Home / Sport / Mes Interit dhe kombëtares, ja Baloteli në shifra

Mes Interit dhe kombëtares, ja Baloteli në shifra

Gjithnjë në qendër të vëmendjes në fushën e lojës dhe jashtë saj, Mario Baloteli është njeriu i momentit në mjedisin zikaltër. Ja një vështrim mbi të dhënat e 21-vjeçarit gjatë këtij sezoni.

Për trajnerin e kombëtares, Marçelo Lipi, “Mario duhet të piqet te Interi dhe te kombëtarja U-21”. Por të dielën në Udine Baloteli shënoi një supergol dhe ishte frymëzuesi i skuadrës në suksesin e rëndësishëm të zikaltërve ndaj Udinezes (2-3). Pra, “SuperMario” rikthehet si faktor te Interi dhe si një kandidat i fortë për një vend në kombëtaren e Lipit në Botërorin e Afrikës.

Nëntë gola ka shënuar sulmuesi në këtë sezon me fanellën zikaltër, shtatë prej të cilëve në kampionat. Pas Militos dhe Etosë, Baloteli është golashënuesi i tretë më i mirë i Interit. Por ai ka luajtur shumë më pak se dy të parët. Më saktë, 1088 minuta të shpërndara në 20 ndeshje, nëntë prej të cilave si titullar.

Mesatarja e vlerësimit në paraqitjet e tij është 6.31, vlerësimi më i lartë 8 dhe më i ulëti 5. Është lojtari i shtatë me më tepër paraqitje te Interi, i 12-ti si minuta të luajtura, ka luajtur vetëm tre 90-minutësha të plotë, është zëvendësuar gjashtë herë në nëntë ndeshje që e ka nisur si titullar, 11 herë është futur si zëvendësues. Ka shënuar një gol në çdo 155 minuta të luajtura.

Por vetëm shifrat nuk tregojnë gjithçka, sepse në nëntë ndeshje ku ai është aktivizuar si titullar, ka shënuar gjashtë herë (një dopietë), Interi ka fituar gjashtë herë, ka barazuar dy dhe ka humbur një (me Sampdorian). Kur Mario Baloteli nuk ka luajtur, zikaltrit kanë fituar katër herë. Këtu përfshihen dështimi me Sampin fazën e parë (1-0) dhe barazimi me Napolin në transfertë (0-0), të vetmet ndeshje ku Interi nuk ka shënuar në Serinë A.

Gjithashtu lexo

Osmani: Bëmë gabime në mbrojtje, do të ndryshojmë në lojën e ardhshme

Trajneri i Shkëndijës së Tetovës, Qatip Osmani nuk e ka përjetuar mirë humbjen nga Milani. …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *