Home / Lajme / Maqedoni / Brukseli, a do ti thyej parimet për Maqedoninë ?

Brukseli, a do ti thyej parimet për Maqedoninë ?

22 mars-
Lëvizjet e fundit të institucioneve të Bashkimit Evropian në procesin e zgjerimit dhe thellimit të kësaj organizate ndërkombëtare gjithnjë e më tepër po zbehin parimet e dhe rregullat bazë të saj për pranimin e shteteve të reja në gjirin e saj.
Brukseli në disa raste është duke marrë vendime politike për vende të caktuara, duke anashkaluar kështu parimet dhe kushtet e përcaktuara vetë për pranimin e shteteve të reja.

Muhamer Pajaziti

Përfaqësues të Qeverisë së Maqedonisë ditëve të fundit me një entuziazëm dhe optimizëm të theksuar deklaruan se Bashkimi Evropian definitivisht do të rekomandoj fillimin e negociatave për anëtarësimin e vendit në këtë organizatë supranacionale.
Kjo nuk ishte një risi, sepse disa herë kjo qeveri manipulon dhe gënjen opinion duke theksuar se integrimet euroatlantike janë prioritet i saj dhe se vendit i kanë mbetur edhe disa punë të vogla për ti përmbyllur të gjitha reformat e parapara nga Komisioni Evropian. Sikur të ishte vërtet kështu, do të ishte një epilog i lumtur për Maqedoninë dhe qytetarët e saj, të cilët për pesëmbëdhjetë vite me radhë për çdo ditë në televizor dhe lajme dëgjojnë për integrimin dhe të mirat që sjell ky integrim. Sipas pohimeve të Milloshoskit e Gruevskit, BE paska vendosur t`i shkel parimet dhe kriteret bazë për pranimin e shteteve të reja, të ashtuquajturat standardet evropiane, apo Kriteret e Kopenhagës, të cilat parashikojnë stabilitet demokratik dhe institucional, në kuptim të ekzistimit të një shteti juridik, sistemit shumëpartiak, pluralizmit, mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe të drejtave të pakicave. Më pas një ekonomi tregu funksionale dhe konkurrente dhe aftësi dhe kapacitet të ndërmerren të drejtat dhe detyrimet që dalin nga Bashkimi Evropian.

Problemet e brendshme

Marrë parasysh kushtet e lartpërmendura, parashtrohet pyetja se cili vërtet është statusi momental i Maqedonisë në rrugën drejtë BE-së. Nëse thirremi në standardet dhe vlerat e vërteta evropiane, atëherë Maqedonia që në fillim është e diskualifikuar. Kjo për faktin se ky shtet me një demokraci të brishtë ballafaqohet me një mal problemesh të jashtme dhe të brendshme. Ky shtet akoma diskriminon dhe përdor metoda segreguese në arsim dhe punësim ndaj qytetarëve të saj jo-maqedonas. Nxënësit shqiptar dhe të komuniteteve tjera jo-maqedonase vazhdojnë të mësojnë në bodrume dhe hangarë. Në këtë shtet akoma të burgosurit mbahen lidhur me zinxhirë në kushte çnjerëzore, ndërsa qytetarët për çdo ditë raportojnë raste të dhunës dhe terrorit policor. Dokumenti i Marrëveshjes së Ohrit është zhdukur nga arkivat shtetërore dhe nuk bëhet fjalë realizimin i tij, pasi vetë shifrat dhe statistikat flasin se shqiptarët nuk janë të përfaqësuar në institucionet shtetërore ndërsa tensionet ndëretnike gjithnjë e më tepër janë në rritje. Vendi ka miratuar një varg ligjesh të harmonizuara, konform legjislacioni evropian acquis comunitar, por se këto ligje kanë mbetur dhe do të mbesin në letër. Implementimi i tyre nuk do të ndodhë përderisa kemi një elitë politike të papërgjegjshme dhe me ide nacionaliste.
Gjyqësia dhe administrata vazhdojnë të kontrollohen nga politika si në shumicën e shteteve diktatoriale, ku përmes proceseve gjyqësore të montuara eliminohen kundërshtarët dhe burgosen njerëz të pafajshëm. Vendi ballafaqohen edhe me shumë probleme tjera të cilat janë të vërtetuara edhe nga raportet e organizatave relevante ndërkombëtare, si Amnesty International, Freedom Haus, IGFM, Këshilli i Evropës, Komiteti i Helsinkut dhe shumë organizata tjera të cilat vazhdojnë të alarmojnë për shkeljet dhe anomalitë në këtë shtet.

Problemet e Jashtme

Në Bashkimin Evropian ekziston edhe një rregull juridik që shteteve anëtarë u mundëson të kushtëzojnë shtetet pretendente për tu anëtarësuar në këtë organizëm. Pra, pranimi i shteteve të reja duhet të bëhet me pajtimin (konsensus) e të gjitha shteteve anëtare. Kjo është pengesa e dytë për Qeverinë e Maqedonisë, e cila me politikat e saj destruktive ka rrënuar marrëdhëniet me të gjitha shtetet fqinje si Greqinë, Bullgarinë dhe Kosovën, përjashtuar Serbinë me të cilën punon natë e ditë për thelluar miqësinë.
Çështjet e hapura dhe kontestet bilaterale do të ndikojnë direkt që Brukseli të mbaj mbyllur portën për Shkupin edhe për një kohë të gjatë.
Acarimi i marrëdhënieve me fqinjën mund të sjellë një veto të dyfishtë nga Bullgaria dhe Greqia, ndërsa në të ardhmen e afërt nëse vazhdon diskrimimini dhe nënçmimi i shqiptarëve vetoja e tretë mund të vijë edhe nga Shqipëria, e cila për momentin shprehet e rezervuar në këtë drejtim. Ndërkaq Kosova, mund të marrë masa që të ndaloj importimin e mallrave dhe prodhimeve maqedonase, nëse ky vend së shpejti nuk vendos marrëdhëniet diplomatike në nivel ambasadash.

Përjashtimet dhe vendimet politike të BE-së

Lëvizjet e fundit të institucioneve të Bashkimit Evropian në procesin e zgjerimit dhe thellimit të kësaj organizate ndërkombëtare gjithnjë e më tepër po zbehin parimet e dhe rregullat bazë të saj për pranimin e shteteve të reja në gjirin e saj.
Brukseli në disa raste është duke marrë vendime politike për vende të caktuara, duke anashkaluar kështu parimet dhe kushtet e përcaktuara vetë për pranimin e shteteve të reja.
Kjo dëshmohet me anëtarësimin e Rumanisë dhe Bullgarisë të cilat realisht nuk kishin plotësuar kushtet për hyrje në BE dhe kishin një standard të njëjtë me Turqinë dhe shtetet tjera të Ballkanit. Turqia ka një standard të jetesës që është dikund mbi 20 % i mesatarës së BE-së, afërsisht sa ai i Bullgarisë dhe i Rumanisë.
Një tjetër fakt është edhe vendimi për heqjen e vizave për shtetasit e Serbisë, dhe në të njëjtën kohë izolimin e shqiptarëve, gjegjësisht, Kosovën dhe Shqipërinë. Një numër i madh i analistëve të huaj kanë kritikuar këtë vendim duke e cilësuar si shpërblim për Serbinë, për gjenocidin e bërë në Kosovë dhe Bosnjë Herecegovinë.

Gjasat e Shkupit

Marrëdhëniet e Maqedonisë me BE datojnë që nga vitet e 90-ta, dhe deri më sot janë nënshkruar shumë marrëveshje kontraktuale dhe politike. Mirëpo asnjëherë nuk kanë arritur të përmbushen nga ana e Maqedonisë. Edhe pse tani më katër vite kanë kaluar nga dhënia e statusit kandidatë shpresat për një integrim dhe bashkim me familjen evropiane janë shumë të vogla. Edhe nëse vendi fillon negociatat për anëtarësim, ato mund të zgjasin vite me radhë dhe të pësojnë ngrirje nga presionet e Athinës dhe Sofjes. Ndërsa problemet mjaftë i madh në këtë drejtim është edhe ratifikimi i marrëveshjes së Lisbonës pa të cilën procesi i zgjerimit nuk do të vazhdojë.

(Autori është magjistër i së drejtës evropiane dhe ndërkombëtare)

Gjithashtu lexo

Starnawski përsëri zhytet në Matkë

Zhytësi i famshëm speleologjik, Krzysztof Starnawski nga Polonia, së bashku me ekip të zhytësve vendas …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *