Home / Sport / Ibra-Kaka, Milano i ka “harruar”

Ibra-Kaka, Milano i ka “harruar”

Kur yjet e Milanos u larguan në merkaton e verës, tifozët e dy skuadrave derdhën lot hidhërimi. Por sot duket se të dy futbollistët e adhuruar nga publiku në “San Siro”, janë vetëm një kujtim i largët.

Të dy janë kthyer në “tabelë qitjeje” nga mediat spanjolle. Shkaku është i thjeshtë për t’u kuptuar: asnjëri prej tyre nuk po justifikon shumat marramendëse që presidentët përkatës derdhën për t’i pasur në skuadër. Florentino Perez i pagoi Milanit plot 65 milion euro, kurse Huan Laporta nuk u kursye aspak për sulmuesin suedez, duke e bërë atë blerjen më të shtrenjtë në historinë e klubit blaugrana.

Momenti “jo” i asit brazilianit të Realit u konfirmua me vërshëllimat e gjithë “Bernabeut” të shtunën në mbrëmje në fitoren e vuajtur 3-2 me Seviljen. Kurse Ibra, përveçse po kalon një periudhë errësire në lidhje me golin, nuk po i përmban dot nervat në fushën e lojës, duke e lënë skuadrën me dhjetë lojtarë (kartonin e parë të kuq me fanellën katalanase ish-sulmuesi i Interit e mori të shtunën në mbrëmje në transfertën me Almerian 2-2).

“Pa të kemi për të rënë nga kategoria”. Ky ishte mendimi i tifozëve kuqezi ditën që Kaka vendosi t’i thotë lamtumirë Milanit. Nëntë muaj më pas, dy yjet e ardhur nga Italia nuk kanë sjellë tjetër veçse zhgënjim në kampionatin më të pasur në botë. Sidomos Kaka, që ka mbetur në kuotën e shtatë golave (dy prej të cilëve me penallti) dhe është shndërruar në “prenë” e preferuar të mediave spanjolle.

Nëse Kaka qan, Ibrahimoviçi nuk duhet të qeshë. Përkundrazi. Ish-interisti ka shënuar gjithsej 12 gola me fanellën blaugrana (1 me penallti), prej të cilëve vetëm një në nëntë ndeshjet e fundit. Kjo është gjysma e shifrës që Samuel Eto kishte shënuar me Barcelonën në të njëjtën periudhë të një viti më parë (23 gola).

Por ajo që është më shqetësuese është se me mbërritjen e Ibrës, Guardiola ka ndryshuar skemën e lojës, gjë që ka sjellë një ngadalësim dhe lexueshmëri të aksioneve nga kundërshtarët. Nuk është rastësi që me daljen e tij nga fusha, Barça iu rikthye lojës që di të luajë më mirë. E kundërta ndodh në Milano, aty ku Hoze Mourinjo ka ndërtuar një skuadër të pavarur nga një lojtar (siç ishte suedezi) dhe duket se deri tani vendimi për ta lënë bemjaminin të largohet, ka rezultuar plotësisht i drejtë.

Gjithashtu lexo

Shikoni çfarë ka bërë Barcelona pas sulmit terrorist (FOTO)

Klubi i Barcelonës ka reaguar pas sulmit terrorist në Barcelonë. Katalunasit e kanë bërë një …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *