Home / Sport / Katania “shemb” Interin, titulli në rrezik

Katania “shemb” Interin, titulli në rrezik

Pas një serie barazimesh, ja ku vjen dështimi i zikaltërve. Dështim që kësaj here mund të rezultojë shkatërrimtar, pasi nëse fiton të dielën, Milani afrohet vetëm një pikë pas.

Kolaps. Kjo është fjala që më së miri përshkruan mbrëmjen e të premtes për Interin. Nëse barazimet radhazi në ndeshjet e fundit ishin sinjali, katastrofa është konfirmimi i krizës zikaltër. Më keq se kaq nuk mund të shkonte. Pikërisht në pikën më vendimtare të kampionatit, skuadra nga Milano “kapet mat” në “Masimino” të Katanias.

Pas një pjese të parë pa gola, ndeshja rifilloi mirë për ekipin e Hoze Mourinjos (që e ndoqi takimin nga tribuna e stadiumit). Diego Milito kaloi në epërsi zikaltrit në minutën e 54-t, pas një pasimi të artë të Samuel Eto-s. Në 20 minutat në vazhdim Interi mund të kishte shënuar përsëri, por nuk ia arriti. Pikërisht në këtë moment hyn në fuqi ligji i pashkruar: po nuk shënove, do pësosh. Në të vetmen zbritje të rrezikshme, Maksi Lopez mposhti Hulio Sezarin, duke barazuar rezultatin.

Kjo është “pika e vdekjes” së ndeshjes për kryesuesit e kampionatit. “Gjëma” erdhi në mënyrën më të pafat dhe më mizore të mundshme. Në minutën e 81-të Bepe Barezi largon nga loja Kambiason për t’i bërë vend Sulej Muntarit. Vetëm 20 sekonda në fushë i kanë mjaftuar mesfushorit ganez të rrënojë shpresat e zikaltërve. Një faull i shkaktuar nga afrikani në hyrje të zonës (i cil ndëshkohet me karton të verdhë) ishte preludi i një hidhërimi që ndoshta do mbahet mend gjatë në Apiano Xhentile. I vendosur në murin mbrojtës brenda zonës, Muntari ngre dorën dhe devijon topin. Për gjyqtarin nuk ka dyshim: penallti dhe karton i kuq për Sulej Ali Muntarin, që vetëm një minutë në fushë, lë shenjë të zezë në fatet e ekipit të tij.

Nga pika e bardhë Maskara ekzekuton në mënyrë fenomenale (alla Toti) dhe Sezarit i duhet ta nxjerrë përsëri topin nga rrjeta. Këtu historia merr fund. Pa mesfushor shkatërrues, në disavantazh, me një lojtar më pak në fushë, vetëm nëntë minuta në dispozicion: më keq nuk mund të shkojë.

Në fund ka kohë edhe për një gol tjetër. Minuta e 90-të dhe Martinez vulos mbrëmjen e zezë për Interin. Stadiumi i tejmbushur ngrihet peshë nga tifozët siçilianë, të cilët, megjithë shiun e rrëmbyer gjatë gjithë ndeshjes, nuk rreshtën për asnjë moment së mbështeturi skuadrën e tyre. “Gracka” e ish-it Mihajloviç funksionoi për mrekulli. Vërshëllima përfundimtare e gjyqtarit Valeri i jep fund makthit zikaltër. Por ndryshe nga herët e tjera, ky i sotmi mund të rezultojë katastrofik për titullin. Nëse “kushërinjtë” e Milanit fitojnë të dielën me Kievon, atëherë distanca shkon në vetëm një pikë. Keq! Shumë keq!

Katania 3 – 1 Inter, (M.Lopez 74’, Mascara 81’ (p), Martinez 90’ / Milito 54’)

Katania (4-3-3): Andujar 6,5; Alvarez 6,5, Silvestre 6, Terlizzi 6, Capuano 6 (87′ Potenza); Izco 5,5, Biagianti 6, Ricchiuti 6 (76′ Delvecchio); Mascara 7,5, Maxi Lopez 6,5 (83′ Carboni), Martinez 8.(Campagnolo, Augustyn, Ledesma, Morimoto). Trajner: Mihajlovic

Inter (4-3-1-2): Julio Cesar 5,5; Maicon 5, Lucio 6, Materazzi 6, J.Zanetti 5,5; Stankovic 5,5 (76′ Pandev), Cambiasso 6 (79′ Muntari 3), Mariga 5,5 (46′ Quaresma 6); Sneijder 6; Milito 6,5, Eto’o 6. (Toldo, Orlandoni, Cordoba, Khrin). Trajner: Mourinho (i skualifikuar, in stol Baresi)

Gjyqtar: Valeri

Kartonë të verdhë: Biagianti (C), Zanetti (I), Stankovic (I), Martinez (C)

Karton i kuq: Muntari (I) 81’

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *