Home / Sport / E ardhmja e Lorik Canës? Arsenali

E ardhmja e Lorik Canës? Arsenali

Loja tipike angleze i ka dhënë mesfushorit të Sandërlendit dhe Kombëtares kuqezi, Lorik Cana, reputacionin e një futbollisti luftarak e të denjë për skuadrat më të mëdha të planetit.

Arsenali është duke menduar për të. Në fakt, ky nuk është një lajm i ri dhe këtë e zbulon vetë kapiteni shqiptar. Transferimi me dëshirë i Lorikut te Sandërlandi ishte një hap i studiuar mirë e me një strategji të qartë. Një skuadër e formatit të “Maceve të Zeza” do t’i shërbente mesfushorit shqiptar për të nxjerrë në pah rolin e tij thelbësor brenda ekipit, por edhe eksplorimit në terren të futbollit të shpejtë britanik. Pas katër vitesh të kaluara te Marseja (në dy vitet e fundit si kapiten) Cana kishte nevojë për një sfidë të re.

Drejtimi ishte Anglia dhe te “Macet e zeza”, mesfushori shkatërrues pronësoi edhe shirtin e kapitenit, për herë të dytë në tri skuadrat e karrierës së tij. I përgjegjshëm për detyrën e kapitenit, Cana u përshtat shumë shpejt me lojën e sfidën në Premier League.

Vetëm disa javë pas mbërritjes së tij në ishull, media angleze shkruajti për një intersim të dukshëm të Arsenalit për ish-kapitenin e Marsejës. Madje edhe klubi francez, Olimpik i Lionit, u tërhoq fuqishëm nga emri i Canës. I pyetur nga “Sunderland Echo”, Lorik Cana atëherë zbuloi se ai mund të ishte shumë kohë më parë pjesë e “Topçinjve”, qysh kur ishte 16 vjeç.

“U ftova nga Arsenali për një provë kur isha 16 vjeç. Nuk munda të shkoj, pasi kisha probleme me vizën. Kur je refugjat në një vend, nuk mund të largohesh prej tij. Fati ishte diku tjetër. I imi ishte të luaja në Francë, isha i lumtur ta bëja këtë”, citohet 26-vjeçari nga faqja franceze “footmercato.net”.

Arsenali, kundërshtari i Lorikut në ndeshjen e 20 shkurtit, ndoshta mund t’i japë atij rastin të bindë “Topçinjtë” për ta bërë pjesë gjatë merkatos së verës së ardhshme. Mesfushori kuqezi beson se Sandërlendi ka shumë cilësi për të përballuar një skuadër të madhe si Arsenali dhe për t’i dhënë fund serisë jo të mirë në ndeshjet e fundit.

“Macet e zeza”, pas një starti të shkëlqyer në fillimin e sezonit, kanë 12 ndeshje pa fituar, çka i ka ulur ata në renditje. Aspirata për të qenë pjesëmarrës në kualifikueset e kompeticioneve europiane duket se ka dështuar, ndërkohë që klubit tani i duhet të përballojë një tjetër objektiv, kur ndodhet vetëm tri pikë larg zonës së rënies.

Situata është alarmante dhe rënia duhet shmangur urgjentisht, por kapiteni Lorik Cana këmbëngul se nuk ka vend për panik. “Kur nuk fiton për disa muaj rresht, atëherë është e qartë se do të përfshihesh në betejën për mbijetesë”, tha Cana për “Sunderland Echo”.

“Renditja është e ngjeshur dhe shumë ekipe përreth nesh janë duke grumbulluar pikë. Por ne nuk jemi duke menduar shumë për betejën e mbijetësës, jemi të përqendruar për të marrë fitore dhe të kemi një fundsezoni të fuqishëm. Mendoj se kemi cilësi të mjaftueshme për të qenë në pjesën e sipërme të renditjes, por dy-tre muajt e fundit kemi pasur shumë probleme me dëmtimet apo me lojtarët që vinin pas dëmtimeve dhe nuk ishin ne nivelin e tyre më të mirë. Duhet të mbajmë lart shpirtin e garës dhe të përpiqemi të grumbullojmë sa më shumë pikë të mundemi”, përfundoi kapiteni i “Maceve të Zeza”.

Gjithashtu lexo

Shikoni çfarë ka bërë Barcelona pas sulmit terrorist (FOTO)

Klubi i Barcelonës ka reaguar pas sulmit terrorist në Barcelonë. Katalunasit e kanë bërë një …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *