Home / Sport / FIFA se din se Kosova është e pavarur

FIFA se din se Kosova është e pavarur

FIFA do t’i informojë drejtuesit e Federatës së Futbollit të Serbisë, para se të marrë një vendim për kërkesën e Federatës së Futbollit të Kosovës për njohjen e certifikatës ndërkombëtare të transferimeve. Drejtuesit e futbollit kosovar kanë kërkuar sqarim nga FIFA, duke ia bërë me dije që Serbia nuk pyetet për Kosovë.

Federata Botërore e Futbollit (FIFA), si duket, ende nuk e ka kuptuar që Kosova tash e dy vjet është shtet i pavarur dhe i njohur nga rreth 60 shtete evropiane e botërore.

Shtëpia botërore e futbollit, para se të marrë një vendim për kërkesën e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) për njohjen e certifikatës ndërkombëtare të transferimeve (ITC), e ka parë të udhës ta informojë edhe Federatën e Futbollit të Serbisë.

Më 19 mars, Komiteti Ekzekutiv i FIFA’së, në mbledhjen e mbajtur në qytetin zviceran Zurich, ka shqyrtuar sugjerimin e Komitetit për Transferim dhe statusin e lojtarëve të FIFA-s lidhur me transferin ndërkombëtar të lojtarëve nga Kosova.

Mirëpo, KE i FIFA-s ka vendosur që t’i thërrasë drejtuesit e Federatës së Futbollit të Serbisë për t’i informuar ata lidhur me çështjen në fjalë dhe pas kësaj të informojë drejtuesit e futbollit kosovar për vendimin përfundimtar.

Shkresa e FIFA’së, që ka arritur në adresë të Federatës së Futbollit të Kosovës, ka nervozuar udhëheqësit e saj. Pas kësaj drejtuesit e futbollit kosovar kanë dërguar një letër në FIFA, me të cilën u kanë bërë me dije që Serbia nuk pyetet për Kosovën, pasi tashmë jemi të pavarur.

“FFK i është drejtuar edhe një herë FIFA’së, duke u kërkuar atyre sqarime lidhur me këtë dhe duke potencuar faktin se Federata e Futbollit e Serbisë nuk pyetet më për futbollin në Kosovë e posaçërisht jo pas pavarësisë së 17 Shkurtit 2008”, thotë sekretari të përgjithshëm të FFK-së, Eroll Salihu, i cili mendon se me këtë veprim FIFA dëshiron t’ua matë pulsin serbëve.

“Për hir të marrëdhënieve, FIFA deshifron ta informojë Federatën serbe. Unë mendoj se ata dëshirojnë që t’ua matin pulsin dhe t’i përgatisin për rastet tjera. Edhe vetëm Blatter në takimin që kemi pasur ka thënë që Kosova është rast unik dhe si i tillë duhet të zgjidhet hap pas hapi”, theksoi Salihu.

Salihu tregon se serbët do të bëjnë çmos që ta pengojnë njohjen e certifikatës ndërkombëtare të transferimeve. Mirëpo, ai mendon se kjo nuk do të ketë ndikim pasi faktet dhe vullneti i FIFA’së janë në anën e kosovarëve.

Drejtuesit e futbollit kosovar, në muajin nëntor të vitit të kaluar, gjatë takimit që kishin me presidentin e FIFA-s, Sepp Blatter, patën parashtruar një varg kërkesash. Njëra ndër to ka qenë edhe ajo që klubet e huaja t’u paguajnë dëmshpërblime klubeve kosovare, nëse ato përforcohen me ndonjë lojtar nga Kosova.

Gjithashtu lexo

City: 300 mln euro për Messi-n – (VIDEO)

Klubi anglez, Mançester Sity është i gatshëm të bëjë çmendurinë e radhës në tregun e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *