Home / Lajme / Kronika e zezë / Shkodran Idrizi sot kthehet në Maqedoni

Shkodran Idrizi sot kthehet në Maqedoni

5 janar-
Eksperti për çështje juridike, Jeton Shasivari ka theksuar se lidhur me këtë rast bëhet fjalë për kontradikta midis kodit penal si një ligj gjeneral dhe ligjit për amnisti si një ligj special, i cili e përjashton kompetencën e gjykatave të Maqedonisë, për t`i gjykuar këto raste.

Autoritetet gjermane të drejtësisë sot ekstradojnë për në Maqedoni ish -pjesëtarin e UÇK-së, Shkodran Idrizin, i cili është njëri ndër të akuzuarit për maltretimin e punëtorëve maqedonas gjatë konfliktit të vitit 2001, lëndë gjyqësore që u kthye nga Tribunali i Hagës, për shkak të mungesës së fakteve.

Kthimi i tij në Maqedoni erdhi pasi atij ju refuzua kërkesa për azil politik në Gjermani. Ai do të gjykohet nga gjyqësia maqedonase edhe pse kjo është në kundërshtim me ligjin për amnisti, të shpallur për të gjithë pjesëmarrësit e konfliktit të vitit 2001.

Familja e Shkodran Idrizit thotë ekstradimi i djalit të tyre është politikisht i motivuar. “ E ftojmë faktorin politik shqiptar që të ndaloj me këto raste. Ne e vlerësojmë si politikisht të motivuar dhe nuk kanë asnjë bazë dhe lidhje me drejtësinë”, deklaroi vëllai i tij Vëllazërim Idrizi. Edhe avokati i Shkodran Idrizit është në të njëjtën linjë me familjen e klientit të tij.

Analistët dhe njohësit e zhvillimeve politike në Maqedoni thonë se trazimi i rasteve të Hagës ka prapavijë politike dhe qëllime për hakmarrje. Arrestimi i Shkodran Idrizit, ish-pjesëtarit të UÇK-së në Gjermani dhe ekstradimi i tij i shpejtë në Maqedoni ka për qëllim që të fillojë procesi gjyqësor për rastin e “punëtorëve të keqtrajtuar maqedonas” gjatë vitit 2001, që është një nga katër rastet e kthyera nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës dhe që ngarkon për përgjegjësi ish-përfaqësues të UÇK-së në Maqedoni.

Në BDI i kanë ikur komenteve lidhur me mundësinë e hapjes së rastit të parë të Hagës, ku drejtpërdrejt ngarkohen ish-pjesëtarët e UÇK-së, ndër të cilët rreth 20 persona të tjerë, një pjesë e të cilëve po ashtu gjenden në arrati.

Eksperti për çështje të sigurisë, Nazmi Maliqi ka theksuar për agjencinë e lajmeve INA se këto çështje duhet të konsiderohen të mbyllura, sepse është ligji për amnisti që garanton mos hapjen e këtyre rasteve.”Gjithçka që po ndodh apo që shkon jashtë ligjit për amnisti, më tepër i ngjan një politizimi të panevojshëm”, ka theksuar Maliqi.

Eksperti për çështje juridike, Jeton Shasivari ka theksuar se lidhur me këtë rast bëhet fjalë për kontradikta midis kodit penal si një ligj gjeneral dhe ligjit për amnisti si një ligj special, i cili e përjashton kompetencën e gjykatave të Maqedonisë, për t`i gjykuar këto raste.

“Andaj duhet të arrihet një zgjidhje që e shfuqizon ligjin gjeneral sepse çdo gjë tjetër hyn në terrenin e politizimit të këtyre rasteve, dhe andaj shqiptarët me të drejtë dyshojnë në qasjen selektive të organeve të drejtësisë, kur bëhet fjalë për rastet e 2001”, ka theksuar Shasivari, duke apeluar që të zgjidhet edhe rasti i të dënuar me 15 vite burg të Ibrahim Sulejmanit, i cili po ashtu duhej të përfshihej në ligjin për amnisti. (INA)

Gjithashtu lexo

28 vjeçarja shqiptare që u dogj në azil, vetë ia vuri flakën objektit

Gruaja 28-vjeçare nga Shqipëria, e cila u gjet e vdekur pas shpërthimit të zjarrit në …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *