Home / Sport / Bajramaj sheh të ardhmen larg futbollit

Bajramaj sheh të ardhmen larg futbollit

E ardhmja e Fatmire Bajramajt nuk ka të bëjë me botën e futbollit. Futbollistja kosovare planifikon që të krijojë familje, të ketë fëmijë dhe ta blejë një vilë në Los Angeles. 21 vjeçarja synon që me ekipin e saj Turbine Potsdam të shpallet kampione e Gjermanisë, ndërsa me përfaqësuesen gjermane ta fitojë sërish titullin e kampionit të botës, vitin tjetër.

Fatmire Bajramaj konsiderohet si e ardhme e ndritshme e futbollit gjerman. 21 vjeçarja po shkëlqen me klubin e saj gjerman Turbine Potsdam, por edhe me përfaqësuesen e Gjermanisë.

Edhe pse në moshë të re, futbollistja kosovare ka fituar plot trofe. Por, ajo nuk e ka ndërmend të ndalet me kaq, ngase synon të fitojë trofe të tjerë të çmueshëm. Pasi ta përfundojë karrierën si futbolliste, vajza nga Istogu planifikon një të ardhme jashtë botës së futbollit.

Për dallim të disa kolegeve të saj, që planifikojnë ta kalojnë gjithë jetën me këtë sport, ajo ka ide të tjera: krijimin e familjes, vendbanimin e ri, dhe shumë gjëra të tjera.

“Ëndrra ime më e madhe për të ardhmen nuk ka të bëjë fare me futbollin. Fillimisht, dëshiroj të krijoj familje dhe të kem fëmijë. Më parë, dëshiroj ta kem një vilë në Los Angeles, edhe pse nuk ka diçka specifike atje. Thjesht, dua të kënaqem atje”, ka thënë futbollistja kosovare për uebfaqen jungle-world.com.

Përpos sportit dhe planeve familjare, Bajramaj ka kohë edhe për angazhim social. Ajo ishte ambasadorë për fëmijët e “World Vision”, ndërsa shumë shpejt do të jetë kumbare e një fëmije.

Në fillim të këtij viti, ajo ishte autorizuar nga Ministri Federal i Punës dhe i Çështjeve Sociale të Gjermanisë si ambasadore e vitit në Evropë, për luftimin e varfërisë dhe aspektit social. Për presidentin e DFB, Federata e Futbollit të Gjermanisë), Theo Zwanziger, “Lira” është një shembull i shkëlqyeshëm për integrim të suksesshëm.

Prandaj, atij i pëlqen që Bajramaj të bëjë publicitet dhe të ketë marrëdhënie me publikun, siç është shembulli i vizitës së shkollave me përqindje të lartë të fëmijëve emigrantë. “Jam e lumtur që e bëj një gjë të tillë, sepse është një nder për mua që të jem model i këtij roli”, ka shtuar Bajramaj.

Me ekipin e saj të ri, mesfushorja kosovare ka ambicie të mëdha. “Së pari dëshiroj ta fitoj kampionatin me Potsdam, e më pas të bëhem kampione me Gjermaninë”, tha Bajramaj.

Ajo pritet të ketë rol të rëndësishëm në përfaqësuesen e Gjermanisë, të cilën synon ta udhëheqë drejt titullit të kampionit të botës, vitin e ardhshëm. Ka raste kur ajo nuk ka luajtur asnjë minutë, por është e rëndësishme megjithatë për gjermanet.
“Lira është xhoker im. Nëse gjërat nuk shkojnë mirë, e fus në lojë dhe gjërat ndreqen në shpejtësi”, ka thënë trajnerja e përfaqësueses gjermane për femra, Silvia Neid.

Megjithatë, Bajramaj dëshiron që në Botërorin e ardhshëm të jetë pjesë e përbërjes së parë. Në miqësoret e fundit të gjermaneve, ajo ishte e rregullt kundër Koresë së Veriut, ku Gjermania fitoi 3:0. Bajramaj shënoi njërin nga tre golat e ekipit të saj.

Nga 24 shkurti deri me 3 mars, ajo ia demonstroi trajnere Silvia Neid se mund të llogarisë në të. Tek e fundit, tashmë është bërë traditë: “Lirën” definitivisht e ndjek suksesi, andaj ajo pritet të luajë rol të rëndësishëm në vitet e ardhshme për gjermanet. Pa dyshim, Fatmire Bajramaj është njëra prej futbollistëve më të famshme në botën e futbollit gjerman. Ajo nuk ka vetëm kualitete sportive.

Ajo shquhet edhe me librin e saj “Synimi i jetës sime – nga refugjate në kampione të botës”, ku e ka shpalosur të gjithë karrierën e saj profesionale, por edhe jetën private. “Publiku duhet ta kuptojë se sa e vështirë është për fëmijët refugjatë që shkojnë në Gjermani. Vetëm sporti më ka ndihmuar që të bëj shoqëri. Me këtë libër kam dashur t’i inkurajoj të rinjtë që ta ndjekin shembullin e mirë”, vazhdoi Bajramaj.

Sa ishte më e re, “Lira” ishte sharë më shumë se një herë “e çmendur” nga shoqet e skuadrës, por ajo e ka fituar respektin e të gjithëve vetëm pasi e tregoi veten në fushën e blertë.

Ajo, bashkë me familjen: prindërit dhe dy vëllezërit, ishte shpërngulur nga Kosova për në Gjermani në vitin 1994, kur ishte katër vjeçare për shkak të rrezikut të përditshëm për jetë, thotë ajo.

Siç kishte treguar edhe më parë, “Lira” kishte nisur të luante futboll fshehurazi të atit, Ismetit, i cili nuk preferonte që vajza e tij të merrej me këtë sport. “Ai dëshironte që unë të vallëzoja balet, ngase mendonte se futbolli është sport meshkujsh”, tha ajo.

Ajo luajti me djem në lagje, sa ishte e vogël, derisa aty u vërejt talenti i saj i madh për sportin me këmbë. Ajo nënshkroi me klubin e parë, FSC M0nchengladbach, më pas me ekipin më ambicioz DJK / VfL Giesenkirchen. Babai i saj nuk dinte asgjë derisa bëri hapin përfundimtar. Edhe vëllai i Fatmires merret me futboll: ai luan tek Giesenkirchen.

Në moshën 10 vjeçare, “Lira” e kishte bindur babanë e saj që ta shikojë në stadium. “Tash, ai është fansi im më i madh”, tregon Bajramaj duke qeshur. Kur i kishte mbushur 16 vjet, ajo ishte transferuar në Bundesliga, përkatësisht në ekipin FCR Duisburg (viti 2004). Pas një viti, ajo debutoi edhe me skuadrën përfaqësuese, ndërsa deri tash ka kompletuar 40 paraqitje dhe ka realizuar 7 gola.

Pa dyshim, dy golat e shënuara për Gjermaninë kundër Japonisë, në ndeshjen për vendin e tretë për Olimpiadën 2008 (fituan medaljen e bronztë), do të mbeten në mendje të kosovares përgjithmonë. Po ashtu, ajo ka arritur suksese të tjera impresionuese: me U19 kampione e Evropës, fituese e Kupës UEFA dhe kampione e ligës gjermane, kampione e botës dhe e Evropës.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *