Home / Sport / Mourinjo vs Ançeloti: Kush është më i miri?

Mourinjo vs Ançeloti: Kush është më i miri?

Të mërkurën e 24 shkurtit Interi dhe Çelsi do të “përplasen” në “Meaca” në ndeshjen e vlefshme për fazën e 1/8 të Ligës së kampionëve.

Një sfidë (më saktë, një finale e parakohshme) që vë përballë dy rivalë të vjetër. Hoze Mourinjo rikthehet në “Stamford Bridge”, aty ku kaloi tre sezone të suksesshme me Çelsin. Tashmë Blutë e Londrës drejtohen nga Karlo Ançeloti, ish-trajnrei i Milanit (që gjithashtu do të rikthehet në “San Siro”, aty ku kaloi tetë vite të lavdishme). Pra, një sfidë brenda sfidës ajo e trajnerëve. Të dy të zotë, të dy të suksesshëm aty ku kanë shkelur. Një sfidë intriguese për një sërë arsyesh. Natyrshëm lind pyetja: po kush është më i mirë nga të dy? Kush do të triumfojë? Hoze Mourinjo, apo Karlo Ançeloti? Le të bëjmë një analizë në lidhje me këtë çështje.

Defekti kryesor i sistemit taktik në Interin e Hoze Mourinjos në këta dy vite të drejtimit të tij në Itali ka qenë pa dyshim mungesa e një lidhjeje të natyrshme midis mesfushës dhe sulmit. Në vend që ta zgjidhte këtë problem menjëherë, Mourinjo ndoqi rrugën e Roberto Mançinit, duke vazhduar skemën me topa të gjatë në drejtim të Zllatan Ibrahimoviçit. Pra, e gjithë skuadra punonte për sulmuesin suedez. Ky sistem loje funksiononte për mrekulli në Serinë A, por nuk rezultoi i efektshëm në 1/8 e Ligës së Kampionëve ndaj Mançester Junajtid sezonin e kaluar.

Në fakt, sukseset e “Të veçantit” para se të mbërrinte në Milano, janë të dukumentuara: Liga e Kampionëve me Porton në vitin 2004, dy Premier Liga të fituara me Çelsin, dy kampionate portugezë si dhe FA Cup me Blutë e Londrës. Me këtë CV të pasur, portugezi zbarkoi në “Rrugën Durini” me një objektiv të qartë në kokë: të fitojë Ligën e Kampionëve. Por në sezonin e parë nuk ia doli.

Sidoqoftë, skuadra e tanishme ka treguar se është më e mirë të paktën në krahasim me atë të vitit të kaluar. Duket se Hoze Mourinjo ka instaluar në psikologjinë e lojtarëve zikaltër të njëjtën mendësi si të vetën. Interi është bërë pragmatist, pak a shumë një skuadër “cinike”, që nuk fal.

Një nga ndryshimet e Interit nën Mourinjon është pozicioni i atij që quhet libero, apo mbrojtësi i qendrës. Tek Portoja dhe më pas te Çelsi, këtë funksion e kryente Rikardo Karvalho, i cili kishte të drejtë të merrte topin dhe të shtynte sa të mundte përpara, duke krijuar hapësira për të ndihmuar në fazën sulmuese. Tek Interi këtë po e bën më së miri Lusio. Me daljet e tij braziliani lë hapësira në prapavijë, të cilat mbulohen më së miri nga mbrojtësit anësorë dhe më së shumti nga mesfushorët (Zaneti dhe Kambiaso).

Megjithatë, gjykimi i trajnerit luzitan për lojtarët mbetet me një pikëpyetje të madhe. Blerjet e shtrenjta të Mansinit nga Roma dhe sidomos të Kuarezmës nga Porto dolën plotësisht të dështuara, kurse Muntari ndonjëherë duket sikur më shumë “çon ujë në mullirin e kundërshtarit”. Gjithashtu, personaliteti i 46-vjeçarit (shpeshherë bëhet i bezdisshëm) mund të ndikojë për keq në marrëdhëniet me futbollistët. Rasti tipik për ta ilustruar këtë është marrëdhënia e ngrirë me Mario Balotelin.

Kurse Karlo Ançeloti, përveçse ka më tepër përvojë, ka treguar se është më i dashur me lojtarët, siç e demonstron rasti i fundit i skandalit të Xhon Territ dhe mbështetja që trajneri italian i dha kapitenit londinez. Ndërkohë që i gjithë opinioni publik në Britani kryqëzoi Terrin, Ançeloti nuk e ndryshoi qëndrimin e tij në mbështetje të mbrojtësit të kombëtares. Të njëjtën gjë ka bërë edhe me lojtarë të tjerë. Për shembull, në kohën që Çelsin e drejtonte Skolari, Didier Drogba kaloi një nga periudhat më të errëta në “Stamford Bridge”, kurse me të ardhur italiani, sulmuesi afrikan ka rilindur, edhe falë mbështetjes të ish-teknikut të Milanit.

Pra, “Karleto” e ka bërë në mënyrë më se të natyrshme kalimin nga Seria A në Premier Ligë. Para drejtimit të tij londinezët kishin disa luhatje përgjatë sezonit, por tani kryesojnë me meritë kampionatin dhe kanë treguar më tepër siguri në lojën e tyre. Në këtë përmirësim nuk ka ndikuar vetëm personaliteti i trajnerit, por edhe sistemi i përshtatshëm taktik që ai përdor.

Ançeloti ka arritur të ndërtojë një skuadër shumë të kujdesshme në mbrojtje, ku lojtarët janë në gjendje të mbyllin hapësirat dhe të krijojnë një sistem mbrojtjeje kompakt, duke aplikuar me sukses kundërsulmin. Po kështu, të njëjtët lojtarë janë në gjendje të japin më të mirën e tyre edhe në lojën sulmuese. Karlo Ançeloti ka aftësinë të kuptojë në varësi të kundërshtarit që ka përballë nëse është më e përshtatshme një mesfushë në formë rombi, apo sistemi 4-5-1.

Kombinimi i këtyre faktorëve – raporti i afërt me lojtarët dhe mendja e mprehtë e formuar në Koverçano – i ka lejuar Ançelotit të arrijë sukseset aktuale. 50-vjeçari ka fituar dy herë Ligën e Kampionëve, ashtu si kampionatin italian, Kupën e Italisë, si dhe Kupën e Botës për klube. Edhe pse sukseset në kampionat nuk janë shumë mbresëlënës, efektet e Kalçopolit nuk duhen nënvlerësuar.

Janë të paktë njerëzit që e njohin Ligën e Kampionëve më mirë se “Karleto”. Nën drejtimin e tij Milani arriti tre herë në finale, duke fituar dy herë dhe duke pësuar disfatë në 2005 me penallti përballë Liverpulit. Gjithashtu, kuqezinjtë me në krye Ançelotin arritën në gjysmëfinale në 2006, ku u eliminuan nga Barcelona, e cila ngriti trofenë. Këtë vit Çelsi i tij doli i pari në grupin ku bënin pjesë edhe Porto, Atletiko Madrid dhe Apoel Nikozia. Megjithatë, më e vështira ende nuk ka ardhur.

Megjithëse Hoze Mourinjo ka më tepër trofe në palmaresin personal, duhet marrë parasysh edhe fakti se sa shpenzime kërkon secili prej trajnrëve në ekipet ku drejton. “I veçanti” kishte kaq shumë para në dispozicion nga Abramoviçi, sa në fakt, nuk dinte se ç’të bënte me to. 21 milion stërlina shkuan dëm me Shon Rajt Filips. E njëjta histori edhe te Interi. Megjithatë, nuk duhet mohuar fakti se ai është në gjendje të menaxhojë në skuadër yjet e shtrenjtë.

Për më tepër, disa prej futbollistëve më të rëndësishëm të Çelsit të sotëm janë sjellë në Londër nga paraardhësi i Mourinjos, Klaudio Ranieri, ose kanë dalë nga akademia e të rinjve. Kurse te Milani, Ançeloti, megjithëse gjeti në ekip disa elementë të rëndësishëm, si Kostakurta, Maldini apo Shevçenko, arriti të përshtasë Andrea Pirlon në një mesfushor me tipare mbrojtëse, duke i dhënë më shumë hapësirë përpara Rui Kostës, para se të firmoste kontratën prej 8.5 milion eurosh me atë që do të bëhej idhull në “San Siro”, Kaka.

Pa ia mohuar vlerën Ligës së Kampionëve të fituar me Porton më 2004 – një surprizë edhe për vetë portugezët – rruga e tyre deri në finale ishte pak a shumë e lehtë. Reali i Madridit i kaloi në fazën e grupeve dhe pasi eliminuan Mançesterin në 1/16, Porto u përball me Olimpikun e Lionit, Deportivo La Korunjën dhe Monakon në finale – kundërshtarë që vështirë se mund të quhen të mëdhenj në Europë.

Tashmë është koha që Hoze Mourinjo të marrë për dore Interin dhe ta udhëheqë drejt sukseseve në elitën e futbollit europian. Por mbetet për t’u pasë nëse do t’ia dalë përballë Karlo Ançelotit.

Gjithashtu lexo

Ylli i Shkëndijës: Nuk kemi çfarë të humbasim ndaj Milanit

Ardian Cuculi ka thënë se Shkëndija do të tentojë të bëjë lojën e saj dhe …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *