Home / Sport / Lamtumira e një “fantazme”

Lamtumira e një “fantazme”

A ju sjell ndërmend gjë emri Kostinja? Epo, për të gjithë ata që e kanë harruar, mesfushori portugez u shpall kampion i Europës me Porton në vitin 2004. Por e veçanta e tij qëndron gjetkë.

Në verën e vitit 2007 Hoze Rodrigez Da Kosta, i njohur ndryshe si Kostinja, nënshkroi me Atalantën në Serinë A. Në 2 shtator të po atij viti ai bëri debutimin me fanellën e bergamaskëve në një ndeshje zyrtare përballë Parmës (2-0 për Atalantën), duke luajtur gjithsej 54 minuta.

Më pas… Kostinja pësoi një dëmtim dhe prej këtij momenti më shumë për të flitej nga tribunat e stadiumeve, sesa në fushën e lojës (portugezi ishte shpeshherë i pranishëm në “San Siro” për të ndjekur nga afër Interin e mikut të tij, Hoze Mourinjo). Po me Atalantën, ç’ndodhi?

Në fakt asgjë. Për dy vjet e gjysmë rresht mesfushori me tipare mbrojtëse nuk luajti më asnjë minutë me ekipin e tij, megjithëse vazhdoi të marrë 700 mijë euro në sezon. Kështu, në pothuajse 30 muaj në “Bergamo”, Kostinja regjistron vetëm 54 minuta të luajtura. Pra historia e tij me Atalantën përfundoi pa nisur mirë.

Tashmë, në moshën 35-vjeçare, ish-futbollisti i kombëtares portugeze është i lirë të gjejë një ekip tjetër, duke qenë se kontrata me Atalantën përfundoi. Gjithmonë ka ëndërruar që një ditë të veshë fanellën e Sportingut të Lisbonës. Megjithatë, periudha e gjatë jashtë fushave të lojës, mund të jetë epilogu i një karriere që për hir të së vërtetës, ka qenë e lavdishme.

Gjithashtu lexo

Ylli i Shkëndijës: Nuk kemi çfarë të humbasim ndaj Milanit

Ardian Cuculi ka thënë se Shkëndija do të tentojë të bëjë lojën e saj dhe …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *