Home / Lajme / Maqedoni / Ëndrra e Gruevskit për Shkupin në vitin 2014

Ëndrra e Gruevskit për Shkupin në vitin 2014

13 shkurt
Kur të gjitha këto do t’i dimë, atëherë do të jemi ndoshta më keq, por më të lirë dhe më të qetë. Do ta dimë se së paku armiku ynë nuk është vëllai jonë, që vazhdimisht luan me ndjenjat tona, por armiku i vërtet është ai, që gjendet përball dhe kundër nesh, si dhe ai me të cilin nuk na lidh as gjuhë e as fe.

Milazim Mustafa

Do ta hiqja vetëm periudhën e 2001-shit. Do kërkoja nga secili lexues i këtij shkrimi që të bëj një retrospektivë dhe nëse mund të gjej një çast të ndritshëm të historisë sonë kombëtare në Republikën e Maqedonisë, e kisha lutur publikisht le të më qortojë dhe të më thotë se nuk jam në rregull. Unë në këtë shkrim do t’i paraqes qasjet e mia si një qytetar i thjeshtë, por edhe si një studiues i ri.

Ajo që më ka bërë që shumica e gjërave para syve të më duken vetëm zi, janë hapat e fundit të realitetit politiko-juridik dhe kulturorë në shtetin në të cilin mezi po mbijetojmë.
Prej 1991-shit e këndej, çdo e keqe që na ndodhte, pas saj kishim një shpresë për një të nesërme më të mirë dhe se gjërat do të ndryshohen në të mirën tonë.

Me projektin e fundit të prezentuar nëpër media si “Shkupi 2014”, iu dha fund shpresave të shqiptarëve se diçka e jona mund të paraqitet dhe ruhet si argument i prezencës, kulturës dhe historisë tonë në këtë vend. E gjithë kjo u vulos me projektin e ri qeveritar për dhënien e ngjyrës se re të sheshit të qytetit të Shkupit, kryeqytetit të dikurshëm të Dardanisë Ilire dhe vilajetit të Kosovës.

Deri sa të gjitha aktet tjera të diskriminimit që i përjetuam në lëkurën tonë, ishin të një natyre që na bënin të themi me vete, “të durojmë edhe kësaj radhe se ndoshta nesër do të jetë më mirë”, ose, ndoshta pas kësaj fshihet diçka që të ashtuquajturit udhëheqës tanë shqiptarë në Maqedoni, qëllimisht po e tolerojnë si rezultat i pazarit politik, apo për ndonjë plani tjetër strategjik.

E gjithë kjo kishte qenë vetëm shpresë e kotë! E gjithë kjo do të jetë, edhe më e kotë pas vënies së skulpturave dhe realizimit arkitektonik në sheshin e Shkupit. Ato objekte që veç kanë filluar të vendosen janë dhe do të jenë gurë-themel i diskriminimit dhe përjashtimit të çdo gjëje tjetër që është jomaqedonase dhe joortodokse. Me këtë projekt, politika e re maqedonase i vuri themel shtetit një etnik dhe diskriminimit të pashoq në Maqedoni.

Të gjitha prioritetet e politikës shqiptare në Maqedoni, si ligji për gjuhën shqipe, ligji për dëshmorët, familjarët e tyre dhe veteranët, përfaqësimi adekuat në organet shtetërore, të gjitha këto janë kalimtare, të gjitha në kohëra më të mira kanë mundësi të realizohen. Ajo që kurrë nuk do të mund ta kthejmë është sheshi i Shkupit! Kurrë më nuk do të mund të vendosim as edhe një fakt material që dëshmon se këtu kanë jetuar dhe jetojnë shqiptarët dhe muslimanët.

Stërngarkimi dhe kiçizimi i sheshit të kryeqytetit të dikurshëm të Dardanisë dhe Vilajetit të Kosovës, me çdo lloj figure dhe kastraveci e spiuni maqedonas, mes tjerash edhe objekt të kultit maqedono-ortodoks, por nuk gjeti dot, as edhe një vend më të vogël për ndonjë element të ngjashëm që përfaqëson grupin tjetër etnik apo konfesional të këtij vendi.

Me këtë gjest, që shumë mirë u pa me prezantimin vizual të projektit qeveritar, për renovimin e sheshit të Shkupit, përfundimisht iu vë këmba në fyt shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni. Gruevski dhe politika e tij shoviniste i vulosi dhe betonoi themelet e njëetnicitetit në Maqedoni, si dhe minoi çdo shpresë që ky shtet ndonjëherë do të marrë formën e një shteti shumetnik.

Këto investime dhe ndërtime, janë themele që vërtetojnë se në këtë shtet ka vetëm një histori, ka figura vetëm të një kombi e feje. Kësisoj, gjithçka tjetër që nuk është maqedono-ortodokse është e huaj dhe jo relevante. Duke e njohur politikën e kësaj garniture qeveritare (maqedonase) dhe misionin e tyre, nuk habitem aspak. Ata janë duke i dalë zot, historisë, kombit, gjuhës, kishës dhe shtetit të tyre.

Por çka janë duke bërë politikanët tanë? Duhet të gjithë të dalim në Urën e Gurit, e t’i qajmë politikanët tanë dhe të gjithë udhëheqësit e politikës shqiptare që jetojnë dhe veprojnë në Maqedoni. Me të vërtetë habitem, se si akoma kanë fytyrë të dalin para popullatës dhe të krenohen se kanë bërë diçka. Habitem me demagogjinë dhe pafytyrësinë e tyre!

Të lejosh që të përdhoset gjithçka që është e jotja dhe që ndërlidhet me tënden, e pastaj të dalësh para popullit dhe t’i kërkosh besimin, kjo është më tepër se idiotësi.

Me heshtjen e tyre, që do të thotë miratim i projektit gjithçka bie në ujë. Kësaj radhe ju ra nga dora edhe xholi i fundit, vetëm nëse kanë fshehur ndonjë nën pelenat e tyre. Pas kësaj gjithçka që ata premtojnë është e kotë! Shqiptarët e humbën luftën ndaj maqedonasve, edhe pse në atë frontale i mposhtëm, por politikisht, historikisht dhe kulturalisht e humbën.

Me çka unë nesër do t’ua argumentoj fëmijëve të mi, apo ndonjë ndërkombëtari se në Shkup, jetojnë dhe kanë jetuar shqiptarët? Kur në çdo kënd të tij kemi figura të Aleksandërit, Samuilit, Karposhit, Karevit, Dellçevit, Gruevit, Shenjtërorëve si Kirili, Metodi, Klimenti e Naumi, si dhe të gjitha elementet dhe figurat e tyre historike do të bëjnë roje në afërsi të sheshit të Shkupit.
Çka të bëjnë këta tanët? Të gjorit!!!

Më së miri të japë dorëheqje kolektive i gjithë kreu shqiptar në Maqedoni, të gjitha partitë politike shqiptare të pushojnë së ekzistuari, të gjithë funksionarët shqiptarë si ata në legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësi të japin dorëheqje.

Por, para se ta bëjnë këtë, të shkojnë dhe t’ua japin dorën kolegëve të tyre maqedonas dhe t’u thonë pirolla ju qoftë bre burra, se nuk ishim në gjendje të matemi me ju. Kjo do të ishte një dëshmi se në zemrat e tyre akoma ka pak burrni. Me këtë do të dëshmojnë se, kolegët e tyre maqedonas nuk ua kanë marrë edhe burrninë.

Pse po them që të japin dorëheqje? Sepse, së paku, do të jemi më të lirë, dhe do ta dimë se të gjitha marrëzirat dhe poshtërsitë që do të na bëhen në të ardhmen, janë duke na i bërë të huajt, dhe se pjesë e saj nuk janë tanët. Besoj se do ta kemi më lehtë, së paku arsyetohemi se nuk ka kush të na mbroj neve dhe interesat tona.

Do ta kenë më lehtë edhe ato nëna kur bijtë e tyre të dënohen me burg të përjetshëm për ndonjë vepër penale pa mos ekzistuar as edhe një fakt dhe dëshmi, ta dimë se na ka dënuar shkau, dhe se s’kemi pasur askënd tonin që të na mbrojë neve dhe interesin tonë.
Që kur t’i shohim familjet e dëshmorëve që edhe më tej jetojnë në mizori do ta dimë se reagimi i Organizatës së veteranëve si organizatë joqeveritare nuk përfillen, e jo si tash, kur kryetari i saj është pjesë e pushtetit.

Që kur nëpunësit shtetërorë të dalin në pension si referentë të rinj, e dimë se shefat e tyre maqedonas nuk i kanë avancuar dhe nuk u kanë dhënë hapësirë për t’i treguar kualitetet e tyre.
Që kur të përdhoset kultura jonë, e dimë se kulturën tonë, nuk ka kush që e mbron dhe afirmon.

Kur të gjitha këto do t’i dimë, atëherë do të jemi ndoshta më keq, por më të lirë dhe më të qetë. Do ta dimë se së paku armiku ynë nuk është vëllai jonë, që vazhdimisht luan me ndjenjat tona, por armiku i vërtet është ai, që gjendet përball dhe kundër nesh, si dhe ai me të cilin nuk na lidh as gjuhë e as fe.

Vëllezër dhe motra, e kemi rastin që ditëve në vijim, për herë të fundit të dalim në sheshin e Shkupit tonë deri diku shumetnik. Sepse, muajve që vijnë, do të jemi të privuar prej një kënaqësie të atillë. Do të kemi mundësi veç të shëtisim në Shkupin maqedonas dhe ortodoks.

Ndërkaq, liderëve tanë do t’u thosha, për hajr ju qoftë, e humbët betejën për Shkupin!!! (Marre nga Telegrafi)

Gjithashtu lexo

Vetëndizet vetura e mërgimtarit – (VIDEO)

Të shtunën mbrëma në dalje të fshati Zherovjan për në fshatin Radiovcë, është vetë-ndezur në …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *