështje të caktuara të karakterit ekonomik, politik apo arsimor.

Në këtë forum nuk do të jetë i pranishëm presidenti serb, Boris Tadiq, i cili pritet ta vizitojë Kosovën të enjten, më 7 janar, ndërsa është ende pikëpyetje edhe pjesëmarrja e presidentit Mesiq, meqë ai këtë javë e viziton Kosovën.

“Ne do ta diskutojmë këtë çështje me presidentin Mesiq gjatë vizitës së tij në Kosovë dhe do të shohim nëse ai do të jetë i pranishëm në këtë samit, nga ana tjetër Tadiqi nuk është ftuar, për shkak të qëndrimit iracional të Serbisë ndaj Kosovës dhe për shkak se Serbia nuk i kontribuon stabilitetit të rajonit”, ka thënë Osmani. / Zhurnal /

Gjithashtu lexo

Emigranti shqiptar gjen portofolin me dollarë në New York dhe ia dorëzon të zonjës

Një emigrant nga Dibra e Madhe, i cili jeton në Staten Island, Nju Jork, ka …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *