Home / Lajme / Rajon / BE-ja nuk qëndron prapa strategjisë së Feithit

BE-ja nuk qëndron prapa strategjisë së Feithit

12 shkurt
Bugajski mendon se do të nevojitet shumë bindje, shumë karota dhe shtaga, shumë dije dhe shkathtësi, që bashkësia serbe në Kosovë të bindet që është në interes të saj të jetë pjesë e një Kosove që zhvillohet si një shtet normal demokratik. Mirëpo, sipas tij, ky do të jetë një proces i gjatë, në realizimin e të cilit do të ketë mjaft pengesa.

Strategjia e përfaqësuesit civil ndërkombëtar Pieter Feith për integrimin e veriut të Kosovës në institucionet kosovare, nuk do të ecën lehtë, ngase llogarit në presionin krejtësisht të pasigurt të bashkësisë ndërkombëtare, ka vlerësuar Janusz Bugajski nga Qendra për Studime Ndërkombëtare dhe Strategjike në Washington.

Prapa kësaj strategjie, sipas Bugajskit, nuk qëndron Bashkimi Evropian si organizatë, por përfaqësuesi i saj lokal. Andaj, siç ka thënë Bugajski për Radion Evropa e Lirë (në gjuhën serbe), shtrohet pyetja se çfarë presioni është e gatshme të përdorë bashkësia ndërkombëtare për realizimin e planit të Feithit.

Problemi, sipas Bugajskit, qëndron në faktin se brenda Bashkimit Evropian për çdo vendim nevojitet konsensus, ndërsa pesë shtete të BE-së nuk e kanë njohur Kosovën. Andaj, ka vlerësuar ai, për këtë shkak nuk pritet një zbatim i shpejtë i strategjisë, dhe as që ajo të zbatohet me anë të forcës.

Bugajski mendon se do të nevojitet shumë bindje, shumë karota dhe shtaga, shumë dije dhe shkathtësi, që bashkësia serbe në Kosovë të bindet që është në interes të saj të jetë pjesë e një Kosove që zhvillohet si një shtet normal demokratik. Mirëpo, sipas tij, ky do të jetë një proces i gjatë, në realizimin e të cilit do të ketë mjaft pengesa.

I pyetur ndërkaq, nëse kundërshtimi i kësaj strategjie mund t’i kushtojë Serbisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Bugajski ka përsëritur qëndrimin e tij – se Serbia nuk do të pranohet në Bashkimin Evropian pa e njohur pavarësinë e Kosovës.

“Unë jam absolutisht i bindur që Serbia nuk do ta marrë thirrjen formale për pranim në BE, derisa kjo çështje të mos zgjidhet. Shumica dërmuese e vendeve të Bashkimit Evropian e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, kështu që nuk besoj se Serbia do të hyjë në BE para se ta njohë pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Bugajski. /Telegrafi/

Gjithashtu lexo

Vdes ish-kryeministri Bajram Rexhepi – (VIDEO)

Ish- kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi ka ndërruar jetë pas një sëmundje për të cilën …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *