Home / Sport / Nga Lorik Cana tek Agolli, 10 lojtarët më mercenarë

Nga Lorik Cana tek Agolli, 10 lojtarët më mercenarë

Futbolli nuk është një profesion i thjeshtë, ku lojtarët paguhen ve-tëm për të luajtur. Çdo futbollist që luan për një skuadër, ndiqet nga një publik i gjerë në stadium dhe mban pas vetes një histori të një skuadre dhe ndonjëherë të një qyteti.

Shpesh krijohen “futbollistë-flamuj”, “emblema” në skuadra të ndryshme. Por, a ekzistojnë në të vërtetë legjenda të tilla në futbollin e sotëm? Termi “mercenar” ka nisur tashmë të praktikohet edhe në Shqipëri, megjithëse shumat e parave nuk kapin ato të futbollistëve si Adebajor, Garet Berri apo Robinjo.
1. Lorik Cana
Te Marseja ishte një “mbret”, megjithatë oferta prej 2.5 milionë eurosh rrogë vjetore nga Sandërlendi, bëri që Cana të mos mendohej gjatë. Natyrisht shkoi në kampionatin më të fortë të botës, por Sandërlendi nuk është Marseja dhe për më tepër, vështirë se do të ketë ndonjëherë shansin të luajë në Champions League. Cana mendon se duke luajtur në Premier Ligë do të ketë më shumë mundësi të shihet nga klubet e mëdha, por në krahun tjetër rroga e tij duket e vështirë për çdo skuadër, aq më tepër për Arsenalin apo Evertonin, që kanë disa limite në buxhet.
2. Migen Memelli
Të braktisësh skuadrën kampione të vendit pasi ke fituar titullin e parë në karrierë, nuk ndodh shpesh. Memelli gjithsesi është një rast më vete. Shkoi në provë në një skuadër inferiore në Rusi, por nga aty, përfundoi sërish në Superligë…te Flamurtari. Pogradecari tani thotë se ndjehet mirë, por në fakt, Vlora nuk është Tirana dhe Flamurtari nuk është si bardheblutë. Gjithsesi, paratë edhe këtë herë bënë diferencën.
3. Nevil Dede
Elbasanin e kam në zemër… Tirana? Është shtëpia ime. Fjalë të thëna nga Nevil Dede, mbrojtësi i njohur i kampionatit shqiptar, tashmë me licencë trajneri. Dikur ishte një bardheblu i betuar, por në vitin 2004 Nevili nuk ngurroi aspak të shkonte tek Elbasani, madje të betohej për këtë skuadër dhe para tifozëve të saj. Në 2007-tën u rikthye te Tirana, duke pranuar: “këtu ndjehem në shtëpinë time”. Në janar 2009 sërish në Elbasan, “ekipi ku gjithnjë jam ndjerë mirë”. Për para provoi edhe kampionatin kinez, ndërsa këtë sezon rikthim te Tirana, por e braktisi para dy muajsh pasi preferoi postin e trajnerit.
4. Skerdi Bejzade
Skerdi ka qenë një nga futbollistët më të njohur në kampionatin shqiptar, një nga ata që ka veshur thuajse çdo fanelë të klubeve të Superligës. Arsyeja? Disa miliona më shumë. E në fakt, me të në skuadër punët nuk shkojnë aq keq, duke parë se Bejzade ka miqësira thuajse në çdo klub shqiptar dhe disa pikë t’i siguron pa zbritur në fushë. Ai u bë thuajse një legjendë e Partizanit, më pas ishte një yll te Elbasani dhe më tej, hero te Vllaznia. Por, sa “skllav” është ndaj parave, mjafton të kujtosh ndeshjen e vitit 2004 ndaj Bnei Sakhin në Kupën UEFA. Tradhtoi edhe mikun e tij më të ngushtë në atë kohë, Albert Xhanin. Ky i fundit që atëherë e quan “Hamza” dhe ai e thërret “Sulltan”.
5. Daniel Xhafaj
Nga Dinamo te Teuta, më pas te Tirana dhe tashmë në Kavajë. Daniel Xhafaj është vërtetë një rast më vete. Te Tirana merrte 90 milionë lekë në vit, duke qenë nga më të paguarit, por në fakt asnjëherë nuk u bë goleadori që të gjithë prisnin. Tani ka kaluar te Besa, ku thotë se ndjehet si në shtëpi. A duhet besuar? Mos provoni…
6. Bledi Shkëmbi
Pranoi të shkonte edhe në kategorinë e dytë për 40 milionë lekë që iu dhanë në Korçë. Pasi u shpall nënkampion i vendit me Partizanin, ekip ku ishte lider, Bledi Shkëmbi zgjodhi të largohej nga skena e futbollit të madh në vitin 2008, duke firmosur me Skënderbeun. Nuk ka dyshim se vendimtare për këtë zgjedhje ishin paratë dhe asgjë tjetër.
7. Erjon Bogdani
Erjon Bogdani qëndroi gati një vit në stol te Kievo, pasi askush nuk i fronte 750 mijë eurot e veronezëve. Në sezonin e shkuar, ofertat për të nuk munguan asnjëherë, por sulmuesi shqiptar preferoi të qëndronte pa luajtur, të paktën deri në mars 2009, kur trajneri Di Karlo nisi ta aktivizonte rregullisht në sulm me Pelizier. Gjithsesi, eksperienca me Livornon i vlejti, pasi Bogdani refuzoi edhe Romën vetëm e vetëm që të kishte më shumë mundësi të luante.
8. Gjergji Muzaka
Pasi ke veshur 7 vjet rresht fanelën e Partizanit, nuk është mirë të bëhesh futbollist i Tiranës. Gjergji Muzaka është një shembull i gjallë për këtë. Ai ishte një djalë i dalë nga të kuqtë, një benjamin i Xhanit dhe tifozerisë, por në momentin që kjo skuadër ishte në buzë të “humnerës” nga ana financiare, zgjodhi të largohej. Destinacioni? Tirana, armikja e përhershme e tifozerisë së kuqe.
9. Arlind Nora
Nuk ka skuadër ku të mos ketë luajtur gjirokastriti. Nga Luftëtari flitet se u largua për shkak të një ndeshje të humbur në mënyrë të dyshimtë ndaj Vllaznisë dhe më pas, kaloi pikërisht te shkodranët. Në “Loro Boriçi” mbahet mend vetëm për një gol ndaj NK Zabreb në Kupat e Evropës dhe më pas erdhi transferimi te Shkumbini, klub që u forcua ekonomikisht me ardhjen e Xhavit Ismailit. Këtë vit shkoi te Laçi, që mësohet se i ka ofruar 20 milionë lekë. Një arsye vërtetë bindëse për transferimin.
10. Ansi Agolli
Anësori i majtë ishte një lojtar i harruar deri në verën e vitit 2008, kur Refik Halili e mori nga Vasa e Finlandës, duke i ofruar mbi 80 milionë lekë rrogë. Shumë për një futbollist mbrojtës në Shqipëri. Veç kësaj, ai i pagoi edhe kartonin për 40 mijë euro. Por, Agolli tregoi “dashurinë” për ngjyrat bardheblu sapo dikush në Ukrainë i ofroi një rrogë më të madhe, afro 300 mijë dollarë në vit.

Gjithashtu lexo

City: 300 mln euro për Messi-n – (VIDEO)

Klubi anglez, Mançester Sity është i gatshëm të bëjë çmendurinë e radhës në tregun e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *