Home / Sport / Fabio Hoxha, “Ibra” shqiptar i Interit

Fabio Hoxha, “Ibra” shqiptar i Interit

“Zllatan Ibrahimoviç ka shkuar te Barcelona, por unë do të qëndroj gjatë në Milano, që kur të rritem, ta kujtojnë Ibrën përmes meje”.

Nga Fabio Hoxha të gjithë presin shumë. Jo më kot, jo shumë kohë më parë, vetë Hoze Mourinjo e shkroi emrin e këtij djaloshi në bllokun e tij të shënimeve (shpresojmë që të moë përfundojë vetëm me kaq). Në këtë edicion ai po kalon një formë mjaft të mirë, pasi është sulmuesi i dytë më i mirë i skuadrës, me 9 gola, 3 më pak se Said Ahmed. Golin e fundit e ka shënuar më 31 janar ndaj Monzas, duke i siguruar fitoren Interit 1-0.

Në Itali zikaltrit nuk janë duke dominuar vetëm me skuadrën e parë, por edhe me ekipet e reja. Hoxha me skuadrën e tij, në 16 ndeshje në këtë sezon, ka shënuar po aq fitore, duke u renditur në vendin e parë me 48 pikë, 5 më shumë se Milani. Megjithatë, kjo nuk e befason aspak 16-vjeçarin. “Jemi të padiskutueshëm në këtë kategori, pasi kemi skuadrën më të mirë. Kishim pak frikë nga ndryshimi i trajnerit, pasi tani kemi Xhorxho Gatin. Por po shkon mirë, duke qenë se ai i ka njohur edhe më parë cilësitë tona”, thotë Fabioja, i cili nuk kënaqet me golat që ka shënuar deri tani.

“Nuk jam i kënaqur, pasi besoj se mund të jap më shumë. Por prapë mendoj se 9 gola në 16 ndeshje nuk është keq. Shpresoj të shënoj më shumë në ndeshjet e ardhshme. Ndeshja më e mirë për mua këtë vit është ajo ndaj Albinolefes në transfertë, ku shënova dy gola në fitoren 2-1, ndërsa goli ndaj Milanit në fitoren 4-0 ishte shumë i veçantë, edhe pse nuk është hera e parë që i shënoj Milanit”, shtoi ai.

Në fakt, Fabio Hoxha nuk është i vetmi shqiptar që luan te Interi. Ai ka një mik të tij, portierin Andrea Qarri, i cili luan për Giovanissimo Nazionale, pra është më i ri se Fabio (si rrjedhojë, aktivizohet në një një Ligë më inferiore). “Kam një bashkëkombës këtu te Interi. Kalojmë shumë mirë bashkë, Andrea është një portier mjaft i mirë. Ai është në një skuadër më të re të Interit, por ne shihemi shpesh”, thotë 16-vjeçari Hoxha.

Fabioja ka pasur idhull Zllatan Ibrahimoviçin, por tani që ai u largua nga Interi, kë do të ndjekë djaloshi? “Nuk ka rëndësi, ai ka ikur te Barcelona, por mbetet një futbollist shembull për mua. Shpresoj që në të ardhmen të arrij aq sa ka arritur ai. Unë jam këtu dhe mendoj të qëndroj për një kohë të gjatë, kështu që kur të rritem le ta kujtojnë Ibrën përmes meje”, theksoi durrsaku, i cili është blerë nga zikaltrit për 40 mijë euro nga Piaçenca para dy viteve.

Gjithashtu lexo

Ylli i Shkëndijës: Nuk kemi çfarë të humbasim ndaj Milanit

Ardian Cuculi ka thënë se Shkëndija do të tentojë të bëjë lojën e saj dhe …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *