Home / Lajme / Rajon / Daci: Sa më shumë që e njoh, aq më tepër e urrej politikën!

Daci: Sa më shumë që e njoh, aq më tepër e urrej politikën!

26 mars-
Unë mendoj që do të orientohet kryesisht në kulturë, në shkencë, në kontributet, në edukim, sepse, në Akademi të shkencave fatmirësisht nuk ka pensionim. Vetëm Perëndia kur ju merr në jetën tjetër, prandaj nuk kam ndonjë dëshirë të veçantë, por mendoj që do ta kaloj një jetë ashtu siç e kam filluar, me punë, me respekt ndaj njeriut. Mund t’ju them, në Universitet, nuk ka portir, ose pastrues, ose asistent ose laborant që nuk ka pasur gjithmonë respekt.

Akademik Nexhat Daci është një ndër liderët politikë që para lufte ka bërë emër në botën shkencore, ndërkaq pas lufte ka përjetuar majat më të larta të pushtetit institucional. Edhe në jetën private edhe shkencore është akademik. Është krenar që prej rinisë ka qenë “antipod i politikës, Madje “aksidentalisht” ka hyrë në politikë, gjithmonë në polet opozitare të politikës ditore. Edhe tash në kostumet politike e ndjen veten jo komod. Ka bindjen se Zoti nuk e ka barë për politike dhe do të jetë shumë i lumtur kur do të vjen dita që edhe këta të LDD-së një ditë me ia tregu derën! Nexhat Daci zbulon disa prej inserteve te jetës së tij private dhe akademike, ndryshe, ndryshe nga ajo qe keni lexuar e dëgjuar për atë deri më tash.

Intervistoi: Gazmend KAJTAZI

Jeni akademik në profesion, sa jeni “akademik” në jetën private?
Unë jam i bindur që 90% ose 95% e jetës sime private është akademike. Në jetën private nuk e besoj që ka asnjë përqindje të politikanit. Por jeta e akademikut dhe jeta e profesorit të Universitetit do ta ketë, dhe kjo tregon se a e kam gjetur rrugën në politikë a jo.
Unë nuk e ndjejë veten se jam në politikë dhe shpeshherë kam edhe pasoja të moskuptuarit nga qarqet politike, sepse mendoj që politika e shek. XXI nuk mund të quhet politikë e llafeve të larta që ka qenë karakteristikë e politikës, por e rezultateve, e paraqitjes së rrugëve të zgjidhjes së problemeve, e kohës për sa zgjidhen ato probleme dhe shpeshherë ndoshta mund të mos hasim mirëkuptim qarqet politike, por unë vazhdoj të mbetem dhe i tillë do të jem gjithmonë.

Me bashkëshorten time Zinetën jemi bashkë prej rinisë

Sikur të kishit mundësi ta riktheni “filmin e jetës” çka do të ndryshonit në jetën tuaj private?
Nuk kam menduar asnjëherë, por ndoshta vlen ajo e popullit që ‘me i lëshu mendtë arave, secili i njeh të vetat’. Ndoshta krenaria e veçantë është që kam qenë antipod i politikës gjithmonë. Edhe si student, edhe si asistent edhe si profesor universiteti kam qenë disi gjithmonë në polet opozitare të politikës ditore dhe mendoj që do të kisha zgjedhur të njëjtën rrugë, por kuptohet tash përvoja dhe njohuritë e bëjnë të veten, por nuk do ta ndërroja.

Jeni i njohur për pedanteri në veshje. Kush ka dorë në dukjen tuaj, bashkëshortja e juaj apo e keni traditë personale?
Meqë unë jam më i vjetër në moshë se bashkëshortja ime dhe në një mënyrë jemi kolegë ose shokë të shkëlqyeshëm, kemi studiuar në vend të njëjtë dhe jemi shoqëruar herët, e mendoj që e kam të lindur nga prindërit, por në profilizimet e mëvonshme nuk është edhe pa ndikim edhe shija e bashkëshortes.
Edhe bashkëshortja Juaj Zineta ka një elegancë në veshje. A keni ndikuar ju te ajo apo ajo te ju?
Unë e besoj se kam ndikuar shumë në rini, por edhe kam pranuar shumë nga ajo.

Çka kujtoni diçka të veçantë në jetën tuaj nga koha e shkollës së mesme apo e studimeve, diçka që nuk ia keni treguar askujt, që ende e ruani në shpirtin tuaj dhe që kësaj radhe dëshironi ta shpalosni për ne atë kujtim nga jeta juaj private?
Po, është qesharake por unë shkollën e mesme e kam krye në Leskovc, në Serbi, sepse shkolla shqipe ka qenë atë kohë ka qenë vetëm normalja, në Prishtinë dhe në Shkup dhe, çuditërisht nuk kam dashtë me qenë mësues por po shkoj në pension si mësues, si profesor universiteti. Dhe kur kam shkuar atje kam ditur, fare, fare, fare pak serbisht. Nuk kishte tekste shkollore në atë kohë. Diktonin profesorët. Dhe thonin e çka thonin dhe ‘tacka’ (pikë). Dhe e mbaj mend gjithmonë përgjigjet që jam pyetur në biologji i pari. Ka qenë një grua profesoreshe diku atje e Vranjës dhe qeshnin shumë nxënësit. Unë flisja e flisja dhe thoja ‘tacka’. Dhe unë nuk dija pse po qeshin. Por meqë Vranja është afër Bujanovcit, afër shqiptarëve ajo e dinte atë që unë se dija mirë serbishten dhe filloi tu thoshte diçka atyre që se kuptoja, por mua më dha 5-she. E mbaj atë si detal të shkollës së mesme dhe me trup kam qenë shumë i vogël, tepër i vogël dhe keq i veshur në shkollë të mesme, sepse kam filluar shkollimin ndoshta më me pak se 5 vjet, në Tërnovc. Ka qenë e vemja paralele në krejt Jugosllavinë e atëhershme, në Leskovc dhe kishte njerëz që kishte në reprezentacionin e hendbollit të Jugosllavisë dhe boks. Dhe kur i thirrnin për nota ata mua më kapnin si figurë mbas tyre për me ju pëshpëritë. Dhe në atë, pastaj e kam fituar simpatinë dhe kuptohet mandej, se i mbaj dy ekstreme të mira të shkollës së mesme dhe një e mbaj për të keq, një gjë. Kishte varfëri shumë në atë kohë dhe udhëtonim me tren. Nuk kishim kurrë para për të paguar trenin prej Leskovcit deri në Bujanovc, por në mes të rrugës. Dhe njëherë me një kushëri që ishim bashkë në udhëtim, na zbresin në Vranjë natën, se nuk kishim bileta. Dmth., mbaj në mend shumë gjëra me kënaqësi, por nuk më ka ra pastaj më kurrë të shkoj. Kam qenë, besoj, një nxënës shumë i dalluar dhe nuk më kam qenë kurrë më në rrugë.

Jeni personalitet shumë i vlerësuar, ç’ju mungon?
Unë besoj që ajo që më mungon është që njerëzit mendojnë që kam qenë gjithmonë mendjemadh, kokëlartë, njëri që nuk i respekton të tjerët dhe jam e kundërta, krejtësisht e kundërta. Ndoshta ajo ka qenë dhe është mungesë. Mungesa e kohës dhe fakti që unë jam rritur në familje të madhe ku kemi qenë 15 fëmijë dhe mua nuk më ka ‘formatë’ askush, dhe nuk kam pas rast të mësoj burrëri ose sjelljet si duhet të odave. Ajo më ka mungua gjithmonë dhe sot nuk shkoj me kënaqësi as në dasma e as në kryeshëndosh dhe u them se i kryen vëllai i madh ose mixhallarët.

Popullit nuk i duhen politikanët që synojnë privilegje në politikë

Politika, është sakrificë apo privilegj?
Unë e kuptoj dhe përjetoj vetëm si sakrificë dhe ndoshta e them për herë të parë me bindjen dhe përgjegjësinë më të lartë njerëzore. Asnjë cent nuk kam përfituar në politikë, vetëm kam humbur dhe mendoj në atë mënyrë je shumë i afërt me ndjenjat e qytetarit të rëndomtë, me varfërinë e tij, me sëmundjen e tij dhe jam shumë krenar që gëzoj një respekt në mesin e studentëve dhe të qytetarëve. Prandaj nuk e konsideroj si privilegj dhe mendoj se popullit nuk i duhen eprorët ose politikanët që shohin privilegje në politikë.

Përveç politikës, ç’pasione të tjera keni?
Unë kam pasion shëtitjen, e kam pasion natyrën. Ka 30 vite që në mënyrë rekreative skijimin e respektoj, sepse kam ndërtuar në Brezovicë një vilë. Si nxënës në shkollën e mesme kam qenë në përfaqësuesen, reprezentacion, edhe në volejboll dhe futboll. Si student i Universitetit të Beogradit kam qenë në ekipin e futbollit të Bujanovcit që ka qenë në atë kohë në nivel të lartë. Kam qenë gjithmonë kapiten i ekipit të studentëve shqiptarë Tërnovc dhe i kemi prishë të gjitha ekipet e tjera edhe me futboll edhe me diçka tjetër…Prandaj e jetoj jetën e qytetarit të rëndomtë dhe t’ju them se shoqëria ime është vetëm njerëzit e thjeshtë, shokët që i kam të sinqerte, që jemi shokët që kur kemi qenë ‘brucoshë’ dhe vazhdojmë të ngelemi.

Çfarë ndodh përtej asaj që shohin njerëzit?
Te unë nuk ka ndonjë gjë të madhe përtej asaj që shohin. Mendoj se jam komplet transparent, në çdo vend të punës, në shtëpi, jam një njeri shumë i sinqertë me fëmijët e mi, me gruan time, jam shumë i sinqertë me të gjithë kolegët në Universitet, në Akademi edhe në politikë dhe shpesh dukem naiv me atë sinqeritet, por insistoj të mbetem i tillë.

Pushteti dhe suksesi…Sa ndihmohen?
Pushteti ndihmohet vetëm me suksese, ndërsa ato mungojnë në Ballkan gjithmonë, në veçanti te shqiptarët.

Kush ka pushtet mbi ty?
Vetëm Perëndia dhe çështjet e kulturës dhe traditës së popullit.

Si e ndihmon veten të jesh optimist?
Me punë dhe falënderoj Perëndinë për çdo ditë të jetës që ma dhuron.

A ka kufij dhe mure që ju duhet të shtyni çdo ditë?
Ka. Janë të shumtë dhe mjerisht, mjerisht vijnë prej mediokriteteve, në politikë, në kombëtare, në kulturë dhe ato të konsumojnë energjinë që në vend që ta investosh, të punosh për diçka të ballafaqoheshe mediokritete, me padije dhe me kokëlartësi boshe.
Nuk Kam idol në politikë…

Çfarë keni mësuar dukë qëndruar më pranë politikës dhe njerëzve të pushtetshëm?
Hëëmm. Unë po e parafrazoj, por në mënyrën time. Sa më shumë që e kam njohur politikën, po e urrej më tepër. Atë që e kanë thanë ‘sa më tepër që po i njoh njerëzit, ma tepër po i dua qentë’.

Politikani që ju adhuroni?
Nuk ka, në mënyrën shumë të sinqertë po ua them. Do të merrja, ndoshta pjesë të modeleve të sjelljes së Tony Blerit në kampet e të përndjekurve shqiptarë gjatë bombardimeve. Por, në parim nuk kam idole.

Keni deklaruar se më së vështiri e keni pasur kur keni marrë vendim ta themeloni partinë. A keni nostalgji për LDK-në?
Nostalgji nuk kam, por nuk e kam dashtë asnjë parti me e udhëheqë e as me e formuar. Kjo ka qenë një fjali shumë e sinqertë dhe e ndjenjave të mia. Nostalgji nuk kam, ndonjëherë them bile, si është e mundur që të shkatërrojnë njerëzit një vlerë të madhe që ka qenë. Por as në LDK e askund në politikë nuk e kam ndie veten komod. Ju e dini që unë kam qenë më i votuari pas Presidentit Rugova dhe kurrë nuk kam qenë në ekzekutiv dhe pozita të larta të partisë. Nuk kam qenë militar ose militant i partisë kurrë. Ia kam dhurua me kënaqësi vlerat e mia të vogla ose modeste, sepse e kam konsideruar si lëvizje kombëtare dhe mbetet një periudhë që nuk duhet ta njollosi. Por, mendoj që Zoti nuk më ka barë për partinë dhe do të isha shumë i lumtur sa më shpejt me më thye qafë këta të LDD-së.

Si shpjegohet që njerëzit që magjepsen më shumë prej pushtetit janë ata më të paaftët? Ka kjo lidhje me kulturën e njeriut!
Ka shumë lidhje. Unë besoj se nuk do të keqinterpretohem. Pyetja e thjeshtë dhe përgjigjja edhe më e thjeshtë është se ku është dallimi ndërmjet budallait dhe të mençurit. Dallimi është në këtë: budalla globin tokësor e thjeshton në pikë të lapsit të mprehtë, i mençuri në pikën e lapsit e sheh globin tokësor.

A mund të na shuani disa kureshtje që shoqërojnë lexuesin. Sa lexon akademik Daci?
Lexoj shumë dhe këtë e bëj me kënaqësi të veçantë. Vikendeve nuk lexoj as për politikë e as libra shkencorë, por vetëm romane të ndryshme. Edhe si student, unë kurrë s’kam mësuar pas afatit të qershorit, sepse, në qershor kam përfunduar çdo vit akademik, në qershor kam diplomuar, magjistruar, në qershor kam doktoruar. Unë kam pasur të njëjtin stil pune. Dhe, në mbrëmje unë kurrë s’kam mësuar, vetëm argëtim, shfaqje dhe ndeshje sportive. Unë jam adhurues i ligjit të Perëndisë. 8 orë punoj, tetë orë argëtohem, 8 orë – bëj gjumë.

Bëmë një udhëtim paksa të gjatë, ngacmuam kujtime, zbuluam brenga e mësuam diçka nga jeta juaj, po nesër çdo të bëjë Akademik, Nexhat Daci?
Unë mendoj që do të orientohet kryesisht në kulturë, në shkencë, në kontributet, në edukim, sepse, në Akademi të shkencave fatmirësisht nuk ka pensionim. Vetëm Perëndia kur ju merr në jetën tjetër, prandaj nuk kam ndonjë dëshirë të veçantë, por mendoj që do ta kaloj një jetë ashtu siç e kam filluar, me punë, me respekt ndaj njeriut. Mund t’ju them, në Universitet, nuk ka portir, ose pastrues, ose asistent ose laborant që nuk ka pasur gjithmonë respekt. Bile, edhe prej atij respekti, mund t’ju them se gati kurrë s’kam shkuar as rrogën me e marrë vet, por dikush nga bashkëpunëtorët e mi ose të ri. Do të thotë, dua të mbetem një njeri që e donë njeriun e rëndomtë, që e donë njeriun e ndërgjegjshëm dhe që mundohet me e ndihmua atë që ka nevojë për të. Ky do të jetë pasioni im dhe do të merrem me shkrime të shkencës, kuptohet, sepse para se me kalue profesionalisht në politikë kam pas të ardhura shumëfish më të mëdha prej librave që kam shkruar të shumta, në të gjitha nivelet, prej pjesëmarrjeve në konferenca botërore dhe revistat botërore. Gjithë ajo jetë më duket oaza e shpirtit tim dhe oaza e lundrimit të jetës.

Gjithashtu lexo

Rrahje masive në Shkup

Në një restorant në rrugën “Bosnja dhe Hercegovina” në Shkup ka ndodhur një rrahje mes …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *