Home / Sport / Duro: Irlanda e Veriut, provë për grupin

Duro: Irlanda e Veriut, provë për grupin

Në prag të sfidës miqësore me Irlandën e Veriut, mesfushori i Kombëtares kuqezi, Klodian Duro, pohoi se kjo është një provë e rëndësishme për grupin.

Irlandezo-Veriorët rikthehen në “Qemal Stafa” pas 17 vitesh (ndeshja e fundit ka qenë në shkurt 1993, 1-2). Kundërshtarët e kuqezinjve në takimin e të mërkurës kanë mbërritur në Tiranë dhe do të zhvillojnë dy seanca stërvitore para sfidës së 3 marsit.

Mesfushori i Kombëtares, Klodian Duro, e konsideron një provë të rëndësishme këtë përballje. Në një konferencë për shtyp, futbollisti që luan në kampionatin qipriot me Apollon Limasolin theksoi: “Irlanda e Veriut është ndryshe nga skuadrat kundërshtare në grupin eliminator të “Euro 2012”. Kjo miqësore do të na vlejë për të krijuar një ide mbi grupin dhe të jemi gati për eliminatoret”.

Në lidhje me grupin eliminator dhe kundërshtarët e Kombëtares në ëndrrën për të marrë pjesë në një veprimtari të rëndësishme, autori i katër golave me fanellën kuqezi nënvizoi: “Mendoj se i kemi mundësitë për një renditje më të mirë se në eliminatoret e fundit. E rëndësishme është ta nisim mirë dhe të krijojmë një atmosferë pozitive. Por duhet ta pranojmë se grupi është shumë i vështirë. Objektivi ynë është të marrim gjashtë pikë me Luksemburgun dhe po aq me Bjellorusinë”.

Mesfushori ndërkohë kuqezi ka komentuar edhe vendimin e mbrojtësit kosovar Mërgim Mavraj për t’i thënë jo kombëtares shqiptare. “Futbollistët me origjinë nga Kosova, megjithëse të gjithë jemi shqiptarë, janë pritur gjithnjë ngrohtë në kombëtare dhe janë ndjerë mirë. Ky ka qenë një vendim i Mavrajt dhe ai e di vetë. Por, unë jam i mendimit se edhe brenda territorit ne kemi futbollistë mjaft të mirë dhe te të cilët mund të mbështetemi për të ardhmen”, deklaroi mesfushori kuqezi. Ndërkohë, mesfushori i Tiranës Gjergji Muzaka, një nga të rinjtë e thirrur nga trajneri Kuzhe për këtë sfidë, pranon ndryshimin e futbollistëve që luajnë në Shqipëri me ata në Evropë. “Jashtë Shqipërisë ndryshon sidomos mënyra e stërvitjes dhe si rrjedhim, lojtarët bëhen më cilësorë, – u shpreh Muzaka. – Nuk ka dyshim se nga ana e disiplinës taktike futbollistët që luajnë në Evropë janë më të mirë dhe kjo dihet. A më ka thënë Kuzhe të shkoj jashtë? Jo, por unë kam luajtur jashtë dhe e di që nëse do të bëhesh më i mirë, duhet të shkosh e të luash në kampionatet e huaja”, deklaroi mesfushori bardheblu i kombëtares. Miqësorja mes Shqipërisë dhe Irlandës së Veriut do të luhet të mërkurën në orën 20.45 në stadiumin kombëtar Qemal Stafa. Në Tiranë ndërkohë ka ardhur edhe kombëtarja e Irlandës së Veriut, e cila ka në përbërje futbollistë të Mançesterit, Sandërlendit apo Glazgou Rejnxhërs.

Gjithashtu lexo

Osmani: Bëmë gabime në mbrojtje, do të ndryshojmë në lojën e ardhshme

Trajneri i Shkëndijës së Tetovës, Qatip Osmani nuk e ka përjetuar mirë humbjen nga Milani. …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *