Home / Sport / Ronaldo, “idiot” dhe “budalla”

Ronaldo, “idiot” dhe “budalla”

Mediat spanjolle i janë hedhur në qafë yllit të Real Madridit, Cristiano Ronaldo pas përjashtimit të tij në fitoren 2-0 kundër Malagës të dielën. Reprezentuesi portugez u ndëshkua për herë të dytë këtë sezon me karton të kuq pas një goditjeje që i theu hundën mbrojtësit Patrick Mtiligas. Sjellja e tij është kritikuar ashpër, por ai insiston se nuk ka kurrë qëllim ta lëndojë dikë në fushë.

Cristiano Ronaldo është kritikuar ashpër të hënën, pas përjashtimit për sjellje të dhunshme të dielën në fitoren 2-0 ndaj Malagës që përsëri shfaqi karakterin e tij të ndryshueshëm.

Ylli portugez shënoi dy gola në pjesën e parë, duke kaluar Realin nën kontroll në Santiago Bernabeu, por nata e tij kaloi nga lavdia në turpërim në minutën e 70, kur ishte përjashtuar pas një goditjeje ndaj Patrick Mtiligas që i theu hundën mbrojtësit të Malagës.

Ky ishte përjashtimi i tij i dytë këtë sezon, pas kartonit të kuq me të cilin ishte ndëshkuar kundër Almerias në dhjetor për goditje ndaj një futbollisti kundërshtar.

“Cristiano Ronaldo, hero dhe i ndytë” (El Pais), “Cristiano Ronaldo, prapë engjëll dhe demon” (El Razon) dhe “Doktor Cristiano dhe Mister Ronaldo” (Marca), ishin disa prej titujve në ballinat e të përditshmeve spanjolle të hënën.

Kolumnisti i Marcas, Roberto Palomar ka thënë se sjellja e Ronaldos ka qenë “veprimi i kushedisatë i idiotizmit këtë sezon”. “Kushdo që përjashtohet kundër Almerias dhe Malagës në një ndeshje të fituar, është budalla. Dikush duhet të ulet me djaloshin dhe të marrë shpjegim prej tij, sepse nuk mund të silleni në një mënyrë të tillë”, shkroi Palomar.

Në El Mundo, kolumnisti Orfeo Suarez tha se Ronaldo duhet të ndryshojë qëndrimin për të mirën e tij, bashkëlojtarëve dhe klubit që e paguan. “Krejt çka i ka mbetur atij është të mendojë, të zbulojë si të largojë shpirtin e keq që ndikon në personalitetin e tij”, shkroi Suarez.

Santiago Segurola, një tjetër kolumnist në Marca, dhe Ramon Besa në El Pais të dy janë përqendruar në atë që sipas tyre ishte dëshirë e qartë e Ronaldos të tejkalojë sulmuesin e Barcelonës, Lionel Messi, e cili e zëvendësoi si Futbollisti më i mirë në Botë për vitin 2009.

“Ronaldo është në nguti të garojë me Messin, po aq sa Real Madridi ta zërë Barcelonën dhe të kalojë në krye të tabelës. Dy kartonët e kuq kundër ekipeve modeste, Almeria dhe Malaga janë dëshmi të shqetësimit të tij”, shkroi Besa.

Segurola shtoi: “Ronaldo duhet të kontrollojë impulset e tij, pasi do të përballet me një numër të pafund të Mtiligas. Ai është shumë i shpejtë, shumë i fuqishëm, shënon vazhdimisht, por është shumë nervoz. Trajnerët kundërshtarë marrin shënime, mbrojtësit po ashtu”.

Pavarësisht kritikave dhe këshillave, Ronaldo i ka kërkuar falje Mtiligas duke theksuar se kurrë nuk ka dashur qëllimisht të lëndojë një futbollist tjetër.

“Njerëzit që e kuptojnë futbollin e dinë se qëllimi im është që gjithmonë të mundohem të luaj. Kartoni i kuq ishte i turpshëm dhe nuk e kuptoj. E di se keni parë gjak në televizion, por vetëm jam munduar të lirohem. Kurrë nuk dua të lëndoj askënd. Ishte fat i keq që e kam goditur në hundë, sepse ai është vetëm 170 centimetra i gjatë dhe nëse do të kishte qenë më i gjatë, do ta kisha goditur në gjoks”, tha Ronaldo, i cili do të jetë i suspenduar së paku për ndeshjen në udhëtim kundër Deportivo La Corunas, të shtunën.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *