Home / Sport / Reali kërkon këndelljen në Tiranë

Reali kërkon këndelljen në Tiranë

Real Madrid do të mundohet ta shfrytëzojë miqësoren e Tiranës për këndellje, pas humbjes nga Athletic Bilbao, në La Liga. Gjiganti spanjoll e viziton të mërkurën Shqipërinë, për ta zhvilluar një ndeshje miqësore me Gramozin e Ersekës, në kuadër të trofeut “Taçi Oil Cup”.

Real Madrid po përgatitet për ndeshjen miqësore të së mërkurës kundër Gramozit të Ersekës, e cila do të zhvillohet në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” në Tiranë, në ora 18:00, në kuadër të trofeut “Taçi Oil Cup”.

Pas humbjes nga Athletic Bilbao, në La Ligan spanjolle, madrilenët dëshirojnë të këndellen në kryeqytetin shqiptar, për ta pritur pozitivisht përballjen e radhës në kampionatin spanjoll kundër Malagas, që zhvillohet të dielën.

Mbrojtësi spanjoll, Alvaro Arbeloa, të hënën e ka dhënë një intervistë për uebfaqen zyrtare të Realit të Madridit. Ish futbollisti i Liverpool ka folur edhe për miqësoren e Tiranës, të cilën e konsideron si mundësi të mirë për ta harruar humbjen nga Bilbao.

“Është paksa e parehatshme, duke e konsideruar se do të luajmë të dielën, dhe na prish paksa planet. Megjithatë, nevojitet një formacion i mirë për ta zhvilluar një ndeshje të mirë. Ka gjithmonë diçka pozitive në këto gjëra. Do ta marrim anën pozitive nga kjo ndeshje”, theksoi Arbeloa, i cili të dielën i mbushi 27 vjet.

Real Madrid do ta vizitojë Tiranën të mërkurën, për ta zhvilluar një ndeshje miqësore me klubin nga elita e futbollit shqiptar, Gramozi. Nga kjo miqësore, gjiganti spanjoll do t’i përfitojë 2.5 milionë euro nga petrolieri shqiptar Rezart Taçi, organizator i kësaj ndeshjeje dhe pronar i klubit shqiptar.

Përfitimet nga biletat e kësaj ndeshjeje pritet t’u ndahen familjeve që u dëmtuan nga përmbytjet e fundit në Shqipëri. Kontingjenti madrilen pritet të arrijë i kompletuar, përfshirë edhe yjet si Kaka, Cristiano Ronaldo, Raul Gonzalez e Iker Casillas etj.

Skuadra e Realit të Madridit do të mbërrijë në Tiranë rreth orës 10 të paradites së 20 janarit, ndërkohë që besohet se do të pritet me entuziazëm në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”. Gramozi do të përforcohet edhe me lojtarë nga kampionati shqiptar, kryesisht nga Tirana e Besa.

Pas klubit italian të Milanit, që erdhi dy herë në Tiranë, tetor 2008 (humbi me Tiranën, 2-1) dhe maj 2009 (fitoi me penallti pas barazimit 3-3 me Kombëtaren), Reali është klubi i dytë më i madh në botë që vjen në Shqipëri.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *