Home / Lajme / Maqedoni / Decentralizimi në Maqedoni, nën hijen e pushtetit qendror

Decentralizimi në Maqedoni, nën hijen e pushtetit qendror

13 mars
Ndonëse decentralizimi është paraparë në disa faza, megjithatë, gjatë dy viteve të fundit, po stërzgjatet kalimi nga faza e parë në të dytën dhe të tretën. Ndarja e atyre pak kompetencave në sferën e arsimit nuk ndodhi sikurse pritej. Një sërë problemesh lindën qysh në fillim. Komuna duhet të siguronte mjete për inventarin e shkollave, kurse Ministria e Arsimit rrogat e të punësuarve në shkolla.

Nga Urim Hasipi

Ndarja territoriale në Maqedoni në vitin 2005, si pjesë e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, kurse më pas decentralizimi i pushtetit, nuk ka dhënë efekte konkrete edhe pas gjashtë viteve. Kjo ndarje territoriale u kontestua sidomos në Strugë, Kërçovë, Osllome dhe së fundmi në rajonin e Pollogut, ku komuna e Xhepçishtit u shkri në komunën e Tetovës.

Komuna e Xhepçshtit ishte shembull në Maqedoni dhe më gjerë për zhvillimin ekonomik lokal, kryesisht me investime në sfera të ndryshme, veçanërisht në bujqësi dhe ndërmarrje të vogla e të mesme. Për një kohë të shkurtë hapja e ndërmarrjeve ishte praktikë e shpeshtë, përkundër faktit se pushteti lokal apo komunat, atë kohë, kishin më pak kompetenca.

Me decentralizimin e pushtetit në sferën e arsimit dhe dhënien e disa kompetencave të vogla nga ana e pushtetit qendror pothuajse ka amortizuar tërë punën e pushtetit lokal. Në asnjë sferë nuk ka bartje të kompetencave nga pushteti qendror drejt atij lokal. Në arsim kompetencat e komunave janë të vogla apo të ndara mes pushteteve; në shëndetësi ende nuk ka filluar ky proces, ashtu sikurse edhe në sferën e sigurisë. Kompetencat ngelin ende te pushteti qendror dhe zvarritja e bartjes së kompetencave, gjatë dy viteve të fundit, ka ndikuar që komunat të mos lëvizin përpara.
Pushteti lokal mundohet që të bëjë ndonjë investim të vogël në infrastrukturë, për të përmbushur premtimet e dhëna para elektoratit, por nuk kemi punësime dhe investime kapitale.

Kryetarët e komunave, së bashku me administratën, në mënyrë tërthore, janë vënë në funksion të pushtetit qendror dhe implementojnë apo realizojnë atë që u mundëson pushteti qendror. Kur ndodh që të ketë investime kapitale ato realizohen nga pushteti qendror, por jo nga komunat, për sa kohë arrijnë nga buxheti të sigurojnë vetëm rrogat e të punësuarve dhe shtrimit me pllaka bekatoni të ndonjë rrugice.

Ndonëse decentralizimi është paraparë në disa faza, megjithatë, gjatë dy viteve të fundit, po stërzgjatet kalimi nga faza e parë në të dytën dhe të tretën. Ndarja e atyre pak kompetencave në sferën e arsimit nuk ndodhi sikurse pritej. Një sërë problemesh lindën qysh në fillim. Komuna duhet të siguronte mjete për inventarin e shkollave, kurse Ministria e Arsimit rrogat e të punësuarve në shkolla.

Por komunat nuk kanë buxhet që të ndërtojnë shkolla të reja, pos disa arnimeve të vogla, kryesisht me donacione nga institucione të huaja. Në këtë rast ndërhyjnë inatet politike ndërmjet pushtetit lokal dhe qendror. Kur ndodh që në qeveri të kemi një parti tjetër, ndërkohë që një komunë të udhëhiqet nga një kryetar i një subjekti tjetër politik, atëherë e kemi të qartë se perspektivat për një komunë të shëndoshë bien në ujë. Shkollat ende i ndërton pushteti qendror për të fituar poena politikë në disfavor kryetarit të komunës.

Gjendja nuk është ndryshe as në sferën e shëndetësisë, teksa decentralizimi ende s’ka filluar. Nuk mund te kërkohet zhvillim ekonomik në nivel lokal, ndërkohë që komunat nuk kanë kurrfarë pronësie. Edhe pse autoritetet lokale flasin për pavarësim nga pushteti qendror, në disa segmente të shoqërisë, decentralizimi vlerësohet me ngecje.

Analizat tregojnë se njësitë e vetëqeverisjes lokale duhet t`i përmirësojnë marrëdhëniet me pushtetin qendror. Komunat duhet që të përmirësojnë arkëtimin e tatimeve, në të kundërtën rrezikojnë të mos përfitojnë mjete nga BE-ja.

Procesi i decentralizimit nënkuptonte që komunat të kenë qasje në fondet e ngritura, përqindja më e madhe e tatimeve të kthehej në buxhetet komunale, kurse komunat të kishin kompetenca shumë më të mëdha në fushat e arsimit, kulturës, zhvillimit lokal, planifikimit urban, etj.

Probleme kryesore paraqesin numri i pakët i të punësuarve në nivelin lokal që do të merrnin përsipër që realizonin atë që është në kompetencat e komunës. Disa zyra lokale të ministrive përkatëse, nuk kanë hapësira optimale për punë. Një tjetër problem paraqet bllokimi i xhirollogarive të disa komunave për shkak të borxheve të papaguara.
Në një raport të institucioneve ndërkombëtare është thënë se miratimi i planit për decentralizimin, synon t’u japë shqiptarëve rol më të madh në pushtetin lokal, por deri tani nuk nuk janë dhënë prova të mjaftueshme për sa i takon përkushtimit të vendit të ulur tensionet ndëretnike. Vështirësitë më të mëdha, sipas ekspertëve, evidentohen në fushën financiare: administrimin e taksave dhe pagesave lokale.
Për shkakun se mbledhja e të ardhurave nga tatimet është baza kryesore për një funksionim normal të vetëqeverisjes lokale, një punë më efikase në këtë drejtim do të jetësonte decentralizimin.

Por gjërat janë ndryshe: P.sh. Kodra e Diellit, një qendër rekreative dhe sportive në afërsi të Tetovës nuk i është dhënë komunës, por dirigjohet nga pushteti qendror. Për sa kohë fitimet shkojnë në qendër, mbeturinat duhet t’i pastrojë komuna!
Decentralizimi në Maqedoni zyrtarisht filloi në 1 korrik të 2005. Faza e parë parashihte një autoritet më të arritshëm lokal, forcimin e demokracisë lokale dhe intensifikimin e pjesëmarrjes së qytetarëve në këtë qeverisje. Faza e dytë parasheh kompetenca më të mëdha në mbledhjen e tatimeve dhe në arsim, kurse faza e tretë më shumë kompetenca në shëndetësi… Se sa do të realizohet pritet që ta tregojë e ardhmja.
Ekspertët dhe njohës të proceseve të decentralizimit janë skeptik. Ndërkohë, mbetet vetëm t’u dëshirohet kryetarëve të komunave që me forcat e tyre të plotësojnë nevojat e qytetarëve, të cilët janë të mëdha.

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *